Shkërdhatokracia
Nuk është fare mosvlerësimi i dëshirës së mirë për zbutje konflikti por raporti me të vërtetën dhe të drejtën dhe këmbëngulja për to, ajo që më shtyj të kritikoj ato çka, pak ditë më parë, tha për disa politikanë kryesorë shqiptarë, Dritëro Agolli, shkrimtari ynë i motshëm dhe i shquar. Mund, në shenjë respekti, edhe të heshtja ndërsa jo pak ta sugjeronin me “argumente” nga më të ndryshme.
Si për shembull: Hë mos se Dritëroi do që të zbusë pak këto bishat e politikës dhe të ndjellë paqen! Ose dikush tjetër: Lëre fare, mos u merr me të se tashmë ka rrjedhur! I pari, ka shumë të ngjarë të jetë i vërtetë. Por është i kritikueshëm si iluzion. Sepse as e mira, as paqja nuk arrihen duke ju bërë elozhe politikanëve të këqinj ose duke ju thënë “peqe”!
Tjetri është një fyerje, në bindjen time, e papranueshme për shkrimtarin e shquar. Ndaj përballë kësaj avokatie të heshtjes, ku iluzioni konkurron me ofendimin, unë preferoj kritikën. Si më të denjë ndaj një emri që pa asnjë dyshim, ka qenë dhe mbetet heroi, shkrimtari i dashur i gjeneratës që i përkas.
Dhe kritika ime modeste, e ndodhur përballë kultit të poetit të dashur për të gjithë, nuk mund të gjejë strehë morale veç në thënien e Aristotelit: E dua mësuesin Platon por më shumë dua të vërtetën!
***
Ato që Agolli deklaroi lidhur me Sali Berishën, Lulzim Bashën dhe Edi Ramën janë një tjetër ilustrim i asaj sëmundjeje të neveritshme që ka infektuar gjerësisht dhe elitisht në këto 25 vjet shoqërinë shqiptare. Dhe diagnostikuesi i parë i saj ka qenë Dritëroi, dora vetë. E ka quajtur shkërdhatokraci!
Ajo prek jo pak edhe intelektualët sa herë bëhet fjalë që ata të shprehen për politikën dhe politikanët. Thelbi i saj është shkarja nga e vërteta, dredhja e gjuhës edhe pse pohimi i sotëm, mund të jetë krejt në kundërshtim me atë të djeshmin bërë nga e njëjta gjuhë. Dhe kjo mungesë integriteti, racionalizohet pra, justifikohet herë si “politikë”, herë si “takt” a “maturi” dhe herë si reflektim i ndryshimeve të situatave apo liderëve që, në fakt, kanë 25 vjet që nuk ndryshojnë. Si vetë politika konfliktuale shqiptare.
Shkërdhatokracia, sipas rastit, shpreh ose përkulje të njerëzve përballë politikës dhe politikanëve që, ç’është e vërteta, ruajnë aq shumë pushtet mbi jetët e njerëzve sa konkurrojnë edhe me fatin, ose një mungesë integriteti që shfaqet si lodhje, si braktisje, madje kundërshtim i të vërtetave që t’i ke mbrojtur me zell të zjarrtë dikur por, rrjedhimisht, edhe si përbuzje dhe arrogancë ndaj masës që duhet të besojë verbërisht çfarëdo që i thuhet nga mendjet e shquara që nuk janë “masë”.
***
Berisha një lexues tepër i përkushtuar dhe një politikan impulsiv që ja ka dalë falë këmbënguljes? Po kujt i duhen këto mburrje, kjo “etikë” servile për politikanin më problematik të tranzicionit? Aq më pak në gojën e një poeti si Dritëroi! Nëse Saliu qenka lexues kaq i përkushtuar, megjithëse nuk e rrezaton as në fjalë as në vepër, kjo është një tjetër provë se sa pak ndikon për korrektim kultura në një karakter të keq, nekrofil apo desktruktiv. Dhe paska vetëm një mëkat të pafalshëm: s’paska bërë spitale luksoze dhe nuk i paska dhënë shumë prioritet arsimit!
