Pse është shumë vonë për ta ndaluar Luftën e Tretë Botërore

Postuar në 27 Qershor, 2024 01:14
Richard Overy

 

Imagjinoni, për një moment, që qeveria iraniane njofton se ka zhvilluar një bombë bërthamore dhe kërcënon ta përdorë atë në Izrael. Shtetet e Bashkuara reagojnë me kërcënimin e ndërhyrjes ushtarake, siç reaguan në vitin 1991 dhe 2003 në Irak. Irani sinjalizon se nuk do të tolerojë një luftë të tretë të Gjirit dhe kërkon aleatë. Forcat amerikane grumbullohen për të hyrë në Iran, gjë që sjell si pasojë mobilizimin kombëtar. Rusia, Kina dhe Koreja e Veriut shprehin mbështetjen e tyre për Iranin dhe Uashingtoni zgjeron forcën e tij të ndërhyrjes, duke shtuar një kontigjent britanik. Rusia hyn në lojë, duke ngritur pritshmëritë për tërheqjen e Perëndimit. Pason një tension bërthamor, me gishtat në butona nga të dyja anët, ndërsa liderët matin lëvizjen e tjetrit për të mos goditur më parë, gjithçka përfundon në katastrofë. Lufta e Tretë Botërore fillon me një shkëmbim zjarri bërthamor, dhe pjesa tjetër, siç thuhet, është histori.

Ose imagjinoni këtë: zhgënjimi kinez për statusin e Tajvanit nxit një grumbullim të forcave pushtuese. Shtetet e Bashkuara janë të preokupuara me krizën e tyre të brendshme politike. Japonia shikon me ankth deklaratat e ashpra midis Kinës dhe Tajvanit, duke pyetur veten nëse duhet të ndërhyjë. Kombet e Bashkuara dënojnë veprimet kineze, Kina hedh poshtë censurën dhe urdhëron pushtimin, me besim se një fitore e shpejtë do t'i pengojë të tjerët të ndërhyjnë, siç shpresonte Hitleri kur pushtoi Poloninë në vitin 1939. Shtetet e Bashkuara aktivizojnë planet e emergjencës për të shpëtuar Tajvanin dhe secila palë përdor armë bërthamore taktike kundër forcave të armatosura të tjetrit. Koreja e Veriut dhe Rusia janë me Kinën. Nuk ka asnjë goditje të përgjithshme bërthamore, por Rusia paralajmëron Evropën të rrijë larg, duke e ndarë strategjinë amerikane midis dy teatrove, siç ishte në Luftën e Dytë Botërore. Konflikti vazhdon të përshkallëzohet.

Tani le të shqyrtojmë një lloj konflikti global krejtësisht tjetër. Ndarja në rritje midis Perëndimit demokratik dhe harkut të shteteve autoritare anembanë Euroazisë ka hyrë në një kapitull të ri të rrezikshëm. Asnjëra palë nuk dëshiron të rrezikojë një luftë të drejtpërdrejtë, por ekziston mundësia që shkatërrimi i komunikimeve satelitore të dëmtojë aftësitë ushtarake dhe ekonomike të palës tjetër. Pa paralajmërim, sistemi i komunikimit satelitor i Perëndimit sulmohet dhe dëme masive i shkaktohen rrjeteve të tij elektronike tregtare dhe ushtarake.

Askush nuk pretendon se ka lëshuar raketat, por, në kaosin që pason, faji u hidhet shpejt shteteve antiperëndimore. Dialogu është i vështirë me kolapsin e komunikimeve. Në pasigurinë se çfarë duhet bërë, mobilizimi ushtarak urdhërohet në të gjithë botën perëndimore, por Rusia dhe Kina kërkon të kundërtën. Ashtu si në vitin 1914, rrotat, pasi vihen në lëvizje, është e vështirë të ndalen dhe kriza rritet. Mirë se vini në Luftën e Parë të Hapësirës.

Këta tre skenarë janë të mundshëm, edhe pse asnjëri prej tyre, duhet ta sqaroj, nuk ka gjasa. Të parashikosh - më saktë, të imagjinosh - luftëra të së ardhmes mund të prodhojë fantazi të rrezikshme që nxisin ankthin për sigurinë e së ardhmes. Ka të ngjarë që edhe prognoza më e besueshme të jetë e gabuar. Zhvillimi i armëve bërthamore ka ndryshuar në mënyrë thelbësore kushtet e çdo konflikti të ardhshëm global. Nuk ka dyshim se ka plane emergjence të përgatitura nga forcat e armatosura kudo për t’u dalë përpara një sërë skenaresh që përndryshe mund të konsideroheshin si fantastike në botën reale. Dhe ndërsa historia mund të na ndihmojë të mendojmë për formën e një lufte të ardhshme, mësimet nga historia rrallë nxirren.

