Hartat e reja të Erdoganit

Postuar në 24 Tetor, 2016 16:54

Prezenca turke në Mosul, ku zhvillohet një betejë kundër Shtetit Islamik si dhe disa deklarata të presidentit Erdogan për Traktatin e Lozanës, kanë tërhequr vëmendjen mni objektivat e reja të politikës së jashtme turke. Lidhur me këto ndryshime që nuk janë pa pasoja, revista e njohur “Foreign Policy” shkruan në në shkrim të këtyre ditëve për një dukuri që po i jep shkëndija të reja nacionalizmit turk, të riadoptuar nga islamikët turq në formën dhe shprehitë e parashtruara më herët nga qemalistët. Natyrisht këtu janë shtuar edhe dozat fetare, që shihen qartë te “apeli për vëllezërit sunitë”, një shpallje e hapur kjo e agresivitetit në politikën e jashtme drejtuar për nga bota arabe.

Turqia ka një mburojë historike për të luajtur këto karta, qoftë edhe simbolikisht: Perandoria Osmane, e cila dikur sundonte në territore të gjera që shkonin nga Lindja e Mesme e deri në Ballkan. Në mbështetje të kësaj qasjeje të Erdogan janë hedhur edhe mediat.

Krahas lajmeve për avionët turq që bombardonin forcat kurde në Siri dhe atyre për tensionet me avionët grekë në Egje, mediat proqeveritare turke kanë dëshmuar një interes të sapozbuluar për një seri hartash, të pasakta dhe shpesh mizore, të Turqisë me kufij të rinj”, shkruan revista.

Ky “irredentizëm kartografik” që po gjen shprehje të ndezura hedh dritë mbi sentimentet që po gatuan Erdogan në Turqi, prej nga ku nuk ka muaj që të mos prodhohen lajme që në një mënyrë apo tjetër vënë në diskutim rendin aktual.

“Hartat në veçanti zbulojnë peshën e madhe të nacionalizmit turk, një element jetëgjatë i shtetformimit, tashmë i rigjallëruar me disa aspekte të rishikiara historike dhe një dozë të shtuar fetare. Por nëse e shkuara na mëson diçka, ajo është fakti se ndërhyrjet ushtarake dhe retorika konfrontuese që ky nacionalizëm frymëzon mund të përkeqësojë pozitën e sigurisë së Turqisë në rajon”, vijon autori i shkrimit.

Nuk ka pra në themel një përpjekje për neootomanizëm si objektiv real dhe angazhues, por për një Turqi të Madhe, çka e bën ambicien e Erdogan shumë afër projekteve të ngjashme ballkanike. Ndryshimi i vetëm është madhësia e Turqisë dhe popullsia e saj që bashkë me aspektin fetar dhe pozitën i japin një rëndësi të posaçme. Erdogan po ecën më tej në këtë drejtim kur duke e parë hijen e Ataturkut si pengesë për ambiciet e veta, ka nisur të “mbështesë një narrativë alternative në të cilën gatishmëria e Ataturkut për të braktisur përmes Traktatit të Lozanës territore si Mosuli dhe ishujt e Egjeut, tashmë në zotërimin e Greqisë, nuk ishte një akt pragmatizmi, por një tradhëti”.

Tashmë që në rajonin kufitar Siri – Irak po vendosen ekuilibra të rinj, pra ka shanse të rishikimit të kufijve, Turqia po ndërhyn, gjithnjë me synime territoriale. Këtë sugjeron nacionalizmi i ri kartografik, por edhe ky është leximi që po i bëhet kësaj politike. Mbajtja e Mosulit nga Iraku rregullohet nga një Traktat ndërkombëtar dhe çdo lojë për të, do të sillte rrëzimin e tij. Nga ana tjetër objektivi i Erdogan në Siri lexohet të jetë në thelb vetëm një: likujdimi i PKK-së, pra një objektiv në themel nacionalist dhe antikurd.

Nëse marrim si model të politikës së jashtme këtë lexim që na ofron FP për Turqinë në Irak, është e lehtë të imagjinohet se asosacioni që po bëhet së fundmi mes Tiranës zyare dhe Ankarasë për çështje të politikës së jashtme, është i ekzagjeruar. Kjo sepse duke parë se pretendimet e Turqisë ndaj Greqisë janë për ishujt e Egjeut, hedhja në aksion e Shqipërisë me axhenda të fryra nacionaliste, apo njësoj si akuza se marrëveshja e detit u ankimua nga PS-ja për llogari dhe interes të një pale të tretë, na jep të kuptojmë se Tirana ka vetëm një rol taktik instrumental në këtë histori.

Një presion në rritje ndaj Greqisë, ndaj së cilës me mënyrën sesi po vihet në tryezë çështja çame, i jep asaj një dimension subversiv, parë nga optika greke, i ndihmon kërkesave turke në Egje. Ky implikim që i atribuohet së fundmi Shqipërisë, mundet të jetë edhe një keqkuptim, pasi në çdo rast, dhe kjo duhet theksuar – kërkesat e komunitetit çam për pronat dhe kompensimin e tyre, JANË LEGJITIME. Por ai qëndron në një kontekst të ndërlikuar dhe me shumë ndërveprime. Nuk ishte e rastit edhe që prania shqiptare në misionin e NATO-s në Egje u kundërshtua nga Greqia, e cila qoftë përmes medias, qoftë përmes zyrtarëve të vet, nuk po e ndan dot axhendën shqiptare nga të qenit pararojë e Turqisë. Do të ishte për të ardhur keq që një çështje që po merr udhën e trajtimit të paketohej nga të tjerë për qëllime që vetëm Shqipërisë nuk i shërbejnë.

http://foreignpolicy.com/2016/10/23/turkeys-religious-nationalists-want-...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.