Kotësia historike e shqiptarëve

Postuar në 21 Tetor, 2015 11:17
Ndriçim Kulla*

Disa studiues shqiptarë por edhe të huaj janë të mendimit se terreni ka pasur një rol vendimtar në formimin psikologjik të shqiptarëve, si për mirë, ashtu dhe për keq. Mehdi Frashëri, në librin e tij “Historia e Lashtë e Shqipërisë dhe e Shqiptarëve” thotë se fakti që pjesa më e madhe e shqiptarëve kanë qenë të detyruar për t’u mbrojtur nga armiqtë e jashtëm, si dhe nga bashkëkombësit me të cilët ishte në gjak brenda vendit që banonte në male ose në kodra, i veçuar, ka lënë gjurmë në formimin e tij psikologjik. Mehdi Frashëri i shikon të dyja anët e jetës së malit, atë të dobishme, për mbrojtjen nga të huajt dhe atë të dëmshme, për formimin e disa cilësive të këqija të karakterit shqiptar. Veçanërisht, Mehdi Frashëri thekson rolin e malit në formimin psikologjik të shqiptarëve. Sipas tij, jeta e veçuar në male, aq sa iu ka shërbyer shqiptarëve për t’u mbrojtur, aq edhe ka sjellë si pasojë që shqiptarët si komb të mos zhvillohen dhe të mos ecin në rrugën e qytetërimit dhe të shtetformimit, ashtu si kombet e tjera europiane. Mehdi Frashëri shkruan:

    Shqiptari, duke përfituar nga këto male, si dhe nga veriu ku janë Alpet e Shqipërisë, valëve që vinin së andejmi u qëndronte, por kjo gjë e shtrëngonte të rrinte gjithnjë me pushkë në dorë, për t’u ruajtur nga armiqtë e huaj. Kjo gjendje me pushkë në dorë, e ndalon një komb të merret me tregti, me letra, me mjeshtri dhe me arte, kjo gjë ka ndaluar zhvillimin e një ideali moral që është shpirti i një kombi për t’u bashkuar. Duke mos u bashkuar, s’ka pasur mundësi të formojë një shtet të bashkuar dhe me rregull. Herë pas here rreziku i përgjithshëm i ka shtrënguar të lidhin besë të gjitha fiset, gjithë vëllazëritë, por me t’u larguar rreziku, jeta vetjake ka marrë prapë revmen e saj.

Sa të drejtë ka Mehdi Frashëri në këto që thotë? Dikush mund të thotë se Mehdi Frashëri e ka tepruar këtu, por një gjë është e sigurt. Shqiptarët i kanë pasur këto veti negative që përmend ai këtu, dhe ato janë bërë vërtet pengesë për ta në rrugën e shtetformimit. Madje, Mehdi Frashëri nuk e shikon vetëm malin si nxitës të këtyre cilësive të këqija të karakterit shqiptar, por edhe kodrën, ku shpesh preferonin të banonin shumë nga shqiptarët që nuk jetonin në zonat malore të vendit. Ata i preferonin kodrat sepse aty mund të mbroheshin më mirë se në fusha nga armiqtë e tyre, si të huajt, ashtu edhe bashkëkombësit me të cilët kishin hasmëri. Mehdi Frashëri thotë:

    E ndenjura e shqiptarit majë një kodre, majë një mali e bën të mësohet i lirë, sa vete gjer në shkallë të anarkisë. Një njeri, që mësohet kësisoj në disiplinë, s’futet dot lehtazi; ep ç’i bën që pa këtë, një komb as qeveri, as ushtri të rregullt s’formon dot. Që sapo zbehen këto, një komb i bashkuar, i fortë, mezi formohet.  

Këto cilësi negative të shqiptarit nisën të bien në sy pas themelimit të shtetit shqiptar, kur shteti kërkoi të shtrinte sundimin e ligjit në të gjithë vendin. Dhe ndërsa shteti përpiqej të bënte këtë gjë, u vu re se pikërisht në zonat malore, por edhe ato kodrinore shteti u ndesh me vështirësitë më të mëdha, pasi njerëzit e këtyre zonave, veçanërisht ata të zonave malore, të mësuar me jetën e lirë dhe të rregulluar sipas së drejtës zakonore, nuk e pranonin nënshtrimin ndaj ligjeve të shtetit. Një tjetër studiues shqiptar, Mid’hat Frashëri ka arritur në përfundimin se dëmi më i madh që i ka bërë formimit psikologjik të njeriut shqiptar terreni malor i vendit ka qenë kotësia, të cilën ai e quan si të keqen më të madhe në karakterin e shqiptarëve. Në një ese me titull “Për të formuar karakterin” (1926), Mid’hat Frashëri shkruan:

Mjerisht gjejmë shpeshherë te shqiptari edhe një kotësi të marrë: fryhet si misëroku me erë dhe në rruzullim nuk sheh veçse veten e tij, madhërinë, fuqinë e rreme të tij. A pak zihje dhe vrasje kanë ndodhur për një fjalë, për një vështrim, për një të shkuar përpara, për një kalë ose jelek më të bukur? Se, kotësija i jep nakar njeriut, e bën që të mos durojë një tjatër më të mirë, më të ditur, më të pasur, më të nderuar. Kotësija është vesi, sëmundja më e përhapur në djemtë shqiptarë, ajo është fara prej së cilës do të dalin të metat dhe fajet e pastajmë. Kotësija e ngur zemrën, e ftoh shpirtin, e bën njerinë të ashpër dhe të egër, e largon nga shoqërija.  

