Ksenofobë ndoshta “jo”, por të përdorur si gjithnjë dhe mosmirënjohës, “po”

Postuar në 14 Mars, 2016 19:09

Sot u përcoll në mediat kryesore një deklaratë e ministrit grek të Mbrojtjes, Dimitris Vitsas, sipas të cilit mbyllja e kufirit për refugjatët sirianë që ndodhen në Greqi, manifeston ndër të tjera edhe ksenofobi. Madje edhe nga to vende prej nga ku kanë vërshuar mijëra emigrantë. “Disa vende kanë qeveri që ngjan se veprojnë në mënyrë ksenofobike. Mes tyre, mjaft nga ato vende që dërguan disa dhjetra mijë emigrantë në Greqi para 25 vjetësh. Por tani këto vende nuk duan të pranojnë refugjatë sirianë nga Greqia. Për mendimin tim personal, ky është një turp!”, deklaroi Vitsas(http://www.respublica.al/2016/03/14/greqia-akuzon-për-ksenofobi-vendet-e-rajonit-emigrantët-na-lini-të-kthehemi-të-vdesim-në).

Ky është reagimi grek për deklaratën e kryeministrit shqiptar Edi Rama, që deklaroi se nuk do të happen kufijtë për lëvizje të lirë të refugjatëve sirianë që ndodhen në Greqi, sa kohë që nuk ka një politikë europiane për këtë. Deklarata e Vitsas i mëshon më shumë sjelljes shqiptare, pasi shqiptarët e kanë vetë përvojën e emigrimit. Nga kjo perspektivë ministri grek ka të drejtë të flasë për kseonofobi të shqiptarëve dhe qeverisë së tyre, por edhe për mosmirënjohje dhe mungesë humanizmi. Por është ende herët dhe kriza e migrimit nuk është mbyllur.

Pas kësaj deklarate është hapur një diskutim që po vendoset edhe njëherë mbi baza të një nacionalizëm prej kazani rakie, që as jep ndonjë argument, por as ofron ndonjë zgjidhje.

Një tezë është se Shqipëria është e varfër dhe nuk i mban dot refugjatët. Nëse kjo është një mënyrë për të negociuar fonde nga BE-ja nuk ka asgjë të keqe. Por ky argument bie pasi vendimi i Tiranës zyrtare për të kufizuar lëvizjen e refugjatëve erdhi pas organizimit nga Austria të Konfereëncës së Vjenës, ku u mor vendimi për mbylljen e Rrugës Ballkanike. Madje në kundërshtim me kërkesën gjermane për përgjegjësi të përbashkët në menaxhimin e kësaj krize. Tirana zyrtare ka këtu edhe mbështetjen e palës italiane, që i druhet shumë një vale të re refugjatës nga Adriatiku, pa mohuar leximin e situatës më të fundit ku Angela Merkel në Gjermani ka marrë një goditje në zgjedhjet lokale. Europa pra nuk i do sirianë, as Shqipëria nuk ka pse t’i dojë. Kështu lexohet qëndrimi i Tiranës zyrtare që luan në këtë moment pjesën e vet në një vendim që e kanë marrë të tjerë.

Një tezë tjetër është se sirianët nuk janë emigrantë ekonomikë, por refugjatë lufte dhe se ata e ekspozojnë Shqipërinë ndaj rreziqeve të terrorizmit.

Kjo tezë nuk dihet se përse hidhet. Kosovarët në vitin 1999, kishin si status juridik ndërkombëtar, pikërisht atë të refugjatit të luftës, përpara se të thirreshin për konsum të brendshëm “vëllezër të një gjaku”. Edhe ndihmat që iu ofruan asokohe Shqipërisë bazoheshin mbi këtë realitet. Le të mos harrojmë dramën e kampit të Bllacës në Maqedoni që ishte në thelb refleks i raporteve etnike në Ballkan, më shumë sesa i pamundësisë së Maqedonisë për të menaxhuar një krizë aq të përkohshme. Edhe në rastin e Shqipërisë, dihet se refugjatët e luftës do të kalojnë për të shkuar drejt Europës Perëndimore dhe pak gjasa ka të qëndrojnë këtu. Por edhe sikur të mos jetë ky shembull, Shqipëria ofron një tjetër ilustrim paradoksal. Ajo së fundmi ka vendosur të strehojë 3000 muxhahedinë iranianë, një grup paramilitar eskretimist që operon dhe ekziston vetëm për të rrëzuar regjimin politik në Iranin e sotshëm. A nuk janë ata refugjatë lufte? Dhe a nuk e ekspozojnë ata sigurinë kombëtare ndaj rreziqeve jo të vogla? Po flasim për aq sa dimë për ardhjen e tyre, pasi qeveria shqiptare mund të jetë udhëzuar për të tjera plane.

                Teza e fundit, dhe më qesarakja, është se Greqia po synon të dëmtojë sezonin turistik të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Italisë me vënien në lëvizje të refugjatëve sirianë.  Burimi prej nga ku është artikuluar kjo tezë sot, e që është qarkulluar në disa media, as që ia vlen dy gisht letër për t’u marrë. Por si tezë e vjetër, që nga vitet ’90, ajo është ngulitur disi, pavarësisht se qytetarët shqiptarë kanë udhëtuar tanimë jo pak dhe janë në gjendje të bëjnë dallimin. Ndaj edhe duhet marrë në konsideratë.

