Në mishërimin e Jagos

Postuar në 26 Maj, 2023 19:00
Skerdilajd Zaimi

 

Tensionet në Veriun e Kosovës kanë sjellë reagime në nivel diplomatik. Ambasadori amerikan në Prishtinë ka dënuar atë që e quajti dhunë të autoriteteve të Kosovës. Në thelb asgjë nuk ka ndodhur. Autoritetet kanë vepruar identikisht si autoritetet shqiptare në Himarë. 
Nga pikëpamja e kohës ndërhyrja vjen një ditë pas një vizite të disa senatorëve amerikanë në Beograd ndaj të cilëve Aleksandër Vuçiç u zotua sërish se ai është për dialog. 
Deri këtu nuk ka asgjë të re. E reja është te ndërhyrja e kryeministrit të Shqipërisë që deklaron se “miqtë tanë më të mëdhenj janë shqetësuar thellësisht për këtë që po ndodh”. 
Zoti Rama e ka bërë publik mesazhin e tyre duke marrë rolin e një zëdhënësi përveçse ka gjetur momentin të përcjellë ne fakt qëndrimin e vet. 

Nuk kanë mundësi miqtë tanë të komunikojnë me kryeministrin e Kosovës? Dihet se kryeministri i Shqipërisë nuk ka ndikim në Prishtinë, ai e ka pranuar publikisht se bashkëjeton me idenë që me Kurtin ka mendime të ndryshme për rrugën që duhet të ndjekë Kosova. Atëherë cila kancelari do përdorte Edi Ramën për të përcjellë mesazhe në Prishtinë? 
Përgjigja është: Askush. Sepse Perëndimi është në Kosovë, e dikton sigurinë e saj. Ndaj dalja publike e Edi Ramës është asgjë më shumë sesa spërkatja me helm në emër të një paqeje me armëpushim që i intereson Vuçiçit që ka përpara edhe probleme politike të brendshme. Është kontributi cinik i Tiranës për të izoluar Kurtin dhe neutralizuar politikën e përballjes si i barabartë me Serbinë, duke e nxjerrë trurin e shqiptarit nga psikologjia e patericës. Kuptohet kjo ka një kufi, por aktualisht nuk duket se në politkën e Prishtinës të ketë aventurizëm. 

Zoti Rama duket se ka edhe arsye të tjera. Me fitoren asgjësuese në zgjedhje ai po kalon në veprim në një plan gjithëshqiptar për të investuar te evidentimi i dështimi metodologjik të Kurtit, përmes të cilit do të afirmohet eventualisht se i vetmi aktor i besueshëm shqiptar mbetet Edi Rama. Kjo është një perspektivë që parathotë qartë sesi zgjerimi i pushtetit jodemokratik, prag asgjësimi i opozitës, modifikon axhendën politike të një njeriu të vetëm që synon të nominalizojë vendimmarrjen kryesore si i vetmi zë shqiptarësh në 3 shtete. 

Është diçka që duhet ndalur, sepse nuk ka asgjë strategjjke për shqiptarët aty, vetëm arrivizëm dhe oportunizëm të dikujt që luan me fushë bosh në Shqipëri. Edhe me heshtjen e “miqve tanë të mëdhenj” si bekim. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.