Nga buron ky agresivitet ndaj gazetarëve?
Në një kohë kur mbi Shqipërinë aktuale po gëlojnë e rëndojnë shumë halle e mbihalle: përmbytje, grindje, vrasje, aksidente, terr, emigracion, papunësi, mosmarrëveshje të pasosura partish, shoqëruar me ecejaket e mundimshme, pse jo edhe të pakonceptueshme për një vend sadopak normal e demokratik, të dy ambasadorëve, Lu-së dhe Vlahutinit, lidhur me reformën në drejtësi, duket si punë djerrakotë të merresh me faktin përse Rama dhe pas tij edhe Berisha, pikërisht në këtë zallamahi sociale, ekonomike dhe politike po sulmojnë, ditët e fundit, median dhe konkretisht disa nga gazetarët më të spikatur të vendit.
Rama është ndoshta kryeministri i vetëm në botë i cili, teksa thërret gazetarët në selinë e qeverisë “së restauruar” për t’i uruar e përshëndetur për vitin e ri, u thotë sy për sy e faqe botës se as nuk i dëgjon dhe as nuk i lëçit, që shqip do të thotë se ata, sipas tij, nuk kanë asnjë vlerë…Ndërsa i dyti, mësymësi i palodhur Berisha, nuk mënon që, duke u përmendur emrat, pra jo në përgjithësi, të etiketojë si “policë të Tahirit”, si “bashkëpunëtorë me krimin”, si “të shitur e të blerë” etj. etj., disa nga opinionbërësit më të zëshëm. Është e vërtetë e pamohueshme që të gjitha këto “lëvizje” nuk ushtrojnë ndonjë lloj ndikimi mbi opinionin publik, i cili “këtu e tatëpjetë, si ka qenë do të jetë”…Po atëherë, cili është qëllimi i kësaj mësymjeje agresive mbi gazetarët?
***
Ajo që fillimisht të shkon ndërmend teksa i dëgjon këto shpërthime të menopauzës politike është: të dy krerët, sipas traditës, dëshirojnë që kësisoj të nënshtrojnë, të trembin, të paralizojnë, të çfaktorizojnë në maksimum pushtetin mediatik, dukuri kjo e njohur për regjimet deledash si ky i yni, ku autoritarizmi, prej një çerek shekulli ka bërë ligjin në emër të demokracisë. Por ky lloj vështrimi gjithsesi mbetet sipërfaqësor e nuk e shpjegon dot thelbin e dukurisë. Në një kohë kur mosbesimi i popullit te drejtuesit politikë, të të dy krahëve, ka kapur kulmin, si dhe kur pushteti gjyqësor i ka humbur autoritetin dhe dinjitetin, përbaltja e disa emrave të gazetarisë nga krerët e politikës duket si një cicmic i radhës.
Vetëm se, nëse do të pranojmë si të mirëqenë rritjen e mosbesimit në nivelin më të lartë kritik mbi klasën e sotme politike (e cila, siç dihet, doli së fundi jo vetëm e korruptuar, por edhe aq e kriminalizuar, aq sa u detyrua të miratojë një ligj “specifik” për dekriminalizimin e vetes…), si dhe, nëse mosbesimi ka përfshirë edhe pushtetin gjyqësor, krerët jo pa qëllim po këmbëngulin që paraprakisht të delegjitimojnë edhe Fjalën, d.m.th. pushtetin mediatik, që qytetarët të mos kenë kujt t’i besojnë nesër kur të hyjë në fuqi reforma e drejtësisë, pra kur ligji të detyrohet të veprojë forcërisht, njëlloj mbi e për të gjithë, pa bërë dallim, kush është me pushtet e kush jo, kush është i kamur, e kush i varfër e pa “çadër politike” mbi kokë.
