Perëndimi del edhe vetë kundër rendit ndërkombëtar që dikur imponoi

Postuar në 17 Janar, 2024 14:59

Një shkrim i publikuar së fundmi me autor juristin egjiptian Mohammad El Baradei ka vënë në dukje me forcë atë që sinjalizon një konflikt si ky i Gazas: Rënien e rendit ndërkombëtar ashtu siç jemi mësuar ta shohim në këto dekada. Pra si një mjedis me instrumente kufizuese dhe burim propozimesh për daljen nga krizat. Aktualisht në Gaza, ka një liçencë të palimituar për dhunën që po përparon nën filozofinë e zgjidhjes finale dhe po provokon një armiqësi të pakapërcyeshme mes disa popujve. Megjithatë, kriza e një sistemi si ky aktual ka disa përmasa. Dhe një nga pikëpyetjet kryesore shkon në të drejtën e komunitetit ndërkombëtar që të veprojë mbi prerogativat e gjyqësorit. Pra shqyrtimit profesional të fakteve.

Në një shkrim në “Financial Times” David Simon shkruan se padia e Afrikës së Jugut ndaj Izraelit për genocid në Gaza dhe për marrjen e masave për ndalimin e konfliktit, përfaqëson një lëvizje që mund të vendosë në krizë të gjithë besueshmërinë e sistemit ndërkombëtar duke hapur siparin e një bote që legjitimon përdorimin e forcës.

Në lojë janë normat dhe praktikat më të larta ndërkombëtare. Së pari, identifikimi potencial i një situate genocidale në zhvillim do të të detyronte firmëtarët e konventës të përballen me detyrimet e veta për të ndalur bashkëpunimin...

Besueshmëria e Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet është po ashtu në lojë. Nëse do të bënte thirrje për masa që nuk zbatohen, të gjitha vendimet e saj do të zhvlerësoheshin. Nëse Gjykata e çmon mbrojtjen e Izraelit si bindësi dhe refuzon peticionin e Afrikës së Jugut, gjykata do të përballej me akuza për favorizim të fuqive të mëdha, pavarësisht sesa i mirëarsyetuar do të jetë shpjegimi i saj

shkruan Simon.

Sipas tij rrëgjimi i hapësirës së veprimit të një gjykate të tillë, zbatimit të vendimeve të saj do të ishte një tragjedi për qeverisjen globale.

Mirëpo instrumenti ndërkombëtar, i përdorur deri më tani si shkop kundër më të dobtëve duket se rri ngushtë kur vjen puna që të gjykojë në mënyrë objektive ato fuqi që deri më sot kanë pretenduar se kanë qenë përherë në anën e drejtë të historisë. Madje se kanë qenë vetë historia. Është një gjë interpretimi i Simons dhe krejt tjetër gjë manovra që po tenton të kryejë qeveria e Rishi Sunak në Britaninë e Madhe, një vend që ka qenë kampion i të drejtës ndërjkombëtare por edhe shkeljeve me të. Këtu mjafton të kujtojmë sjelljen e Britanisë së Madhe në gjyqin me Shqipërinë në Hagë pas incidentit të Kanalit të Korfuzit, gjatë të cilit Londra refuzoi të depozitonte dokumentet e Admiraliatit që provonin se konvoji i anijeve të 22 tetorit 1946 nuk ishte në kalim paqësor por kishte marrë detyra luftarake.

E njëjta qasje shfaqet sot në Britani për çështjen e ligjit të ri për deportimin e imigrantëve dejt Ruandës. Në një shkrim - ku komentohet edhe fotoja e Gjykatës së Strasburgut - në gazetën “The Telegraph”, Nick Timothy vë në dukje këtë konflikt mes të drejtave sovrane të shtetit dhe detyrimeve që rrjedhin nga ligji ndërkombëtar. Duke ironizuar “shenjtërimin e ligjit ndërkombëtar”, Timothy shton se debati “për vendin tonë në botë”, apo krahasimi I Britanisë me Bjellorusisë në këtë diskutim, është pa kuptim.

Parlamenti mund të kalojë legjisalcionin duke e shpallur Ruandën të sigurtë. Në fund të fundit, Parlamenti është sovran…Por problem që kemi është kompleks…Strasburgu nuk ka detyrime ndaj një akti të Parlamentit dhe…një vendim nga Strasburgu se Ruanda nuk është e sigurtë – do të krijonte një krizë që është shumë më e madhe sesa ata që pasuan vendimet për Abu Qatadan dhe votën e të burgosurve. Do të çonte në një impass që do të detyronte Britaninë të largohej nga Konventa dhe gjykata

shkruan ai.

Duke e vështruar rendin ndërkombëtar dhe instrumentet e tij si pjesë të kompromiseve gjithfarëshe, gazetari në fjalë vë në dukje se qasjet mbinacionale në çështje si kjo e kufijve imponon mbivendosje ndaj një qeverie demokratike të zgjedhur me votë. 

Patjetër që parashtrimi në fjalë ka brenda shqetësime reale dhe shpreh një debat të ndezur në vende të Perëndimit. Por sado të flitet në emër të demokracisë dhe të drejtës, kritika që bëhet në këtë rast nuk ka asgjë në thelb të dallueshme nga pretendimet e Polonisë dhe Hungarisë që refuzojnë reforma të rekomanduara nga gjykata ndërkombëtare apo Brukseli.

Goditja që po i jepet aktualisht institucioneve ndërkombëtare është një autogol që flet se konsiderata nacionale po predominon çdo gjë edhe në vende të mëdha si Britania. Dhe kur kjo optikë bëhet dominuese, si në Gjermani së fundmi, apo në Francë, asnjë ndikim real dhe efektiv nuk mund të pretendojë Perëndimi në një botë që e ka humbur tashmë busullën.

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Nuk vuan nga mungesa e inteligjences ti Skerdo. Perkundrazi.
Vetem se kujdesesh ta perdoresh sa me rralle.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.