“Tv Klan” i jep fund “karantinës”/Berisha kundër linjës së “kalamanit” Basha: Jo sistem zgjedhor me prim
Tashmë nuk është sekret: për disa çështje, Sali Berisha është i koordinuar me Ilir Metën dhe Lulzim Basha, deri diku me Edi Ramën. Aferat dhe akuzat e mëdha për momentin janë hedhur pas, për të dalë në një temë thelbësore dhe me rëndësi strategjike: sistemin zgjedhor. Hipokrizia dhe mohimi prej fëmije që kryeministri i bën informacionit se ai po përpiqet për një sistem me prim, nuk është marrë seriozisht dhe lëvizja që ka zënë fill që me aferën CEZ-DIA, po zbulon se skena politike aktuale është katërpolare. Ka disa të dhëna për këtë, sidomos për faktin se Sali Berisha, nëse nuk merr masa, nuk e ka të lehtë nesër të kontrollojë Lulzim Bashën. I cili ngjan shumë me Edi Ramën në një drejtim: nuk ia ka haberin kuptimit të fjalës Marrëveshje, apo Fjalë e dhënë. Vetëm sot ka një zhvillim jo pa rëndësi. Ilir Meta paralajmëroi Bashën dhe Ramën për sistemin zgjedhor dhe për Kushtetutën dhe Sali Berisha, në orët e pasdites njoftoi një intervistë në ABC NEWS. Me këtë rast, interesat kanë thyer edhe karantinën e Tv Klan për ish-kryeministrin që deklaroi në intervistën me Mirela Milorin se në krye të PD-së, ai do të kishte drejtuar një revolucion në një Shqipëri ku situata ekonomike është e papranueshme. Si dhe faktin se PD-ja duhet të zgjerojë aleancat, të heqë dorë nga ideja e primit për sistemin zgjedhor, por shtoi se një sistem me prim për koalicionet është i pranueshëm. Propozimi i Berishës për një PD- që zgjeron koalicionet është një derë e hapur për LSI-në, e cila nëse adopotohet si qëndrim zyrtar nga PD-ja do të thoshte presion i hapur për PS-në. Teksa shohim divergjencat në qëndrime mes Bashës e Berishës, qoftë edhe ndaj Tv Klan dhe pronarit të saj Aleksandër Frangaj, mund të nxjerrim një konkluzion se nga një pikëpamje, LSI-ja është një garanci më shumë për Berishën në aleancë me PD-në. Ishte Sali Berisha ai që në një intervistë për Top-Channel e mori në mbrojtje Lulzim Bashën pas zgjedhjeve lokale, por me aferën CEZ-DIA humori ka ndryshuar shumë. Përndryshe një ish-kryeministër si Sali Berisha që e ka zgjedhur vetë Lulzim Bashën në krye të PD-së, nuk do të pranonte të shkonte për intervistë në një televizion, që në të njëjtën ditë e ka cilësuar kryetarin zyrtar të opozitës si kalama. Pra e ka akuzuar me fjalët e Ilir Metës duke hapur derën për “burrin e duhur që synon revolucionin”. Edhe pse ky "revolucion" shkon krahas kompromisit më të papranueshëm: atij me LSI-në.
Çështja e sistemit me prim është me shumë rëndësi, pasi ai i jep të drejtën një partie që merr më shumë vota të krijojë qeveri. Kushte të tilla, që edhe për PD-në e Lulzim Bashën pritet të bëhen realitet maksimalisht edhe pas një mandati, e çojnë fituesin në njjë pozicion pa detyrime ndaj të tretëve. Kjo do të thotë likujdim i skemës së deritanishme që mbahet në këmbë nga Ilir Meta e Sali Berisha të lidhur shumë në katër vite qeverisjeje. Por ky lloj tjetërsimi në përfaqësim ndryshon edhe perspektivën, e cila bëhet kështu e paparashikueshme. Në lojë me Berishën janë edhe një sërë njerëzish të tjerë në PD, që kanë një përvojë konkrete të marrjes së një partie: kjo është përvoja e Edi Ramës që sot e ka PS-në hipotekë të pasfiduar, nëse e shohim me sytë e vitit 2005. Ndaj këto që deklaroi dje Sali Berisha do të provohen sesa peshojnë në ditët në vijim, nëse do të adoptohen apo jo si qëndrime zyrtare nga PD. Nëse po, atëherë edhe Edi Rama nuk ka shumë se çfarë të negociojë me një njeri si Basha, veçse nëse e mbështet me mjete të tjera që do të dëmtonin kundërshtarët e përbashkët të momentit.
Add new comment