Si mund të të gënjejnë 70 vjet rresht në Rrangallostan?

Postuar në 04 Mars, 2025 20:40
Skerdilajd Zaimi

 

Në një kronikë për “radhët e gjata për pensionet” mund të shihet për të kushedisa të miliontën herë ankesa e pensionistëve në Shqipëri se mezi shtyjnë muajin. Se janë në prag të vdekjes nga uria apo mungesat dhe se qeveria nuk mendon. 

Ankesa e pensionistëve është një konstante e tranzicionit tonë, apo edhe shoqërisë. Një herë motit thoshin se “këta të rinjtë nuk duan të dinë”. Prej 34 vjetësh “qeveria nuk do të dijë” dhe “mirë që kemi fëmijët”.

Pensionistët e sotshëm kanë qenë 40 vjeç në vitin 1991. Megjithatë është e habitshme sesi halli nuk ndryshoi kurrë. Përherë në zgrip të ekzistencës, përherë nuk blejnë dot fruta, mishin, djathin, perimet. Mezi u del për ilaçet e kështu me radhë. Të bëhet koka daulle, edhe pse realiteti është disi më ndryshe. 

Kushdo që rastis të kalojë pranë thuasje çdo pensionisti në Tiranë apo edhe vërdallë nëpër Rrangallostan, do dëgjojë patjetër biseda sesi "Berisha do mbyllur në burg", se "Rama takoi atë gjermanen e Europës", se "atij koklopës së Skraparit ja bënë mirë", apo se "Beleri është hale". Njëherë të vetme nuk dëgjon të bisedohet për pensionin e ulët, varfërinë e kështu me radhë. 

Këto janë sende që fliten në kamera. Nuk dihet se ç’ligj apo rregull ka bindur çdo pensionist që sapo i vënë mikrofonin para të nisë e të ankohet aq sa tjetri mendon: këta po vdesin për bukë. Vitet ikën, e askush nuk vdiq nga uria, varfëria. Shyqyr Zotit! Bënë si bënë, e bënë hall të gjithë. Kjo sigurisht nuk i heq asnjë presje ankesave. Mizerje ishte, mizerje është. Por mungesa e moralit dhe përgjegjshmërisë është e dyanshme. Pse? Edhe sikur të dëgjosh kronikën, aty sheh një zonjë që thotë:

Bonusi nuk bën punë. 300 mijë lekë ilace në muaj! Mos të na japë bonus, por të na rrisë pensionin. Bonusi është për vota. Ky është vendim elektoral. Gënjejnë pensionistët për vota

D.m.th persona 70- vjeçarë që gënjehen me një bonus. Po çfarë janë këta xhanëm! Çfarë u kanë mësuar fëmijëve? Parimin “hodha lumin të dhjefsha kalin?”.

I shqetëson fakti që këta janë gënjyer dhe vazhdojnë të pranojnë të gënjehen? Njerëz që kanë fëmijët në emigracion, nipërit po ashtu, që ankohen nga kamera në kamera për pensionin, për dritat, faturat, ilaçet që nuk mbaruan kurrë, dhe duan e duan të vdesin duke qenë të gnëjyer! Po cili shpjegim, cila bisedë bën punë te këta dashnorë të paepur të partisë, të cilën e shohin në prizmin e një historie që e tregojnë si dinë dhe si duan? Këta përçmues të pamëshirshëm të së vërtetës së vetes dhe gjendjes ku janë?

Një jetë punë, po medaljet medalje nga njëra cicë te tjetra. Gazetën “Dita” apo “Telegrafi” nuk e ndajnë përditë dhe ja befas, qeveria i gënjen prapë. I gënjen dhe ua merr votën se helbete “Sali qeni nuk votohet”. Kush guxon t’i pyesë këta pse nuk protestoni? Nuk merret vesh sa shoqata kanë: të gjithë kokëulur në grup, bashkë si përherë me votën gati.

Por qeveria e ka fajin! Kush mund ta ketë tjetër xhanëm? Në fund të fundit qeveria e ka fajin ontologji të vetën. Njeriu nuk ka faj! Jo, kurrë. Ai ka punuar një jetë, ka kontribuar, ka rritur me thonj fëmijët dhe askush nuk ia di. 

Por e vërteta është disi ndryshe! Ne jemi frikacakë! Ne jemi delenxhinj! Ne jemi ankestarë profesionistë, hipokritë edhe kur kemi të drejtë. Se edhe të drejtën duhet ta përflasë media, që ne të dalim palagur. Neve thjesht “na gënjyen 70 vitet e fundit”. Buçko!

PS: Si thotë tironsi: Na e boni hallall se mos e shtymë pak si shumë gojën. Por jemi të paguar nga Saliu! Po ju mos harroni të votoni! Në rresht, votën dhe pastaj pas votimit te vendi duke folur se Sali Qeni po leh kot! Dhe ja, Shqipëra qenka bërë e ne nuk dimë asgjë! 

Comments

Submitted by Kupamekapak kup... (not verified) on

Por nuk ke ca te presesh nga keta 70vjecare apo 80 vjecare ku nje pjese e tyre, ne kohen e xhaxhit kane shitur motren dhe vellaine tyre. E kane qare punen e spiunit apo oficerit, keshtu qe pjellat e tyre qe sot jane nga 35-45 vjec neper karrige jane thjesht nje version pak me upgrade pa shtylle kurizore. Tip buckosh sic e thua ti.
Nje pjese shume e vogel e intelektualeve kane mbetur, fundja disa prej ketyre kohen e komunizmit kane pasur njolle dhe ne pseudo demokraci i ka shkuar dhe me keq, jane larguar afer femijeve te tyre per pak dite te qeta ne keto vite qe i kane ngelur.
Shume shume pak prej nesh familja na ka edukuar me shume sec duhet per te mbijetuar ne kete "Arkadash bazar", ku baza eshte genjeshtra, vesi, tradhetia, bixhozi, kurveria etj. E pra vesi nuk del as me shpirtin, se eshte ceshtje adn-je

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.