Kotësia, apo vaniteti ka dhe është, me të vërtetë një cilësi negative e karakterit të shqiptarëve, megjithëse nuk mund të thuhet me siguri nëse kotësia është apo jo e meta më e madhe në karakterin e shqiptarëve. Nga kotësia e ka origjinën shpirti i aventurës për të cilin Faik Konica thotë se e kanë shqiptarët dhe që vihet re edhe sot në sjelljen e shqiptarëve  këtu në Shqipëri, në Kosovë dhe nëpër botë. Një tregues i kotësisë është fakti që shqiptarët, si në të kaluarën edhe sot i kanë pëlqyer shumë dekoratat, pavarësisht nëse i meritonin apo jo. Vetëm në Shqipëri ndodh që në nivel qendror dhe lokal jepet një numër i pafundmë titujsh nderi dhe dekoratash për njerëz të gjallë e të vdekur, për merita të sajuara. Gjithfarë mashtruesish nga bota, gjetën në Shqipëri një treg të madh, pas hapjes të vendit, për të shitur gjithfarë titujsh mashtrues, si përfshirjen e emrit të individëve në lista njerëzish të shquar të këtij apo atij universiteti ndërkombëtar etj., etj. Të gjitha këto e kanë origjinën te kotësia e shqiptarit, për të cilën flet Mid’hat Frashëri. Sipas tij, kotësia në karakterin e shqiptarit e ka origjinën te terreni:

    Kotësija rrjeth nga çukat e vendit tonë. Nga forma gjeografike e Shqipërisë, e formuar prej malesh, me pellgje të vegjël në të cilët jeton një popullsi e kufizuar, e ndarë nga njerëzia dhe bota e jashtme. Në atë, pellg, shqiptari nuk sheh përveçse veten e tij dhe kjo vetëvete i duket fort e madhe, tepër e çmuar. Populli ynë, të cilit nuk i mungon hollësi e gjykimit, ka një fjalë karakteristike për të cilësuar një njeri të fryrë me kotësi: është xhahil

Kjo tezë është hedhur rreth 90 vjet më parë dhe që nga ajo kohë e deri më sot duhet të kishim pasur studime të antropologëve, sociologëve etj., për të parë se cili ka qenë ndikimi i terrenit në formimin e njeriut shqiptar. Por këto lloj studimesh nuk i kemi akoma. Ky është një tregues se edhe profesorët e akademikët tanë, të cilët duhet të merreshin me këto studime në të vërtetë janë fryrë me kotësi duke marrë grada shkencore dhe tituj shkencorë dhe e kanë bërë veten që të quhen me atë fjalë për të cilën Mid’hat Frashëri thotë se populli përcakton ata që vuajnë nga kotësia: xhahilë! Mid’hat Frashëri, për ta shëruar shqiptarin nga kotësia jep si recetë këtë:

Në të vërtetë, në ka një të metë që shërohet me dituri, ajo është kotësija: jepi xhahilit një dritë, celi një horizont të gjerë, rrëfeji një model të njerësve të mëdhenj, të ditur, të virtutshëm: jepi të kuptojë se madhërija nuk është pse je (ose kujtohesh që je) i biri i akëcilit dhe “të mburresh me mendjen tënde”, “të matesh me hijen e mëngjesit”. Në i rrëfefsh modele të bukur dhe të mëdhenj, njerës të mirë prej karakteri, naltësi mendjeje dhe shpirti, me talent të shquar, atëherë vetja e tij do t’i duket e vogël, do të shfryhet prej kotësisë e dëmeve të saj.  

Por problemi është se ata njerëz që do të duhej ta krijonin këtë dije që do të luftonte kotësinë te shqiptarët, domethënë profesorët, akademikët, studiuesit, vuajnë vetë nga kotësia dhe nuk arrin të bëhen kultivues të mendimit shqiptar, sipas kërkesave të kohës, duke prodhuar “ilaçin” kundër kotësisë me studimet e tyre. Kështu që të sëmurit me kotësi, domethënë njeriut shqiptar nuk i mbetet tjetër alternativë veçse të kënaqet  me atë pak “ilaç” që ka dhënë ashtu kalimthi Mid’hat Frashëri 90 vjet më parë, i cili mendonte se vetëm sa po përmendte një sëmundje të shpirtit shqiptar, për të cilën, pas tij do të bëheshin studime të thelluara. Ne akoma dhe sot presim që studiuesit tanë, antropologët dhe sociologët, për aq sa kemi të tillë, të studiojnë thellë të udhëhequr nga konstatimi i Mid’hat Frashërit.  

*publicist, studiues

"Mapo"

Comments

Submitted by Albo (not verified) on

Nuk mundet te pershkruaj dot KOTESINE e ketij artikulli! Tiparet e pershkruara te shqiptarit jane te NJEJTA me tiparet qe mundet te pershkruash per cdo popullate ne glob! Ideja se jemi ndryshe, te keqinj, apo te pashpirt eshte nje ndjenje idiote inferioriteti nga njerez te pashkolle, te ceket, e te padale, negativiste qe i japin vetes te drejten e percaktimit te aneve negative te karakterit te bashkombasve te tyre. Cdo gje qe pershkrove per shqipot more autor, mundet ti thoje per gjermanet, zviceranet, indionet e amerikes, apo kurdet. Shqipot thjesht kane jetuar ne nje vend te ngrohte mesdhetar, por me male ku ata venin per tu mbrojtur, kufitar midis lindjes dhe perendimit, ku mjaft luftra kane ndodhur, dhe shume perandori kane kaluar. U siguroj zoterinj, se nuk jemi as me te mire e as me te keqinj se gjithe popullata e globit! Nqs ka nje kotesi, eshte ky shkrim! Kjo gazete ka demtuar imazhin e saj me nje botim te tille.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.