Dhe kush i thotë këto?
Patriarku i socialistëve që në vitin e mbrapshtë ’97, një kob që Shqipëria e vuajti pikërisht falë “këmbënguljes” së Saliut “për t’ia dalë” pra, për të qëndruar me çdo kusht në pushtet, deklaronte: “Kur Sali Berisha, të bjerë nga froni, 8 milionë shqiptarë do ta dënojnë më shumë se çdo diktator dhe vetëm atëherë Shqipërisë do t’i buzëqeshë paqja”.
Pse i thoshte Dritëroi këto? Sepse Berisha jo vetëm kish qeverisur si një autokrat i korruptuar, por edhe kur korrupsioni si tolerim i piramidave financiare ju kthye si një bumerang, preferoi sakrifikimin e shtetit deri në një luftë civile “këmbëngulëse” për pushtetin. E vërteta mbi intrigat e Berishës qe aq evidente, sa lexohej qartë deri edhe përtej oqeanit. Aq sa edhe “New York Times” në ato ditë të zeza të marsit ’97 shkruante (mos thoni se qe vënë në shërbim të socialkomunistëve) se: “Duke aplikuar taktika mbijetese të nxjerra direkt nga një skenar marksist-leninist presidenti Sali Berisha duhet ta ketë krijuar vetë kaosin në kryeqytet…Deri tani me një kosto shumë të lartë për vendin e tij strategjia e Berishës ka ecur”.
Pra, siç thotë Dritëroi, ja kishte dalë.
***
Që nga ajo kohë ka rrjedhur jo pak ujë. Shumë gjera kanë ndryshuar. Madje Berisha ra edhe nga pushteti sepse shumica e shqiptarëve e kundërvotuan si një diktator. Por Shqipërisë nuk i ka buzëqeshur ende paqja. Ndryshe Dritëroi nuk do rrekej të këshillonte paqe. Përse kështu? Sepse Berisha, tamam si shprehet me admirim Dritëroi, vazhdon të këmbëngulë “që t’ia dalë”, vazhdon me këmbëngulje luftën e tij për pushtet. Dhe mjerisht ja ka dalë. Siç thotë poeti.
Ja ka dalë t’ja ngrijë buzëqeshjen Shqipërisë, ta mbajë peng në kthetrat e një konflikti përçarës. Është larguar nga pushteti por mban në kthetra shtetin. Dritëroi ka një kult të madh. Është i vetmi kult i shëndetshëm, i pranueshëm, frymëzues për lirinë dhe jo mbytës për të. Është kulti i artistit, poetit të shquar.
Është e pafalshme që ky kult të vihet në shërbim të një kulti të keq, si ai i politikanit autokrat Berisha. Do qe një aleancë e tmerrshme në sajë të të cilit, adhurimi i sinqertë për artistin dhe artin, do vihej në shërbim të arrivizmit më të zi politik.
***
Nga buis kjo molisje, kjo dobësi për t’i mohuar të vërtetat e djeshme që e kemi parë edhe te jo pak të tjerë? Dhe jo për t’i harruar, kjo do qe e keqja më e vogël, por për t’i hedhur poshtë të vërtetat me gënjeshtra të reja?
Për shembull, Arben Imami, deklaronte dikur se “PD mbështetet në kriminelë, hajdutë, të inkriminuarit e diktaturës së djeshme, por edhe ata të rregjimit të sotshëm”. Por kjo nuk e pengoi të bëhej ministër i Berishës.
I ndjeri, Gramoz Pashko, siç raportua këto ditë në media, i paska thënë ca të vërteta për antidemokratizmin e Berishës, qysh në vitin 1992. Mjerisht, këto të vërteta nuk e penguan që në 2005, t’i jepte një dorë Berishës për t’u rikthyer në pushtet duke u bashkuar me gënjeshtrën e radhës se “Berisha ka ndryshuar”.
