Rusia: Perëndimi jep për armë pesëfishin e fondeve të ndihmës humanitare
I dërguari i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzya, kritikoi gatishmërinë e organizatës për të asistuar Ukrainën, duke bërë një krahasim me asistencën në rastet e krizave humanitare.
Nebenzya tha se fondet që OKB-ja ka mbledhur deri më tani këtë vit për të ndihmuar njerëzit në nevojë anembanë globit përbëjnë vetëm 20% të shumës që SHBA dhe aleatët e saj shpenzuan për armë për Ukrainën.
“Bujaria e donatorëve perëndimorë në lidhje me krizën në Ukrainë, të cilën ata vetë e provokuan, duket e dyfishtë. Sa herë që bëhet fjalë për Sirinë, Jemenin, vendet afrikane, kolegët tanë perëndimorë ose nuk kanë para ose i ndajnë me shumë ngurrim dhe me pikatore”, tha ai në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Por për Ukrainën, vetëm për armët, SHBA dhe aleatët e saj kanë shpenzuar tashmë aq sa Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare ka kërkuar në vitin 2023 për të ofruar ndihmë humanitare për të gjithë njerëzit në nevojë në mbarë botën - rreth 55 miliardë dollarë.
Nga kjo shumë, meqë ra fjala, deri më sot OCHA ka marrë vetëm 20%. Imagjinoni sa njerëz në botë mund të ndihmoheshin nëse donatorët perëndimorë do ta dëshironin vërtet.
Nebenzya thotë se lufta po pasuron kompanitë perëndimore të armëve, ndërsa në Ukrainë deri tani janë dërguar në total 120 miliardë dollarë.
Add new comment