Protesta e 8 dhjetorit dhe shpresa “Meta”
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Lulzim Basha premtoi se protesta e opozitës në 8 dhjetor do të ketë si rezultat rrëzimin e qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike, me objektivin e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme në pranverë.
Një objektiv i tillë ka kuptim kur ka indicie se shumica e zgjedhësve janë të prirur të votojnë opozitën në zgjedhjet e parakohshme. Por a ka të tilla indicie Basha që bëri deklaratën e mësipërme?
Nga një sondazh që bëra para 10 ditësh, më rezultonte se sot janë gati të votojnë për PD-në 70 mijë votues më shumë se sa votuan për të parvjet (nga 530 mijë parvjet, 600 mijë sot). Duke shtuar edhe 30 mijë votues që janë gati të votojnë për aleatët e vegjël që i kanë mbetur PD-së (PR, LZHK, etj.), bëhen gjithsej 630 mijë – rreth 200 mijë më pak se sa janë gati të votojnë sot për partitë e mazhorancës (PS, LSI, PDIU, etj.).
Sadoqë sondazhet nuk janë instrumente precize (me përkufizim kanë një marzh të caktuar gabimi statistikor), sondazhi i mësipërm nuk ka pse të jetë shumë larg sondazhit që duhet të ketë zhvilluar sondazhisti i Bashës. Mos të harrojmë se, jo më larg se para 5 muajsh, vetëm 670 mijë zgjedhës votuan për kryebashkiakë të opozitës, ndërsa për të mazhorancës votuan 840 mijë zgjedhes.
Numrat e mësipërm të bëjnë të mendosh se Basha po u premton përkrahësve rrëzimin e qeverisë dhe zgjedhjet e parakohshme, jo se është bazuar në një sondazh që tregon se opozita ka sot 1 milion votues të vendosur, por në llogari të tjera politike.
Gjë që na çon në Çorovodë.
Në kulmin e krizës së pashpallur mes Ramës e Metës, ky i fundit, nga Çorovoda, deklaroi se Doktori (e kishte fjalën për Berishën) e di mirë se “malsori” Meta kur thotë po, thotë po. Pas asaj deklarate, Basha dhe njerëzit e mediat pranë tij i ndërprenë sulmet e përditshme ndaj Metës dhe u fokusuan vetëm tek Rama dhe ministrat e tij. Duke e kulmuar atë fushatë me thirrjen e protestës së 8 dhjetorit, për rrëzimin e qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike, me objektivin e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme në pranverë.
Duket se Berisha e ka siguruar Bashën se, pas protestës së opozitës, Meta do të bëhet katalizator për shpërbërjen e qeverisë aktuale dhe ngritjen e një qeverie teknike, me objektiv përfundimtar krijimin e një koalicioni të ri pas zgjedhjeve të parakohshme. Sipas këtij skenari (në qoftë se materializohet), numrat mund të bëjnë kuptim, sepse LSI-ja e ka treguar në zgjedhje e në sondazhe se mbetet ende partia që mund të përcaktojë mazhorancën (qysh prej themelimit të saj, asnjëra prej dy partive të mëdha nuk ka arritur dot 50-përqindëshin pa LSI-në, sado parti të vogla të tjera të kenë mbledhur rreth vetes).
Nëse nga pikpamja e numrave mund të bëjë kuptim një skenar i tillë, nga ana morale, Basha e Brerisha do ta kenë të vështirë ta justifikojnë atë para përkrahësve të vet, sidomos atyre antikomunistë. Megjithatë, ata e kanë një precedent – 2009-ën…
Rreshtat e mësipërm bazohen në presupozimin se mesazhi që “malësori” skraparlli i dërgoi nga Çorovoda Doktorit “malësor” nuk ishte thjesht një manovër afatshkurtër e të parit. Në qoftë se ajo rezulton thjesht e tillë, premtimi i Bashës për rrëzimin e qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike, me objektivin e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme në pranverë, do të rezultojë thjesht një premtim i pambajtur…
E. Zaloshnja
Add new comment