Megjithatë, pyetja se si mund të shpërthejë një luftë e tretë botërore na përndjek sot më shumë se në çdo kohë që nga fundi i luftës së fundit botërore. Vetë akti i hamendësimit është dëshmi e pritshmërisë sonë se çfarëdolloj lufte mbetet një fakt në një botë me pasiguri të shumta. Konfliktet në Ukrainë, Gaza, Myanmar dhe Sudan janë një kujtim i atij realiteti gjithmonë të pranishëm. Dhe kërcënimet e rregullta nga Rusia për përdorimin e armëve bërthamore sugjerojnë se fantazitë tona mund të mos mos shkojnë shumë larg në fund të fundit.

Ndoshta, në përpjekje për të parashikuar shpërthimin e një lufte të ardhshme, duhet të bëjmë një pyetje tjetër: Pse të bëjmë luftë që në krye të herës? Lufta ka qenë një karakteristikë e pothuajse të gjithë historisë së regjistruar dhe dhuna luftarake i parapriu krijimit të shteteve të para. Pse qeniet njerëzore e zhvilluan luftën përkundër aftësisë së tyre për bashkëpunim social, mbetet një pyetje themelore.

Është një enigmë të cilës shkencat humane janë përpjekur t’i japin përgjigje për pjesën më të madhe të shekujve 20 dhe 21. Sipas biologëve dhe psikologëve evolucionarë, për njeriun e hershëm, lufta ishte një mjet për të siguruar mbijetesën, për të mbrojtur të afërmit dhe për të përballuar krizën ekologjike.

Asnjë biolog që merret me njerëzimin nuk argumenton se dhuna është në gjenet tona, por homininët e hershëm, të organizuar në grupe të vogla gjuetarësh ose peshkatarësh, me shumë gjasa e kanë përdorur dhunën për t’u mbrojtur kundër agresorëve të huaj, për të siguruar burime dhe ushqime dhe me raste për të vepruar si grabitqarë në komunitetet fqinje. Përdorimi i dhunës si një nga elementët e paketës së mjeteve të mbijetesës së njeriut të hershëm u bë psikologjikisht normativ, si dhe i dobishëm biologjikisht. Në këtë këndvështrim, lufta është diçka e ngulitur thellë në zhvillimin njerëzor.

Megjithatë, kjo pikëpamje sfidohet nga shkencat e tjera, të cilat e shohin luftën si një fenomen që lidhet me zhvillimin e kulturave të ngulitura dhe sistemeve politike, qofshin ato fisnore, protoshtetërore apo shtetërore. Rreth 10 000 vjet më parë, nuk ka dyshim se diçka që i ngjante luftës u shfaq në mbarë botën, e dëshmuar në të dhënat arkeologjike të armëve, ikonografisë dhe fortifikimeve.

Lufta nuk ishte si lufta moderne, e organizuar në ushtri masive dhe e furnizuar nga industritë ushtarake, por mori forma të ndryshme: një bastisje vdekjeprurëse, një ritual përballjeje ose një masakër, si vrasjet e Natarukut, që datojnë në shekullin IX para Krishtit: mbetjet e burrave, grave (njëra prej tyre shtatzënë) dhe fëmijëve të zbuluar nga ky vend pranë liqenit Turkana të Kenias tregojnë se viktimat u goditën me shkopinj dhe u therën me thikë.

Ishte e qartë se nuk ishte e nevojshme të kishte një shtet për t'u përfshirë në dhunë, siç e ka treguar lufta fisnore e vërejtur në qindra vitet e fundit, por lufta nënkuptonte shfaqjen e një elite luftëtarësh dhe një kulture në të cilën lufta vlerësohej dhe miratohej: Spartanët, vikingët, aztekët. Ka pasur shumë pak kultura në të cilat lufta nuk ka luajtur një rol, zakonisht një rol qendror, në jetën e komunitetit. Në periudhën historike të shteteve, nga rreth 5000 vjet më parë, nuk ka shembuj ku lufta nuk ishte praktikë e pranuar gjerësisht.

Kjo flet pak për arsyen pse janë zhvilluar luftërat në të kaluarën arkaike ose pse zhvillohen sot. Luftërat bëhen gjithmonë për diçka, pavarësisht nëse arsyeja është për t'i kënaqur perënditë duke rrëmbyer robër për t'i ekzekutuar ose sakrifikuar, apo duke lakmuar burime, ose luftëra për besim, apo duke shtrirë pushtetin mbi të tjerët, ose në kërkim të sigurisë së shtuar, ose thjesht për mbrojtje kundër një grabitqari. Kjo përzierje motivesh ka mbetur jashtëzakonisht konstante.

