E pezulluar se u mësoi nxënësve të luten, debat në Itali për mësuesen nga Sardenja
Rasti i një mësueseje italiane, e cila u pezullua nga puna për 20 ditë, pasi u mësoi nxënësve të luteshin, ka hapur debat. Marisa Francescangeli, 58 vjeç, mësuese shkollën fillore të Nuoros, në provincën e Oristanos, ndërsa zëvendësonte një kolege, u kërkoi nxënësve të klasës së tretë të recitonin dy lutje.
Ankesa e dy prindërve për këtë kërkesë u pasua nga vendimi i drejtorit të shkollës për ta pezulluar atë për 20 ditë, pa të drejtë page.
Debati lidhet me faktin se shkolla italiane është laike dhe edukimi fetar është detyrë e familjeve apo institucioneve fetare, jo e shtetit.
Çështja ka përfunduar në tryezën e ministrit të Arsimit dhe Meritës, Giuseppe Valditara. Deputetë të së djathtës denoncojnë atë që e quajnë “intolerancë ndaj fesë katolike” dhe “fondamentalizëm laik”.
Ndërkohë, një analizë e shkurtër e profileve të saj sociale, tregon se mësuesja është një katolike e devotshme. Për shembull, në shkurt, Francescangeli publikoi një postim për të iniciuar një peticion kundër pranisë së Rosa Chemical në Festivalin e Sanremos dhe «propagandës gjinore dhe seksuale». “Është e turpshme që një transmetues kombëtar si RAI mund të propozojë gjëra të turpshme dhe mosrespektuese për të gjithë qytetarët, veçanërisht për fëmijët. Ne flasim për mbrojtjen e fëmijëve tanë”, ka shkruar ajo, “dhe në vend të kësaj përmes televizorit, gjërat më poshtëruese na propozohen si gjëra normale”.
Francescangeli e ka apeluar në gjykatë vendimin për pezullimin. Ndërkohë në lidhje me ngjarjen që çoi në këtë vendim, ajo ka sqaruar në një intervistë për Corriere della Sera:
Të gjithë nxënësit në klasat e mia janë katolikë, nuk ka myslimanë. Nuk mendoja se kisha fyer apo cenuar ndërgjegjen apo ndjeshmërinë e dikujt. Unë jap mësim në klasën e tretë. Më 22 dhjetor mungoi një koleg dhe unë duhej ta zëvendësoja për një orë. Pak para kësaj, me fëmijët e klasës së katërt kishim bërë një rruzare të vogël me rruaza. Nxënësit ishin të gjithë të kënaqur. Para se të dilnim, recituam "Pater" dhe "Ave Maria".
Add new comment