A po vdes Shqipëria?

Postuar në 30 Janar, 2025 23:00
Skerdilajd Zaimi

 

Donald Trump ndërpreu fondet dhe tani SPAK iku. Kjo është teza e re që shtë hedhur në qarkullim nga politika. Nga Edi Rama dhe Sali Berisha, nga të gjithë ata që i kanë vënë kularin këtij vendi mes të cilëve edhe gazetarë që po bëjnë tashmë 30 vjet që zhvasin nga të gjitha drejtimet.

T’i vihemi edhe SPAK-ut sepse u ngrit ca si shumë!

Së pari paniku se SHBA nuk është më pas tij. Së dyti, pas zgjedhjeve flasim! Së treti kjo pasiguri dëshpëron këdo që ka ndërmend të hyjë në lojë. Jo se SPAK është i kulluar, apo pa defekte, por është i vetmi institucion që ka guxuar të hyjë në shtëpitë e bejlurçinës së këtij vendi.

Ngazëllimi i madh që shihet në fytyra deputetësh apo gazetarësh teksa shtrojnë me “naivitet” pyetjen nëse SPAK tashmë e hëngri, ilustron një gjendje karakteristike të një shoqërie që është kapur për fyti nga status quoja e tranzicionit.

Vend i mbaruar, por le të rrijë kështu. Ne mirë jemi! As u bë dhe as u prish!

Kjo është receta e Shqipërisë. Po deshe rri, po deshe ik. Është kaq e qartë tashmë kjo saqë nuk ka histori, historiografi apo ungjill që të provokojë dijen tonë mbi dështimin kronik, e ndoshta profetik të vendit ku na qëlloi të lindim.

Nuk bëhet ky vend, është tanimë një përkufizim në venitje, në perëndim. Njeriu nis e kupton, ndjen, intuitizon se gjërat po nekrotizohen me shpejtësi të madhe, po vriten dhe vetëvriten sepse në këto anë po harliset një njeri tjetër që si të thuash po likujdon me dominimin e vet edhe romantiken e fundit të Shqipërisë së ëndërruar para një shekulli nga disa njerëz. Me të ikën e shkallmohen zakonet, normat, komunitetet, arkitektura, etika farefisnore. Një mënyrë të menduari.

A po vdes Shqipëria? Kjo që kemi njohur, që kemi jetuar, që kemi sharë e mbrojtur? Përgjigjen nuk e jep më historia, por e tashmja. E qartë sa më nuk ka. Krizën për njerëz po e ndjen çdo sektor. 

Këta nuk janë brez si ne. Nuk kënaqen me pak dhe duan të arrijnë majën pa u lodhur!

Ja një konstatim i zakonshëm tanimë, por që duhet të na bëjë të mendohemi. Të mendohemi edhe mbi këtë “të mendohemi” sepse spektakli i mendimit nuk ka qenë kurrë në modë në anët tona. Sidomos për breza që “kënaqen me pak” e nuk kërkojnë majën shpejt.

E duke e menduar, shpejt do kuptojmë se nuk jemi kënaqur me pak. Na mësuan të kërkojmë thelbin, të mësojmë, e të përpiqemi të kuptojmë sa më shumë. Kjo është nuk është litani budallenjsh, por liturgjia e dijes dhe Majës. Maja që po flitet dhe ëndërrohet nga të rinjtë që po na zëvendësojnë, është çika e greminës së një vendi të tërë që po çmonton çdo arkitra, po zhbën çdo koordinatë, çdo referencë për të mbetur një han ku shqiptarët kanë ndaluar rastësisht.

A po vdes pra Shqipëria si nocion konvencional i shtetit komb? Si kombësi që përparon në një territor? Që çon përpara dhe rirprodhon disa vlera, besime, norma, zakone dhe një histori? Ndoshta ka vdekur dhe tashmë po i ngjan përherë e më shumë folësit të fundit të Dalmatishtes. Ndoshta kemi hyrë në një vdekje klinike, në një lloj kome cerebrale dhe shpirtërore dhe vetëm konsumojmë imazhin e vetes, duke performuar çdo gjë nga qafa e poshtë.

Është një dilemë e vjetër kjo, një pyetje e bërë herët nga një ndjesi e përhershme pasigurie që jep të qenit pjesë e një komuniteti shqiptarësh. Të aftë të thërmojnë dhe atomizojnë çdo besim. Një dilemë që ngjan si mallkim plakash të harruara nga shekujt dhe nga Zoti kur përplasen me zallamahinë e 10 milionë turistëve, mes të cilëve tani duhet të rendisim edhe zengjinët e politikës të cilëve nuk ua dallon më për shqiptare as pamjen, as veshjen, as qeshjen dhe as ushqimin.

Nuk është çudi që të jetë e afërt dita që të thuhet për Shqipërinë tonë – dikur kaq e dashur(sepse për një rreng të fatit, një pjesë e atyre që lindën në shekullin e 20-të “u dënuan” të kërkojnë çdo gjë të bukur në të shkuarën) ajo që Claudio Magris citonte të ishte shprehur dikur Herman Bahr:

Ndihem mirë në Trieste sepse kam përshtypjen se në këtë qytet nuk gjendem askërkund!

Comments

Submitted by Sudja $ Desara ... (not verified) on

Shkrimi shume i sakte!
Realiteti i pershkruar por shume i hidhur!

Submitted by Hasudja (not verified) on

Mbahet kjo Nene e nuk ka frike se ka djemt ne Amerike.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.