Sigurisht që kjo tendencë, për të trembur, korruptuar, klientelizuar e, më së fundi, edhe për të tredhur median, kryesisht nëpërmjet pronarëve të saj, nuk është një dukuri e re, as e panjohur. Ka pasur në të shkuarën e afërt shumë shembuj dramatikë të kameleonizimit, pse jo edhe të dhunës, deri në arrestim dhe në goditje me levë pas koke të gazetarëve të guximshëm. Sot nuk ndodh kështu. Sot të mëdhenjtë e politikëbërjes, kur nuk të blejnë dot, “të mbysin me jastëk”…E kur nuk e bëjnë dot as njërën as tjetrën, krijojnë klimën “përgjithësuese” e “gjithëpërfshirëse” sikur të gjitha pushtetet, dhe rrjedhimisht edhe përfaqësuesit e tyre, përfshi edhe median, janë njësoj të pistë e të destinuar për t’u mosbesuar. Kështu kanë vepruar me gjyqësorin, me të gjithë prokurorët e përgjithshëm, të cilët, pasi janë anatemuar e poshtëruar publikisht, janë shkarkuar.
E megjithatë, aktualisht opinioni ynë publik ka ndryshuar. Qytetari i sotëm nuk është më ai i viteve të para të pluralizmit, kur krerëve të rinj partiakë, gjyqësorit dhe shtypit të lirë i besonte symbyllur; kur linte radhën e qumështit dhe të bukës për të blerë një gazetë; kur sheshet e mitingjeve mbusheshin pa u bërë thirrje militantëve e pa qenë e nevojshme t’u paguaje një pesëqind lekësh të papunëve…Zhgënjimi, duke shkuar në ekstrem, në këto vite ia ka forcuar opinionit publik shqisën e gjykimit e të dyshimit vetjak, rrjedhimisht edhe mosbesimin, këtij mjeti vetëmbrojtës, aq sa një qytetar i zakontë tanimë e kupton kur një politikan e gënjen, e mashtron dhe shtiret sikur i ka duart të pastra. Jemi vend i vogël dhe askush, sado pasuri dhe pushtet të ketë, nuk mund të fshihet dot gjatë pas gishtit.
Por nëse reforma në drejtësi do të jetë ajo që pritet e dëshirohet, roli i medias dhe i Fjalës publike nuk do të jetë ky që është sot. Është thënë që vetëm një Drejtësi e reformuar mund të korrigjojë e mund të fusë në rrugë të mbarë klasën e sotme politike. Por kjo nuk mund të kryhet pa ndihmën e medias, d.m.th. pa një pushtet mediatik të lirë dhe influent. Nesër, pushteti i Fjalës nuk do të jetë kaq i dobët, i flashkët, i mospërfillur, i padëgjueshëm dhe i pavlerë për prokurorinë dhe për gjykatat, për politikën dhe politikëbërësit nga ç’është sot, kur hajdutët dhe të korruptuarit besojnë se mund të fshihen pas emrit të partisë…Përballë një gjyqësori përnjëmend të pavarur asnjë kryeministër e ministër nuk do të guxojë të deklarojë se nuk i lexon gazetat dhe nuk i ndjek ekranet, pasi Fjala e medias presupozohet të jenë burimi kryesor i proceseve gjyqësore. Kjo do të thotë, po të perifrazojmë një terminologji të përdorur në këta vjet, se akuzat dhe dosjet e deklaruara në shtyp nuk do të flenë më nëpër sirtarët e prokurorisë si ka ndodhur deri më sot.
Shkurt, kjo vetëkupton që frika e tyre për reformimin e gjyqësorit është aq e madhe sa i shtyn të delegjitimojnë paraprakisht edhe pushtetin e Fjalës. Po të dështojnë në sabotimin e reformës, si po ngulmojnë këto ditë, me lloj lloj sebepesh, do të synojnë të çfaktorizojnë fuqinë e Fjalës, sepse kjo do të jetë mundësia e vetme e tyre që nesër, po të vihen përballë gjyqësorit, të ngjajnë të pabesueshme akuzat e bëra nga media, meqë “janë të gjithë të lyer e të përlyer”…Kështu, sulmi ndaj disa gazetarëve, nuk ka lidhje me disa emra konkretë, por me nevojën e mëkatarëve të sotëm të politikës për të bërë pis të gjitha pushtetet. Kjo është, me sa duket, shpresa, shansi dhe mundësia e vetme për të dalë në mos të palagur, me më pak “plagë”…
"Gazeta Shqiptare"
Add new comment