Përvetësimi i burimeve është një motiv i qartë për luftë, një shpjegim që shtrihet nga romakët e lashtë që shkatërruan qytetet e armikut dhe rrëmbyen skllevër, thesare dhe kërkuan haraç, te forcat japoneze në vitin 1942 kur vunë nën kontroll naftën dhe lëndët e para të Azisë Juglindore, të nevojshme për të vijuar më tej luftën. Luftërat për besim shtrihen në mijëvjeçarë, nga pushtimet myslimane të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut në Mesjetën e hershme dhe epoka e kryqëzatave të krishtera që pasuan, deri te fushatat aktuale të xhihadit islamik.

Siguria, siç pranon Thomas Hobbes në « Leviathanin » e tij në vitin 1651, është gjithmonë në rrezik në një botë anarkike ku nuk ka asnjë fuqi unike për ta zbatuar atë. Kufijtë janë një gur prove i frikës për sigurinë dhe mungesës së besimit, siç ilustrojnë sot luftërat në Ukrainë dhe Gaza. Por kufiri i gjatë kinez me nomadët e stepës dhe kufiri i gjerë i perandorisë së vonë romake ishin gjithashtu vende të sulmeve të vazhdueshme, betejave mbrojtëse dhe ekspeditave ndëshkuese.

Etja për pushtet është ndoshta shpjegimi më i zakonshëm për luftën – veçanërisht i popullarizuar nga politologët dhe sociologët. Teoria e Tranzicionit të Pushtetit, e nisur në kulmin e Luftës së Ftohtë, sheh një garë të vazhdueshme midis fuqive të mëdha hegjemonike, ndërsa njëra përpiqet të tejkalojë fuqinë e tjetrës. Gara, siç argumentohet, mund të përfundojë në luftë, pasi një fuqi në rënie kërkon të mbrojë pozicionin e saj, ose një fuqi në rritje kërkon ta zëvendësojë atë. Në një kohë, teoria u zbatua në Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Sovjetik, por ato kurrë nuk hynë në luftë kundër njëra-tjetrës; tani është aplikuar për një luftë të mundshme midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, e cila është bërë një skenar i preferuar për ata që parashikojnë konfliktin e shekullit XXI. Megjithatë, është një teori që funksionon keq. Dy luftërat botërore filluan me një fuqi të madhe që zgjodhi një të tillë më të vogël – Serbinë në 1914, Poloninë në 1939 – dhe më pas fuqitë e tjera u tërhoqën në vorbull. Kjo mund të ndodhë vërtet me Tajvanin, siç po ndodh tashmë me Ukrainën.

Pushteti funksionon më së miri si shpjegim kur historia kthehet tek individët që u bënë pushtues të mëdhenj, njerëz ambicia e egër e të cilëve mobilizoi mbështetjen e popullit të tyre për pushtim të pakufizuar - Aleksandri i Madh, Xhengis Khani, Napoleoni, Hitleri. Ky është një pushtet hubristik i bazuar në vetëbesimin arrogant dhe zakonisht avullon me vdekjen ose humbjen e liderit. Por për sa kohë që ata udhëheqin dhe ka njerëz të gatshëm t’i ndjekin, lufta është e pakufizuar dhe shkatërruese në shkallë të gjerë. Ky është shpjegimi më i rrezikshëm dhe më i paparashikueshëm për vazhdimësinë e luftës dhe mbulon të gjitha të dhënat historike. Është një nga treguesit më të sigurt se lufta ka ende një të ardhme si dhe një të kaluar të gjatë.

Luftërat e së ardhmes bazohen në një trashëgimi të zymtë. Fakti që paqja do të duket të jetë opsioni racional për shumicën e njerëzve, nuk ia ka dalë kurrë të mbysë dëshirën për të luftuar kur duket e nevojshme, fitimprurëse ose e detyruar. Dhe kjo trashëgimi është arsyeja kryesore pse është e mundur të imagjinohet një luftë e ardhshme. Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, pasoi një trend për ta quajtur luftën të vjetëruar – sikur të ishte kështu, ne mund të jetonim tani në një botë pa armë dhe frikë. Ndërsa pak do të kërkonin në mënyrë aktive Luftën e Tretë Botërore, pak i parashikuan ose i donin dy të tjerat. Realiteti i trishtuar është se ajo që ne kemi kuptuar mbi arsyen pse ndodhin luftërat deri më tani ka kontribuar pak në shmangien e luftës si element i qëndrueshëm në çështjet njerëzore.

/ Botuar në The Telegraph /

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.