Për rishikimin e Kushtetutës në Republikën e Shqipërisë

Postuar në 24 Maj, 2016 20:51
Agron Alibali

"Rregullat formale kanë rëndësi", deklarohet në një Raport të Komisionit të Venecias për Amendamentet Kushtetuese në Europë (CDL-AD (2010)001-e). E megjithatë, po të analizojmë ecurinë e procesit aktual të rishikimit të Kushtetutës në Shqipëri, duket se Komisioni i Venecias nuk e ka përfillur opinion e vet. Para se t'i kthehemi analizës përkatëse, le të shikojmë për një moment zhurmën e tanishme për domosdoshmërinë e miratimit të menjëhershëm të reformës kushtetuese. Po të dëgjosh deklarimet e fundit të disa europarlamentarëve, nëse kuvendarët shqiptarë nuk miratojnë me urgjencë ndryshimet radikale në Kushtetutën e vendit, do të ndodhë kiameti. Nëse ata "nuk vendosin deri në fund të qershorit, kjo do të ketë pasoja të tmerrshme për fillimin e negociatave për anëtarësim", citohet të ketë deklaruar eurodeputeti shumë i respektuar Fleckenstein.

Legjitimiteti

Megjithë respektin e veçantë për Parlamentin Europian, nuk mund të mos e vëmë deklarimin e mësipërm në kontekstin e fjalëve të Margaret Thatcher se "Europa nuk është krijesë e Traktatit të Romës dhe ideja europiane nuk është pronë e ndonjë grupi ose institucioni". Duke perifrazuar më tej atë mund të thuhet se "shqiptarët janë trashëgimtarë të kulturës europiane po aq sa çdo komb tjetër". Dhe më tej: "Komisioni Europian (dhe për analogji, Parlamenti Europian, shtesë e autorit), është veç një manifestim i identitetit europian, por nuk është i vetmi". (Fjala e znj. Thatcher, Kolegji i Europës, Bruges, 20 shtator 1988). Prandaj, parlamentarët europianë nuk kanë asgjë më shumë sa i takon legjitimetit, përfaqësimit dhe vlerave të demokracisë se sa kolegët e tyre në Kuvendin e Shqipërisë. Madje, sa i takon legjitimitetit dhe shkallës së mbështetje popullore, ata qëndrojnë rreth 10 pikë më poshtë se kolegët shqiptarë po t'u referohemi pjesëmarrjes në zgjedhjet e fundit (Zgjedhjet e 2013 në Shqipëri 53.47%, krahasuar me 42.61% në zgjedhjet e Parliamentit Europian, 2014). Sipas logjikës së eurodeputetëve, Brexit-i nuk është asgjë përpara hapit kinse "historik" të Kuvendit të Shqipërisë, kurse sipas disa ndërkombëtarëve të tjerë të krijohet përshtypja se liderët më të fuqishëm të planetit nuk i zë gjumi për reformën gjyqësore në Shqipëri...

Kakofonia

Pavarësisht nga ndërveprimet në dukje të ngrohta dhe miqësore duhet pranuar se respekti i shumicës së ndërkombëtarëve ndaj politikanëve shqiptarë është në nivelet më të ulëta, për të mos thënë se nuk ekziston. Po të gjykosh nga spektakli i pakëndshëm çdo të enjte në Kuvendin e Shqipërisë, që është pak të quhet kakofoni, kuptohet se edhe niveli i mbështetjes popullore për kuvendarët është në minimume historike. Megjithatë, mund të thuhet se Shqpëria përbën përjashtimin nga rregulli se çdo populli ka qeverisjen që meriton. Po të krahasohet niveli i demokracisë shqiptare sot me fillimet e pluralizmit konkluzioni i pakëndshëm është se demokracia shqiptare ka qenë më gjithëpërfshirëse, e drejtpërdrejtë, e zhdërvjelltë dhe pjesëmarrëse në fillimet e saj se sa sot. Për këtë njëfarë përgjegjësie e kanë edhe ndërkombëtarët po të kujtojmë dështimet në reformën zgjedhore, në pushtetin vendor dhe në programet e panumërta në drejtësi, të kryera me asistencën e tyre. Mirëpo ca punë shqiptarët dinë t'i bëjnë vetë dhe madje mirë. Aksioni kushtetues i ndërmarrë nga legjislatura e vitit 1991 dhe 1992 e Kuvendit të Shqipërisë është ndër shembujt më të shkëlqyer të konstitucionalizmit në historinë e vendit. Dispozitat Kryesore Kushtetuese ose vargu i plotë i ligjeve kushtetuese u hartuan nga legjislatorë dhe ekspertë vendas dhe u miratuan me bashkëpëlqim nga legjislatura të dala prej zgjedhjesh të pakontestuara. Madje, as për kapitullin për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut nuk u mor mendimi as i Këshillit të Europës, as i Komisionit të Venecias, dhe as i Komisionit Europian apo diplomatëve të BE-së që shërbenin në Tiranë. Dispozitat Kryesore Kushtetuese mund të ishin edhe sot e gjithë ditën në fuqi, njëlloj sikurse për analogji ka vepruar Izraeli. Mirëpo politikanët shqiptarë nuk i rezistuan dot trysnisë së BE-së dhe OSBE-së se kinse vendi ishte pa Kushtetutë dhe kësisoj nuk mund të integrohej në BE. Sa i takon ngutjes dhe trysninë së pashembullt që u kërkohet sot shqiptarëve, kujtojmë se Holandës iu deshën mbi 20 vjet për të miratuar Kodin Civil. Kurse Kuvendit të Shqipërisë sot i kërkohet të ndryshojë 1/3 e Kushtetutës brenda një muaji...!?