Neritan Ceka, Kastriot Islami dhe jo pak të tjerë, çfarë nuk kanë thënë kundër Berishës, dhe sot janë me të! Mos vallë ka ndryshuar Berisha dhe ne, që këmbëngulim në kritikën ndaj tij, e kemi gabim? Të paktën të na i thonë faktet e ndryshimit. Për shembull, të na rrëfejë Dritëroi ato fakte të mirësive të Berishës që e kanë bërë të shohë sot tek ai jo më diktatorin, që shqiptarët mezi prisnin ta rrëzonin që paqja të buzëqeshte.
Personalisht, që nga viti ’97 e këtej, shoh vetëm një politikan autokrat që në opozitë ndjek (me këmbëngulje që jo vetëm nuk mund ta admiroj por nuk mund të mos e urrej) një taktikë destruktive dhe në pushtet një qeverisje despotike dhe të korruptuar, që ka në bilancin e saj më të fundit, korrupsione qindramilionëshe si ai i rrugës Durrës-Kukës, të përgjakshme si ai i Gërdecit dhe krimin e vrasjes e plagosjes së protestuesve në një masakër (është realisht masakër) si ajo e 21 janarit!
Një politikan që luksoze ka bërë vetëm jetën e vet, të familjes dhe rrethit të korruptuar të lakejve.
***
Pastaj ato të tjerat, për Lulzim Bashën, janë ca të pavërteta që nuk mund të të mos sekëlldisin. Pikërisht se i thotë Dritëroi, jo ndonjë nga lakejtë e berishizmit. Sepse Lulzim Basha është projekti kukull i vazhdimësisë së berishizmit në PD dhe në politikën shqiptare. Një lloj litari i lënë jashtë…
Dhe i paska pëlqyer Dritëroit lëshimi i stafetës në bashki! Po ç’kishte për të pëlqyer në faktin që Lul Basha as nuk pati etikën institucionale për ta pritur në zyrë fituesin si në çdo vend ku pushteti ndërrohet me votë? Ajo që Basha bëri është një zgjatim i harbutërisë konfliktuale që ka karakterizuar politikën shqiptare këto dy dekada e kusur dhe kjo, nuk është fare mënyra sesi të rinjtë duhet të kontribuojnë “për të mirën e vendit” sikundër edhe Dritëroi këshillon.
Dritëroi pohon se e ka uruar Bashën kur fitoi në zgjedhjet e vitit 2011 edhe pse socialistët u mërzitën për deklaratën e tij. Dhe shton se ai si shkrimtar ka detyrë të mbështesë të rinjtë të futen në politikë. Por puna është se jo pak të rinj, nuk hyjnë në politikë për të konkurruar të vjetrit dhe të vjetrën por futen në politikë nga të vjetrit për t’i shërbyer të vjetrës.
Dhe Basha është rasti tipik i të riut të katapultuar nga Berisha, deri edhe me manipulimin e zgjedhjeve për kryetarin e PD. Prandaj, përkundër asaj që thotë Dritëroi, ai nuk ka as edhe një ide të vetën. Prandaj ka vetëm këmbënguljen për t’i qëndruar ideve të Berishës. Prandaj jo vetëm nuk do bashkëpunojë me qeverinë, sikundër e këshillon Dritëroi, por do konfliktohet shumë shpejt me të. Dhe qenka i kulturuar?!
Një politikan që me copë letre përpara, e lexon emrin e shkrimtarit Orhan Pamuk – Orhan Pambuk, vetëm me librin nuk ka lidhje. Me letërsinë jo e jo!
***
E gjithë kjo, më vjen keq ta them, bie erë shkërdhatokraci. T’i bësh qejfin njerëzve me pushtet. Prandaj ata socialistët u mërzitën me Dritëroin kur, në 2011, uroi Bashën për fitoren. Nga se po bënte kinse një “politikë” për të mirën e vendit, për paqen, por që shkelte mbi të vërtetën. Dhe e mira e vendit nuk themelohet mbi gënjeshtrën.
Sepse të thuash që Luli fitoi në 2011, është gënjeshtër. Odiseja e rivlerësimit të votave të hedhura gabim, ka hyrë në analet e politikës si rasti më flagrant i uzurpimit të pushtetit me anë të një proceduralizmi antidemokratik dhe kapjes së institucioneve si KQZ e Kolegji Zgjedhor. Provë? Po a ka më provë se Arben Ristani, ish kreu i “pavarur” i KQZ, që sot është bërë një nga kamikazët e Berishës?
