Media në mllefin e politikës
A doni t’í numërojmë kusuret e gazetarëve dhe të medias në përgjithësi? Gjen sa të duash, nuk është nevoja për shifra besoj. Megjithatë motoja: “të gjithë e duan median, të gjithë e shajnë median”, i zotëron të gjithë, njerëzit publik dhe ata fare anonim. E kështu do të vazhdojë ngaherë, përderisa vetë misioni i saj është të lajmërojë e të jetë në opozitë të përhershme. Por media më Shqipëri ka dhe një specifikë më të përparuar se shumë vende të tjera të Europës, gjithmonë merr një faturë nga politika, sidomos në raste krizash apo kur punët ecin ibret.
Besoj se një hyrje të tillë e gjen në shumë shkrime a opinione kolegësh, e ma do mendja s’kam thënë ndonjë gjë të pathënë, në mos po, kam bërë thjesht një “plagjiaturë”. Por gjithsesi për t’i ardhur problemit në qendër duhet të biesh ndonjëherë edhe nga “unaza” e madhe. E që ta shkoqis muhabetin, dua të them se ditët e fundit më kanë tërhequr vëmendjen deklaratat e dy politikanëve nga më kryesorët në Shqipëri, një kryeministër në fuqi e tjetri ish-kryeministër. Të dy e kanë me median; e zbrazin nganjëherë mllefin kur ajo nuk u vjen pas avazit. Por nuk është hera e parë që e bëjnë kështu. E duan me vrap kur është fjala për të prerë ndonjë shirit inaugurimi, kur duan të thyejnë ndonjë rekord personal noti, kur duan të bëjnë fushatë elektorale për të fituar vota, por dhe kur ndreqin ndonjë tullë tek ndonjë vepër publike. Por po të thuash se “në fasadën e kryeministrisë ka një strehë me drita që nuk shkon” mllefi zbrazet sërish.
Që media të sulmojë nga njëra anë dhe të bëhet vetë epiqendra e sulmit nga të tjerët, kjo është një gjë që duhet të funksionojë rëndom në një shoqëri demokratike. Padyshim që për “X” interesa çdo media në botë prodhon (apo thënë ndryshe fabrikon) lajme të paqena. Prandaj janë dhe gjykatat. Ato vendosin kush ka të drejtë, nëse puna shkon deri aty. Por në vendin tonë, ajo që kërkon të ndodhë rëndom është që këtë “makineri propagandistike” siç kërkon ta cilësojë kryeministri aktual Edi Rama, duan ta vënë me çdo kusht në shërbim të politikës. Me ç’kuptoj, ky pozicioni i ushtrimit të detyrës së kryeministrit, në të njëjtën zyrë ku ka drejtuar për 45 vjet dhe Enver Hoxha, Mehmet Shehu e në fund Adil Çarçani, i bëjnë kryeministrat të kthehen në kohë e të huazojë ca nga fjalori i diktaturës.
Në një intervistë për gazetën “Dita”, Rama merret jo pak me median, duke cituar mes të tjerave: “Unë respektoj pa kushte qoftë të drejtën e komentatorëve për të thënë çfarë të duan, qoftë të drejtën e botuesve e të redaktorëve për t’u sjellë me publikun si të duan. Por askush ama nuk ma heq dot mua të drejtën që të kem opinionin tim për median e komentatorët, dhe ta shpreh këtë me zë të lartë kur e shoh të arsyeshme! Më anë tjetër, unë nuk besoj se qeveria duhet të komentojë lajmet që jepni ju, apo të përgënjeshtrojë informacionet e rreme që prodhon përditë tezga e tregut mediatik... Mbase do të kishin të drejtë po të nxirrnin pas 23 qershorit 2013, qoftë edhe një faturë të vetme reklamash qeveritare - nga ato që qeveria e shkuar i kishte kapicë, - për të lyer rrotën e montuar të makinerisë së saj propagandistike në ndonjë makineri mediatike private”. Nuk do shumë për të kuptuar mllefin ndaj medias të një njeriu që është prodhuar si politikan pikërisht prej saj. Tërhiq e mos e këput. Thotë ca fjalë të mira e të përgjithshme në fillim, dhe në fund: helmi. Por kryeministri duhet ta kuptojë mirë, që nëse plani në tatime e dogana nuk arrin të realizohet e buxhetit i hapet një gropë e madhe, fajin për këtë nuk e ka media, të jetë i sigurtë. Dhe unë për veten time kaq lexova nga kjo intervistë, se më poshtë kisha përshtypjen që do flitej për arritje e suksese të qeverisë apo realizim planesh 5-vjeçare, që çështë e vërtetë më sjellin në mend dhe një film të studios së Pekinit “Nga fitorja në fitore”.
Nga ana tjetër, ish-kryeministri Berisha, njeri karizmatik e fort mediatik, gjithashtu i përdor të dyja anët e medaljes, kur i intereson ajo që thuhet në media dhe nuk i intereson. Për së fundi, në faqen e tij në facebook shprehet për një ditë të zezë, apo siç mund ta citoj: “një rekord i zi në historinë e mediave tona të shkruara”. Çështë kjo ditë e zezë, ditë e qametit? U merrova mor amani se thashë, ka ndodhur gjëma e jam i fundit që e marr vesh. Më pas vjen shpjegimi: Sepse disa prej tyre kanë censuruar, pra nuk kanë transmetuar një lajm që atij i interesonte të kishte një përhapje sa më të gjerë. Megjithatë, nuk di kush i ka mbushur mendjen Berishës se një lajm duhet doemos të kalojë nëpër faqet e të gjitha gazetave apo portaleve online.
Por tjetërkund çalon puna. Të ankohesh për profesionalizmin e medias është një e drejtë themelore. Se, kush është ai bu“rr”ë që e ka ndaluar një gjë të tillë? E në këtë linjë nuk ka lënë njeri pa u çjerrë, pa sharë e pa denoncuar fakte nga puna e dobët dhe jo profesionale e gazetarëve. Por të gjithë këta, politikanë apo jo të tillë, (ç’rëndësi ka), më pak e dinë se sa profesionale është puna e tyre, sa realizojnë nga ato që premtojnë... etj.
Për ta mbyllur, sërish do të shkruaj diçka fare të zakonshme apo pse jo të bëj një “plagjiaturë” të dytë, për të thënë se, në kontekstin e përgjithshëm, media është në shërbim të publikut, të informojë dhe të kritikojë për gjithçka nuk ecën mirë në një shoqëri të emancipuar apo në emancipim e sipër. Por në fakt, në një ekonomi të hapur, ku tregu vendos për gjithçka, asaj i duhet të prodhojë dhe lajmet që i shiten, pra në këtë mënyrë ajo vihet dhe në shërbim të vetes, natyrisht.
Leonard Veizi
Add new comment