Komisioni i Posaçëm Parlamentar nuk ka tagër për të ndryshuar Kushtetutën

Veprimi brenda kompetencave dhe mostejkalimi i tyre është një ndër parimet themelelore të së drejtës. Për shembull, gjykata nuk vepron nëse konstaton se nuk ka kompetencë tokësore ose lëndore ndaj palëve e objektit të padisë. Parimet e moskompetencës veprojnë edhe në fushën e së drejtës publike. Në të drejtën anglo-amerikane vlen doktrina “Ultra Vires” që, në thelb, do të thotë se akti apo veprimi i një personi juridik që tejkalon tagret apo kompetencat e veta është nul. Shqipëria i përket së drejtës kontinentale. Një doktrinë e tillë natyrisht reflektohet edhe në të drejtën publike shqiptare dhe pikërisht me parimin që subjekti apo personi juridik publik duhet t'u përmbahet rigorozisht dhe vepron vetëm brenda tagreve dhe kompetencave të veta legjitime. Përndryshe, vendimet e tij nuk kanë kurrfarë efekti ligjor dhe rrjedhimisht janë nul. Le të analizojmë për një moment reformën e tanishme kushtetuese.

Në rrethanat kur mëse 1/3 e ligjit themeltar të shtetit po ndryshohet, a mund të thuhet se kemi të bëjmë me rishikim të Kushtetutës? Druhemi se përgjigja është vetëm pozitive. Me të vërtetë do të ishte absurde të mendohej se ndryshimi rrënjësor e masiv i Kushtetutës nuk përbën "rishikim" të saj. Me këtë reformë aktualisht merret Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi, i formuar me Vendimin Nr. 96/2014, datë 27 nëntor 2014 të Kuvendit të Shqipërisë. Mirëpo, a i ka kompetencat për rishikimin e Kushtetutës Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi? Duke iu referuar kompetencave të përkufizuara në Vendimin Nr. 96/2014 të Kuvendit, Komisioni i Posaçëm nuk ka komptencë për të rishikuar Kushtetutën. Vendimi përkatës kurrkund nuk e përmend një gjë të tillë. Objekt i veprimtarisë së tij nuk është reforma kushtetuese, por vetëm reforma në sistemin e drejtësisë dhe "propozimi i një pakete të plotë projektligjesh të nevojshme për reformimin e legjislacionit, që rregullojnë organizimin dhe funksionimin e institucioneve të sistemit të drejtësisë, përfshirë (institucionet) kushtetuese...".)

