Gjenerata Tjetër po i thotë 'Jo' kësaj Shqipërie!

Postuar në 27 Nëntor, 2023 13:50
Skerdilajd Zaimi

 

Duket se ne po hyjmë në një fazë të rrezikshme të komunikimit me një autizëm ndoshta reciprok që mund të çojë në konflikt. Nga njëra anë pushteti, nga njëra anë qytetarët. Kryeministri I vendit, Edi Rama, ka marrë së fundmi atributet e një padrinoje që vendos tarifa dhe qera në tokën e vet sipas midesë dhe interesit, duke vetësugjestionuar se kjo tokë është Shqipëria mbarë.

Ka lënë pas z. Rama mburrjet dhe alibitë e disa viteve më parë sipas të cilave “ikja e shqiptarëve është shenjë lirie” dhe i është kthyer represionit administrativ. Me siguri me këshillimin e minjve që ka pranë vetes. Nisur nga ajo që ndodhi me studentët e Mjekësisë, z. Rama ka guxuar të deklarojë se praktikën e detyrimit për të mbajtur të diplomuarit në Shqipëri do ta shtrisë në mbarë arsimin publik.

Unë nuk i diskutoj vendimet e gjykatave, por edhe pezullimi që i bëri Gjykata Kushtetuese kërkesës absurde të studentëve është absurd. Është absurd dhe po e diskutoj sepse është pezullim. Shkolla e Magjistraturës e ka kusht, mund të hysh por nuk merr dot diplomën po nuk punove 5 vjet si magjistrat. Është një nga shkollat më të mira të Shqipërisë.

Fakti është që nuk është shkelur asnjë e drejtë kushtetuese dhe nuk është vënë në diskutim. Ne këtë sistem do ta zgjerojmë. Në arsimin publik që e kemi shumë të favorshëm dhe jo aq larg kërkesave të Europës, do ta zgjerojmë. Ose është varianti tjetër që i kemi dhënë studentëve, do të ikësh që nesër dhe t’i kthesh kurrizin këtij vendi? Do paguash një tarifë tjetër, do paguash atë që kushton. Është më pak se në Gjermani por prapë do paguash. Nëse do këtë tarifën tjetër do rrish maksimumi 5 vite. Dhe 5 vite është për ata që hyjnë në vit të parë. Këta që i kapi rrugës 2-3 vjet do rrinë

citohet z. Rama.

Ose kemi të bëjmë me injorancë, ose me ligësi dhe zgjidhje të detyruar. Sepse mjekësia dhe drejtësia, janë sektorë me përcaktim profesional. Pra është thuajse e pamundur që dikush që nis universitetin e Mjekësisë, apo të Drejtësisë të mendojë punësimin gjetkë. Në këtë kuptim shembulli që sjell z. Rama ka një dozë ligësie. Patjetër që ai që hyn në Magjistraturë synon sistemin e drejtësisë, statusin që sjell nga pas ai dhe të ardhurat. Pushtetin etj.. Magjistratura është projeksion I njerëzve të elitës politike të sotme dhe cinizmi i kryeministrit këtu është tërësisht i pavend.

Shtrirja e praktikës që thotë z. Rama në arsimin publik është një ndër ato tullumbacet që vetëm një piktor me kohë të pjesshme mund t’I thotë. Dikush që mbaron Matematikë apo inxhinieri, por do të hapë një bar kafe, cili ligj e detyron të mos e bëjë këtë? Këtu do të detyrojmë njerëzit të punojnë në sistemin publik për pesë vjet, apo të qëndrojnë në Shqipëri për kaq kohë?

Cili njeri mund të detyrohet të bëjë një punë që nuk e do?

Modeli që ka ndërmend ky zotëri përgënjeshtron edhe historinë e tij personale. Ku është ky piktor i lumtur me veten sot? Pse nuk ndenji në Shqipëri si artist pasi u diplomua, por iku në emigracion, mandej krijoi parti, hyri në Bashki për të arritur deri në fazën leuçemike të Shqipërisë, me qeverisjen e tij? Cili kushtëzim e diktoi këtë rrethanë fatkeqe për vendin? Edhe Liria. Sidomos Liria. Për të lëvizur, për të zgjedhur e kështu me radhë. Zoti Rama është produkt edhe i Lirisë që pati. Atë Liri që e urren kaq shumë sot, sepse i rri shumë keq, e mbyt psikën e tij prej tekanjozi buxhetlli. 

Shqipëria për Edi Ramën e vitit 1997, kur fati i zi e katapultoi këtu, nuk ishte zgjedhje e tij. Në asnjë mënyrë. Ishte miklim i pushtetit. Siç e ka treguar edhe vetë, Edi Rama u rikthye këtu me një ofertë për ministër, nuk erdhi për të dhënë për vendin siç pretendon dhe propagandon me personazhe të keqpërdorur në podcast-e të tij. Ndaj është mirë të mos kalohet në masa të tilla që në fund fare edhe nuk zbatohen dot. Edhe nëse një student nuk e merr diplomën, ai mund ta konvalidojë atë dhe të diplomohet me provimet e fundit gjetkë. Edhe me ndonjë provim shtesë.

Zoti Rama flet shpesh për gjeneratën tjetër. Se qevëerisja e tij synon një Shqipëri më të mirë për fëmijët tanë. Ky është përemri që preferon të përdorë. Shumës në vetën e parë. Është mirë të tregohet i sinqertë sepse nuk gënjen dot kënd: për fëmijët e tij. Kjo është gjenerata tjetër në filozofinë e sanxhakbeut që ai ka për qeverisje. Nuk janë fëmijët tanë. Kurrsesi. Sepse mjafton të shohësh si po ndan pasurinë e këtij vendi, sesi zgjedh e përzgjedh ata që do qeverisin me të, për të kuptuar se ky vend është joti ose duke luftuar – dhe me luftë përfshihet çdo mjet dhe çdo përfundim – ose të ikësh.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Hartim shume i bukur.
Pak ose aspak argumente. Akoma po ndahen pasurite e vendit? Po na del Shqiperia me e madhe se Rusia.
Ku ishe ti kur Sala jot ja dha Albpetrolin Tacit?
Po haje petulla apo po pije caj?
Me siguri Sala eshte bere pishman, per gjithe pislliqet qe ka bere per te pasuruar familjen e tij (edhe politike).Bile degjova qe ishte rrefyer tek nje prift i cili e kishte falur me vetem tre ave maria. E meriton te jete kryeminister. Jemi ne qe nuk e meritojme.

Submitted by redaksia on

Nje socialist i thekur, sorollopi yt ndoshta, tha nje here kur Saliu Juaj i mori shtepine Dash Pezes ne Peze(me argumentin se Rama Yt e kishte shpallur monument kulture, e restauroi me para publike e pasatj e hoqi nga monument per t'ia dhene Dashit serish - pretendim i Saliut ky me kupto drejt) se: Sala nuk ka bere asgje. Ai shtepine e tij mori!!

Dakord? Jeni bashke, se nje gje dini te beni. Nje pyetje kot sa per llogje: Sa ishte Fi-ja e ARMO-s se fliste shpesh dikur peseja opozitare kur u privatizua? Po edhe mund te jene llafe xhanem se ketu nuk duhet marre gje seriozisht. 

Submitted by Anonymous (not verified) on

Nuk la gje pa e share Tosin per lidhje me Tacin. Kur mori pushtetin: Nuk kam thene Taci. Kam thene Naci. Dhe zgerdhihej para telekameres.
Ai nuk e ka gja burrin.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.