Blloku Bota
Drejt marrëveshjes mes sauditëve dhe jemenitëve Huthi të mbështetur nga Irani
Marrëveshja Arabi Saudite – Iran, e ndërmjetësuar nga Kina, ka dhënë reflekser e para në terren. Media të ndryshme raportojnë një takim mes një delegacioni saudit dhe një përfaqësie të grupit Huthi në Jemen, i mbështetur nga Irani. Takimi është zhvilluar në kryeqytetin jemenit, Sanaa dhe aty kanë qenë të pranishëm edhe ndërmjetës nga Omani.
Macron hedh grepat në mundësinë ekonomike kineze për Europën
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar për rrezikun strategjik që i vjen Europës nga shndërrimi eventual i saj i një “dishepulli” të Amerikës në konfrontimet e kësaj të fundit me Kinën. Gjatë një interviste të dhënë në avionin presidencial francez – stil alla amerikana ky - në rrugën e kthimit nga Kina, Macron ka ritheksuar konceptin e “autonomisë strategjike” për Europën nën drejtimin e Francës, me ambicien e shndërrimit në një superfuqi e tretë.
Ndryshim humori në marrëdhëniet greko-turke pas tërmetit
Ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Panagiotopoulos ka folur për një ndryshim humori në marrëdhëniet mes Greqisë dhe Turqisë, kushtëzuar apo shkaktuar kryesisht nga tërmeti i fundit. Ai ka folur në Kavalla dhe ka vënë në dukje vizitën e tij në zonën e goditur nga tërmeti në Hatay, në prani të homologut turk, Hulusi Akar.
Shpresoj që Turqia dhe Greqi, dy vende të qytetëruara mund të zgjidhin problemet brenda kuadrit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë…përmes mjeteve të paqes dhe respekti reciprok
Rrjedhja e materialeve sekrete të Pentagonit, Departamenti i Drejtësisë nis hetimet
Në rrjetet sociale kanë dalë disa dokumente ushtarake që interpretohen se kanë të bëjnë me ndihmën amerikane për atë që Rusia e quan ofensivë të pranverës. Harta, dokumente, vlerësime ushtarake për pozicionet dhe saktësinë e qitjeve, manë disa nga të dhënat që sipas mediave amerikane rezultojnë të jenë origjinale dhe të vërteta.
Në këtë kuadër Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka nisur hetimet për të gjetur burimin e rrjedhjes që përmban dokumente sekrete. Më herët autoritetet ukrainase i cilësuan materialet si false.
"Tregtari i vdekjes", Viktor Bout, thirrje Trump: Ik nga SHBA se do të të vrasin!
Mediat në Rusi kanë publikuar një thirrje të pazakontë të bërë nga tregtari rus i armëve, Viktor Bout drejtuar ish-presidentit amerikan Donald Trump. Përmes një mesazhi në “Telegram” dërguar Trump, Bout, i dalë nga burgu vitin e shkuar në kuadër të një shkëmbi të burgosurish mes Rusisë dhe SHBA-ve, ka paralajmëruar Trump se jeta e tij është në rrezik.
Administrata Biden nuk do të ndalet vetëm duke ju hedhur në kompleksin industrial penitenciar. Ata do ju vrasin herë apo vonë përpara se të lejojnë që ju t’u dilni para
Aksion europian ndaj legjislacionit të Hungarisë kundër LGBTQI
Franca dhe Gjermania i janë bashkuar disa vendeve të tjera anëtare të BE-së në aksionin kundër Hungarisë për miratimin e legjislacionit kundër LGBTQI.
Lëvizja demonstron se ne qëndrojmë në krah të komunitetit LGBTQI. Vlerat e përbashkëta të BE-së janë ADN-ja për shoqërinë tonë të hapur dhe të lirë. Diversiteti është forca jonë
është shprehur Ministria e Jashtme e Gjermanisë.
E pezulluar se u mësoi nxënësve të luten, debat në Itali për mësuesen nga Sardenja
Rasti i një mësueseje italiane, e cila u pezullua nga puna për 20 ditë, pasi u mësoi nxënësve të luteshin, ka hapur debat. Marisa Francescangeli, 58 vjeç, mësuese shkollën fillore të Nuoros, në provincën e Oristanos, ndërsa zëvendësonte një kolege, u kërkoi nxënësve të klasës së tretë të recitonin dy lutje.
Ankesa e dy prindërve për këtë kërkesë u pasua nga vendimi i drejtorit të shkollës për ta pezulluar atë për 20 ditë, pa të drejtë page.
Akuza për miratimin e vaksinës Pfizer
Kreu Forcës së Mbrojtjes Radioaktive dhe Kimike të Rusisë, Igor Kirillov ka deklaruar se vaksina Pfizer, zhvilluar dhe miratuar si masë kundër Sars-CoV-2 ka efekte anësore serioze për sistemin kardiovaskular.
I cituar nga agjencia e lajmeve “Tass”, Kirillov ka shtuar përfaqësues të Pfizer i njihnin rreziqet e vaksinës dhe miratimi I saj erdhi pas një marrëveshjeje të fshehtë me zyrtarë të administratës amerikane. Sipas tij, është kjo arsyeja pse zyrtarë të caktuar morën pozicione drejtuese në kompanitë farmaceutike më vonë.
Pensionet i rritëm, tani Francës i duhet një periudhë shërimi
Kryeministrja franceze sugjeron një “periudhë shërimi” për vendin, pas javësh të tëra protestash të dhunshme kundër rritjes së moshës së pensionit. Megjithatë, Elisabeth Borne nuk e ka një strategji se si mund të dilet nga trazirat politike.
Protestat, të cilat filluan si një lëvizje e udhëhequr nga sindikatat kundër reformës së kontestuar të pensioneve, kanë bërë bashkë zemërimin ndaj Macron-it, pasi ai shmangu votimin e ligjit në Parlament.
Lavrov: Rusia mund të heqë dorë nga marrëveshja e grurit
Rusia mund të tërhiqet nga marrëveshja që zhbllokoi eksportet e grurit nga portet e Ukrainës, nëpërmjet një korridori të sigurt në Detin e Zi, nëse nuk lejohet eksportimi i produkteve ruse.
"Nëse nuk ka përparim pozitiv në heqjen e barrierave për eksportet ruse të grurit dhe plehërave fertilizues, ne do të vlerësojmë nëse kjo është një marrëveshje e nevojshme", tha ministri i Jashtëm rus, Serghei Lavrov, gjatë një konference të përbashkët shtypi me homologun turk, Mevlut Cavusoglu, në Ankara.