Theksojmë se përmendja e "institucioneve kushtetuese" në Vendimin parlamentar që krijoi Komisionin nuk nënkupton rishikimin e Kushtetutës, por vetëm bazën ligjore, ose më mirë, të legjislacionit të institucioneve kushtetuese. Me fjalë të tjera, kompetenca e Komisionit të Posaçëm është vetëm rishikimi i ligjit, ta zëmë, për Gjykatën Kushtetuese e institucioneve të tjera kushtetuese dhe kaq. Komisioni nuk ka kompetencë të shqyrtojë, të analizojë, dhe aq më pak, të miratojë, rishikimin apo ndryshimin e dispozitave kushtetuese që kanë të bëjnë me ato instucione kushtetuese. Pra, në thelb, Komisioni i Posaçëm Parlamentar ka tagre të kufizuara dhe është ngritur e funksionon në bazë të Nenit 77 dhe 78 të Kushtetutës. Këto nene parashikojnë vetëm ngritjen e Komisioneve Parlamentare për veprimtarinë ligjvënëse dhe hetimore, dhe jo për ndryshime kushtetuese. Shkurt, Komisioni i Posaçëm Parlamentar është jokompetent për të rishikuar Kushtetutën e vendit. Nëse, gjatë veprimtarisë së tij del e nevojshme ndryshimi i Kushtetutës, atëhere Komisioni normalisht duhet të pezullojë punën, dhe t'i përcjellë Kuvendit vendimin për moskompetencëne tij në çështje kushtetuese. Mirëpo, çuditërisht, anëtarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar, nën vëzhgimin e dy ekpertëve të huaj, vazhdojnë të paturbulluar të shqyrtojnë rishikimin e Kushtetutës së vendit, edhe pse nuk kanë kurrfarë tagri për të bërë një gjë të tillë.

Në këtë drejtim, për analogji, mund të sjellim një dispozitë tjetër kushtetuese sipas së cilës "Mbledhjet e deputetëve që mbahen pa u thirrur spas rregullores, nuk sjellin asnjë pasojë" (Neni 78.2). Duke aplikuar “mutatis mutandis” këtë dispozitë me veprimtarinë e pashembullt të Komisionit të Posaçëm, atëhere mund të themi se i tërë aktiviteti i tij kushtetues “nuk sjell asnjë pasojë” dhe rrjedhimisht është nul. Anëtarëve të nderuar të Komisionit të Posaçëm mund t'u kujtojmë edhe një ndër faqet e ndritura historike të konstitucionalizmit në Shqipëri dhe pikërisht aktet për zgjerimin e Statutit të Lushnjes. Atje, deputetët e ndritshëm të caktuar për atë qëllim deklaruan se në ounën e tyre mbështeteshin tek "...Statuti i Lushnjes, të cilin kemi të drejtë vetëm për ta plotësuar dhe jo ta ndryshojmë apo abrogojmë, gjë është në kompetencën e Asamblesë Kushtetuese...." (Deklarimi i deputeti e juristit të shquar Koço Tasi në Komisonin Parlamentar pêr Zgjerimin e Statutit të Lushnjes në shtator 1922).

Nevoja për Asamblenë ose Kuvendin Kushtetues

Korrupsioni është dukuri që ka penetruar në një pjesë të mirë të shoqërisë në vend, dhe jo vetëm në gjyqësor. Rrjedhimisht, lufta kundër tij duhet të jetë frontale, gjithëpërfshirëse dhe e mirëmenduar. Shoqëria shqiptare ka kuadrin dhe mjetet e legjislative dhe administrative për ta luftuar korrupsionin. Për shembull, nuk ka asnjë ligj në Shqipëri që lejon rryshfetin apo mitën nëpër gjykata, zyrat e shtetit, spitalet etj. Këto akte kriminale mund dhe duhen ndjekur penalisht dhe me ashpërsinë më të madhe nga Prokuroria. Në një shkrim të mërparshëm argumentuam nevojën që kontrolli dhe spastrimi i gjyqësorit dhe i prokurorisë nga elementët e korruptuar mund të bëhej direkt nga populli në bazë të parimeve të demokracisë së drejtpërdrejtë. Kjo gjë kurrsesi nuk mund t'i lihej ndonjë misioni ndërkombëtar. Nëse ky do të propozohej, atëhere ardhja e misionit ndërkombëtar, termat e referencës, kompetencat dhe afati i qëndrimit duhet të rregulloheshin vetëm me marrëveshje ndërkombëtare, dhe jo me kushtetutë. Duke patur parasysh faktin e pamohueshëm se funksionimi i ketij misioni ndërkombëtar në një vend sovran cenon parimet themelore të Kushtetutës së vendit, si dhe historinë e tij 104-vjeçare, ky ndryshim tektonik nuk mund të bëhet, përndryshe, me procedura normale, por vetëm me Kuvend ose Asamble Kushtetuese. Vendimi përkatës lypet të miratohet me referendum popullor. Nëse për ndryshimin e reformës së regjimit tradita kushtetuese vendase parashikon Asamblenë Kushtetuese, nuk ka kuptim që për një akt edhe më të rëndësishëm, ku praktikisht vendi kthehet 100 vjet mbrapsht në kohën e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, vendimin të mos e merrte Asambleja Kushtetuese.