***
Pastaj ato të tjerat janë moralizime pa bukë dhe fare pa sens. Për shembull, “duhet të heqim dorë nga inatet dhe ndarjet politike”. Shumëkush këtë mund ta marrë si të heqim dorë nga pluralizmi, të mos jemi më të ndarë politikisht, një si biçim monizmi pa ndarje dhe inate.
Edhe kjo: “është koha të ulim tonet”! E pse qenka pikërisht sot koha për një gjë të tillë dhe nuk paska qenë në asnjë prej 25 vjetëve të tranzicionit? Edhe kjo tjetra: Do kishim ecur më shumë nëse (politikanët) s’do kishin parë interesin personal! Mos vallë duhet t’ kthehem parullës së vjetër “të vëmë interesin e përgjithshëm mbi atë personal”? Ligjërimi është jashtë mode. E keqja nuk është se politikanët tanë ndjekin interesa personale.
E keqja është se ata ndjekin lakmi, epshe, gjakime korruptive që bien ndesh jo vetëm me interesin publik por edhe me interesat personale të miliona shqiptarëve. Janë gjakime që kanë privuar shqiptarët në lirinë e tyre për të ndjekur interesa personale. Shteti ligjor është sistemi i lirisë së kënaqjes së interesave personale që nuk mund të mos jenë në harmoni me interesin publik. Diktaturat janë ato që sakrifikojnë interesin personal në altarin e “interesit publik”. Dhe shoqëritë e korruptuara si kjo e jona.
***
Po mirë mund të thotë dikush, Dritëroi po mburr ata që nuk janë më në pushtet, ku është shkërdhatokracia këtu? Së pari, në Shqipëri, nuk është e thënë të jesh pa pushtet edhe kur nuk je në pushtet. Së dyti, ka thënë jo pak edhe për Edi Ramën. E mburr për kulturën, për reformat, për frymëzimin (Uh!) që ai po sillka.
Ç’duhen këto mburrje për kryeministrin nga figura të shquara si Dritëroi? Nuk mjaftojnë servilizmat e lakejve që i rrethojnë dhe që çdo pushtet i ka me bollëk? Sa për ilustrim, në një inaugurim të paradokohshëm, “ma solli në fyt” një nëpunëse e Kryeministrisë, Falma Fshazi, me mburrjet për shefin e saj Ramën në prezencë të Ramës. Nuk e di nëse vetë Rama është sëkëlldisur. Të paktën, shpresoj.
Dhe pastaj, një meritë e Ramës qenka se po përpiqet “ta bëjë shtetin të kontrollueshëm”. Ruajna zot nga liderët që arrijnë të kontrollojnë shtetin! Sepse shteti jemi ne, qytetarët e tij dhe institucionet e pavarura. Ky është shteti që duhet të kontrollojë, në radhë të parë kryeministrat. Ajo që duhet të bëjë kryeministri është ta drejtojë qeverinë që t’i shërbejë shtetit, qytetarëve dhe, në bashkëpunim me institucionet dhe qytetarët, t’i pengojë të vjedhin paratë e shtetit.
Nuk ka asnjë dyshim se një pjesë e këtyre mesazheve vijnë nga një terminologji politike natyrshëm e pasaktë për një shkrimtar qoftë edhe të madh si Dritëroi Agolli që s’para merret me këto punë. Por skam dyshim që një pjesë vjen edhe nga virusi i dinakërisë shkërdhatokratike që duket se të pushton ashtu siç të pushton pleqëria dhe që Dritëroi e ka vargëzuar aq mjeshtërisht:
Ngadalë, pa kuptuar, pa zile, pa këmborë… / dhe nuk e ndjen tek avitet qafiren plakë / se nuk kërcasin nallanet në sokakë!
"Dita"
Comments
Shkërdhatokomunisti flet per
Shkërdhatokomunisti flet per Shkërdhatokracine.
Add new comment