Vetëm dy ditë më parë, mediat greke shkruanin për një raportim të gjermanes “Deutsche Welle”, sipas së cilës, pavarësisht krizës së refugjatëve, turizmi grek për vitin 2016, parashikohet të rritet me 6%( http://en.protothema.gr/greek-tourism-to-groë-by-6-despite-refugee-crisis/).  

Së dyti, që në mesin e viteve ‘90- qarkullonte kjo tezë në Jug të Shqipërisë, pra se grekët propagandojnë kundër Shqipërisë për çështje të turizmit. Kjo është një gënjeshtër që mund të kuptohet sapo dikush shkel në Korfuz, destinacioni “që konkurohet” nga bukuritë marramendëse të vendit të shqiponjave. Në çdo pikë kruesore mund të shikosh oferta për guidë apo udhëtim drejt Sarandës dhe Shqipërisë dhe nuk has gjëkundi dikë që të të thotë se “aty përtej fillon Hadi”. Nëse do të bëjmë një krahasim mes shërbimeve që ofron Korfuzi apo edhe pak më poshtë Parga me dy ishujt Paksos, mund të kuptohet fare mirë se është e kotë të vijosh të flasësh për goditje të turizmit shqiptar. Shifrat flasin shumë qartë: drejt Sarandës që është pika më e afërt vijnë shumë të huaj. Por deri më sot, shumë pak prej tyre janë konvertuar në turistë me kohë të gjatë qëndrimi: shumica janë një ditorë. Vizitojnë Butrintin dhe largohen. Edhe këtu ndikon propaganda e sillogjeve?

Vitin e kaluar në shumë media online u shkrua gjerësisht për gjendjen e turizmit në Jug të vendit, për cilësinë e keqe të shërbimeve, për furnizimin e keq me ujë, çmimet, pastëritën, plehrat, kuzhinën e varfër etj.. Ndoshta është mirë që të shihen këta elementë përpara se të vrapohet te gjetja e një armiku. Ndoshta është koha që të thuhen disa të vërteta si p.sh “kaq dimë”, apo se “nuk ka politika favorizuese nga shteti”, se nuk “kemi çfarë të ofrojmë shumë” dhe sidomos se “shumë gjëra duhet të ndryshojnë”. Problemi nis që nga shteti i cili paturpësisht llogarit si turistë shtetasit e vet emigrantë por pa qenë në gjendje që të na tregojë sa peshë zënë të huajt dhe se çfarë përfaqëson Shqipëria si destinacion.

Për t'u kthyer te problemi i refugjatëve;

Nëse Shqipëria dhe shqiptarët do ta vlerësonin historinë dhe përvojën e tyre të viteve të fundit, vendimi për pritjen ose jo të sirianëve, do të duhej të ishte ndër të paktët vendime që do të merrej në mënyrë sovrane. Ose të paktën nga ato vendime ku zëri i Tiranës zyratre do të duhej të kishte peshë të vërtetë. Me sa shohim nuk ndodh kështu. Mëria dhe përbuzja që ka nisur ndaj emigrantëve shqiptarë brenda vetë Shqipërisë është shenja e nevojës që ndjen një shoqëri e tredhur nga komplekset për të mohuar historinë e vet, që e quan histori turpi. Në fakt turp është tjetër gjë në këtë rast. 

Por ndoshta edhe kësaj radhe na konfirmohet një paradoks fatlum të cilin po na e sjell në derë ministri grek: ndoshta turistët e huaj do të vërshojnë nisur nga sentimenti i përbashkët me shqiptarët në bllokimin e sirianëve në portat e Europës. Ky është një fat historik që e nxjerr Shqipërinë pjesë të detyruar të kontinentit plak që po struket pas mureve të frikës dhe ksenofobisë. Ndaj të mos nxitohemi dhe ta shajmë Vitsas, se mund të na ketë bërë nder pa e kuptuar. 

Comments

Submitted by Fillestari (not verified) on

Mirenjohje, mosmirenjohje... ne kete kontekst keto jane fjale boshe! Ceshtja eshte se perballe kemi nje liqen me nje milione emigrante te keputur nga Lindja e Mesme. Logjikisht askush nuk i do kaq shume fukarenj ne vendin e vet, as Europa e Veriut dhe aq me pak vende te pazhvilluara si Shqiperia. Aq me shume qe keta fukarenj as Shqiperia nuk i do e as ata nuk duan Shqiperine dhe kot ti mbash aty me zor. Ky kurthi i te ndjerit ne faj eshte kerkesa e paturp e dikujt qe nuk ka cfare te humbasi po e provoi njehere...
Interesante eshte sesi ministri Grek na kujton qindra mijerat e emigranteve qe emigruan ne Greqi dhe na ben me turp sesi nuk kemi mesuar nga mikpritja Greke. Mua me rezulton qe si Shqiperia ashtu edhe Maqedonia kane mesuar leksionin Grek nga A tek Z. Sic veproi (me shume arsye dhe shume te drejte) Greqia para shume vitesh, edhe vendet e tjera te Ballkanit po militarizojne kufijte te pengojne hyrjen e refugjateve; sic veproi operacioni "Fshesa" ashtu edhe Shqiperia po pergatitet ti perplase mbrapsht per ne Greqi ata persona qe na vijne qe andej.
Greqia ka nje problem emigracioni dhe mua me vjen keq per ta. Por Shqiperia nuk ka per borxh ti dali per zot barres se tjeterkujt. Ne nuk jemi as ne BE qe te marrim persiper politikat e perbashketa te immigracionit e nuk kemi asnje obligacion as moral e as juridik per ti hapur vetes probleme te tilla.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.