Miti i Komisionit të Venecias

Autori i këtyre radhëve ka patur privilegjin të njohë dhe të takojë disa herë, në Tiranë dhe Romë, Prof. Antonio La Pergolan, themeluesin dhe arkitektin e Komisionit të Venecias. Pas 25 vjetësh mund të thuhet se ideja e tij e shkëlqyer, për ndërtimin e një organizmi ndërkombëtar "konsultativ" me autoritet të lartë profesional që do të shërbente për të paraqitur "zgjidhje tekniko-legjislative me kërkesë të vendeve anëtare" gjithmonë "duke respektuar sovranitetin mormativ të secilit shtet" është njëmendësuar plotësisht. Në këtë pikëpamje nuk mund të mos shihen me habi qëndrimet sikur kinse opinionet e Komisionit të Venecias vijnë nga maja e Olimpit dhe karakteri thjesht konsultativ i tyre përkthehet si opinion i padiskutueshëm, i pakritikueshëm dhe që vetëm duhet zbatuar.

Pavarësisht nga niveli i lartë teorik dhe reputacioni i jashtëzakonshëm i tij, Komisioni i Venecias nuk mund të pretendojë se ka monopolin e drejtësisë kushtetuese në Europë. Opinioni i tij i fundit, që disa në Shqipëri e konsiderojnë gati-gati si Librin e Shenjtë, ka plot ide, pasazhe e konkluzione të diskutueshme. Dhe nuk ka se si të ndodhë ndryshe kur dikush jep mendime që lidhen me traditën dhe kulturën kushtetuese, apo me "sovranitetin normativ" të një vendi të tretë. Por këtu mund të vërejmë edhe një mospërputhje jo të parëndësishme procedurale. Eksperti i nderuar irlandez, z. James Hamilton, shfaqet njëkohësisht edhe si anëtar i grupit të ekspertëve të nivelit të lartë të reformës në drejtësi në Shqipëri, edhe si bashkëautor i Opinionit Përfundimtar të Komisionit të Venecias bash për këtë reformë.

E thënë ndryshe, eksperti irlandez është njëkohësisht edhe bashkëautor i draftit, edhe bashkëarbitër i Opinionit "të pavarur" mbi draftin. Kjo nuk shkon. Po ashtu, duke vlerësuar ekspertin e respektuar gjeorgjian Vardzelashvili, tjetër bashkëatur i Opinionit Përfundimtar, nuk mund të mos vërehet se në nivelin e tij të ekspertizës mund të ketë të paktën disa duzina juristësh vendas në Shqipëri. I përmendim këto argumente jo si shprehje mosvlerësimi, por vetëm për të theksuar në mënyrë metaforike se Komisioni i Venecias - dhe ekspertët e huaj të EURALIUS dhe OPDAT-it - nuk mund të jenë si mbreti mitologjik Midas, që transformonte në ar gjithçka që prekte me dorë. Jo gjithçka që del nga duart e tyre mund të jetë më e mirë se sa kolegët e tyre shqiptarë.

Duke e vazhduar analogjinë, sikurse mbreti Midas që u çlirua në lumin Pactolus nga "mallkimi" i transformimit në ar të gjithçkaje që prekte, edhe ekspertët e Komisionit të Venecias etj. duhet të kenë kurajon t'u thonë kolegëve shqiptarë: "Ju takon ju ta diskutoni dhe ta rishikoni Kushtetutën, ju takon ju ta përmirësoni dhe ta zbatoni reformën në drejtësi dhe ju takon ju ta kontrolloni, luftoni dhe ta shkatërroni korrupsionin në gjyqësor dhe kudo në shoqërinë tuaj". Dhe në fakt, vallë, vërtet mund të besojë ndokush se një grusht vëzhguesish ndërkombëtarë, të pazgjedhur e të pakontrolluar demokratikisht dhe që nuk i nënshtrohen kurrfarë llogaridhënieje, do të jenë përgjigja më e mirë ndaj korrupsionin galopant në gjyqësorin dhe shoqërinë shqiptare?

"Shekulli"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.