Humbja dhe diskreditimi i mediave tradicionale amerikane

Postuar në 26 Tetor, 2024 23:19
Skerdilajd Zaimi

 

Në vitin 2016 kur Donald Trump u zgjodh president i ShBA mund të kujtohen dy përkufizime që kanq rëndësi: i pari ai i George Soros që u shpreh se “Trump si mbreti i vetëpromovimit nuk po e beson as vetë suksesin që po ka”. Ky pohim jep të kuptojë ndër të tjera se sistemi politik amerikan nuk është i imunizuar nga të papriturat, pra se ai është me përkufizim i pakontrollueshëm.

Mjafton kalimi i një pike kritike dhe mandej nuk ka rregulla që të menaxhojnë ortekun. 

Së dyti është një pohim i John Stewart, drejtues i “Daily Show”, këshilltar në hije ndoshta i Obamës që tha se fitorja e Trump është humbja e mediave informative. Mediat pro kandidatir republikan u përqendruan tek komenti i informacionit dhe jo shkatërrimi i kundërshtarit dhe duket se kjo dha efekt. 

Gabimet e atij viti po përsëriten sot. Pse janë gabime? Sepse sulmi ndaj aspekteve personale apo elementëve jo shumë thelbësorë, ndërtohet nbi premisën se “shumica janë të paditur”. Mirëpo në një kohë dhe shoqëri pa autoritete morale që veprojnë me shembull dhe jo retorikë, moralizimet nuk bëjnë punë.

Kështu çfarë kuptimi ka që pas skandalit “Clinton-Lewinski” të numërosh për skandal dashnoret e Trump? Këtë e di vetëm CNN-izmi që i apelon një audience që ndërsa nuk ka më besim tek establishmenti, kërkon të dijë të ardhmen e vet që po do ta ketë ndryshe nga e sotmja. 

Së fundmi, mediat pro Harris, që janë shndërruar në krahë propagandistikë të asaj që e imagjinojnë si demokraci liberale, por që është vetëm pushteti i tyre, po merren me Elon Musk, miliarderi që është rreshtuar hapur pro Trump. 

Përveç bisedave sekrete me Putin që befas u zbuluan nga mediat, publikohet një raport sipas të cilit Musk ka punuar ilegalisht në ShBA në vitet ’90. Qesharake dhe mjerane! Biografia depërton kështu si element diskreditimi, por që po jep efektin e kundërt. Pse? Sepse askush nuk është shenjtor. Dhe një shkelje e dikurshme nuk mund të ngarkohet si  njollë e përjetshme që mund të hiqet me indulgjencat e gazetarisë psikotrope amerikane. 

Pse nuk doli asgjë e tillë kur aktorë te njohur të Hollywood dilnin e bënin mesazhe patetike e ndoshta të diktuara kundër Trump?!

Në një status të vetin në rrjetin “X”, Stephen Walt, profesor i të drejtës ndërkombëtare në Harvard i njohur në fushën e vet, njoftonte me ironi se: 

Vendimi për t’u çregjistruar nga “The Washington Post” ishte ndër më të lehtë që kam marrë ndonjëherë

Edhe pse ky vendim i lehtë mund të lidhet me deklarimin e gazetës për të mos u pozicionuar me një nga kandidatët për president, pakënaqësia është e dukshme dhe reflekton humbjen e besimit.

Çfarë po ndodh? Po ndodh që mediat dikur serioze dhe me autoritet kanë lëvizur nga koineja profesionale dhe etike për të kërkuar përgjegjësi në ruajtjen e demokracisë sipas tyre. Nuk është ky roli dhe as detyra e tyre. Mediat dhe gazetarët nuk janë parti, janë diçka më shumë se kaq.

Anashkalimi i këtij roli po i denatyron dhe po i zhbën sepse po i fut në një llogore kur ato kanë qenë Arbitrazhi.

Ndaj edhe Trump ngjan përherë e më normal në një histeri që e ka krijuar vetë ai.

Në një intervistë për “Joe Rogan”, Trump shprehej se ata që ndjekin CNN sa vjen e janë më të paktë dhe e thënë kjo prej tij përbën një zhvillim radikal që po hap një faqe të re në raportet e pushteteve në ShBA.

Nëse Trump duket si një autik i pandreqshëm për të kuptuar ca gjëra të kësaj bote në mënyrë konvencionale, ose për t'i thënë të paktën sipas regjistrit të përgjithshëm, mediat e njohura amerikane duken të pashpresa në të kuptuarit e brezit të ri dhe kohës që jetojmë. E më keq: ato kanë harruar rolin e tyre duke dalë jashtë çdo reference reale. Nuk po thonë dot as të vërtetën. 

Nuk mund të shpresosh ta mundësh Trump duke u bërë më keq se ai. Me logjikën amerikane kjo quhet kopje dhe shkelje e pronësisë intelektuale. Goxha humbje do thënë!

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Jo pakët por paktë. Fjalën autik mos e përdorni në kontekst fyes.

Submitted by redaksia on

Po dakord për vërejtjen gjuhësore. Por ndoshta ka mbetur nga përjashtimi "ujët e pakët" që supozoj tregon sasi. Por qëndron, falemnderit. Mesa duket truri persiston në ca gabime - reçesion - reçension...

Kjo vërejtja për autizmin nuk di ta them. Nuk është fyerje në fakt, është shembullizim praktik edhe pse kuptoj që lëndon. Patologjitë, sindromat përdoren në ligjërim për refleks ndonëse dakord, ka nevojë për kujdes. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.