Paradoksi, qeveria e quan sukses arratisjen e Balilit. Policia ende pa komunikatë zyrtare për operacionin
Kryeministri Rama tundi dje një variant të korrigjuar të komunikatës së Europol për të bërë policinë shqiptare pjesë të operacionint ndërkombëtar të antidrogës që vuri në pranga anëtarët e një organizate të narkotrafikut, koka e së cilës ishte zyrtari shqiptar i Ministrisë së Transporteve, Kelmend Balili, i cili në fakt i shpëtoi arrestimit. Paradoksi është se ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri e quan sukses moskapjen e Balilit, i dyshuar për lidhje dhe mbështetje të fortë politike në Shqipëri. Komunikata e korrigjuar e Europol theksonte se Shqipëria kishte rol mbështetës në këtë operacion, por policia shqiptare nuk ka dalë akoma në një komunikim zyrtar lidhur me këtë operacion ku ajo pretendon se ishte pjesë dhe që mbi të gjitha që kishte si qëllim shkatërrimin e një organizate kriminale që dirigjohej nga Shqipëria.
I pyetur në emisionin "Opinion" nëse Balili ishte në skedarët e policisë ministri dha një përgjigje që reflektoi mungesën e dëshirës për të folur për Kelmend Balilin.
Fevziu: A figuronte ky person me precedentë penalë në Sarandë?
Tahiri: Pse duhet ta di unë?
Fevziu: Sepse ishte një drejtor i rëndësishëm në Sarandë…
Fevziu: A dini gjë ku është Klemend Balili?
Tahiri: Unë nuk jam punonjës policie.
Rasti Balili ka implikuar rëndë qeverinë shqiptare dhe përpjekja për ta veshur me sukses arratisjen e tij është një standard, të cilin qeveria duhet ta mbajë për vete pasi është e tepërt t'ia përcjellë publikut dështimin si sukses.
Add new comment