Në jetët tona, vigjilon gjithmonë kaosi

Postuar në 02 Janar, 2023 16:45

Ralph Fiennes ka një gamë të madhe rolesh. Ka qenë kandidat për Çmimin Oskar me interpretimet e tij në filmat “Lista e Shindlerit” dhe “Pacienti anglez”. Shpesh, na befason me zgjedhjet artistike, duke ndërmarrë role si ai i mafiozit të pamëshirshëm në filmin “In Bruges”, por edhe në atë të mbikëqyrësit në filmin “The Grand Budapest Hotel”. Kush mund të harrojë interpretimin e tij virtuoz si Lord Voldemort në filmat e Harry Poter? Në filmin  “Gërmimi”, që jepet në Netflix, luan rolin e Basil Brown, një arkeolog britanik autodidakt, që u shqua në një nga zbulimet më të rëndësishme të të gjithë epokave. Aktori në dukje gjakftohtë (që s’ është aspak i tillë) lindi në 22 dhjetor 1962. Në filmin “The Menu” është përzgjedhur në kategorinë e Aktorit më të mirë për Globin e Artë. 

1. Emri i tij i plotë është Ralph Nathaniel Twisleton-Wykeham-Fiennes. 

Emrin e shqipton Reif që të bëjë rimë me Safe. 

2. Rrjedh prej një familjeje të fisme. 

Babai i të atit, gjyshi i tij, Sir Maurice Fiennes ishte industrialist, që iu dha titulli i kalorësit për shërbimet e tij në inxhinjerinë britanike, ndërsa gjyshi nga ana e nënës së tij, Henry Alleyne Lach ishte oficer i dalluar i ushtrisë britanike në Indi. Është gjithashtu i afërm me eksploruesin Sir Ranulph Fiennes, kushëri i tretë, i cili është njeriu i parë që përshkoi Antarktidën në këmbë në vitin 1993. Ka edhe një vëlla të famshëm, Joseph Fiennes që njihet me rolin e tij në filmin “Shakespeare in love ” por edhe në serialin distopik “ The Handmaid’s Tale”. Gjithashtu, aktori që loz Tom Riddle - a.k.a  Voldemorti i ri - te “Harry and the Half-Blood Prince” është nipi i Fiennes, Hero Fiennes - Tiffin.

3. Fiennes është më i madhi nga gjashtë fëmijët dhe u rrit midis Anglisë e Irlandës. 

Fiennes ka thënë: “U vështirësuam ekonomikisht. Kishim ushqim, por shpesh ishte thjesht supë dhe pure. Im atë ishte fermer, që u bë fotograf. Nëna ime ishte shkrimtare. Mendoj që dashuria ime për teatrin buron nga ajo, kurse qasja në punë nga im atë. I kapnin duart dhe qe shumë i talentuar të sajonte rafte dhe gjëra të tjera. Më mësoi pikturë dhe dekorim".

4. Ai flet rrallë për jetën e tij personale. 

Ka qenë i martuar me aktoren në serialin e njohur “Doctor Who” Alex Kingston, nga viti 1993 deri më 1997. U njohën gjatë studimeve në Akademinë mbretërore të Artit Skenik në Londër dhe kishin marrëdhënie për një dhjetëvjeçar para se të martoheshin.

5. Në 2017 i është dhënë në formë nderimi nënshtetësia serbe. 

Menaxheri i tij Simon Beresford tha për Hollywood Reporter që “Fiennes vazhdon të jetë qytetar britanik, por pranoi me gëzim nderimin që i bëri populli serb, në shenjë mirënjohjeje dhe respekti për punën e tij në Serbi prej shumë vitesh”. Fiennes xhiroi dy filma, ku ishte dhe regjisor, filmin “Coriolanus” në 2011 dhe “The White Crow” në 2018 në Serbi. 

6. Para se të merrte pjesë në filmat e James Bond ishte kandidat për rolin e Bondit. 

U bënë disa biseda para disa vitesh, që të lozja axhentin 007”, tha për Guardian në 2019-n. “Nuk besoj që do të isha shumë i mirë, por më interesonte më tepër roli si interpretim, veçanërisht nëse do kishte të bënte me vitet 1950. I adhuroj librat e Bond dhe gjithmonë i imagjinoja si bardhë e zi, të ashpra, të zhurmshme dhe shumë të rrezikshme. Dhe mundësisht, jo politikisht korrekte”.

7. Roli që iu duk më i vështirë ishte të lozte me J-Lo në “Maid in Manhattan”.

E vërteta është, që u vështirësova shumë të interpretoj senatorin e ri republikan”, tha ai për Guardian. “U josha që më kërkuan të loz përballë J-Lo. Por, shumë shpejt u vetëdijësova që roli i princit sharmant nuk më shkon”. 

8. Fiennes vuan nga “kriza paniku”. 

Zgjohem në mëngjes me mendje të trazuar për diçka që s’e di çfarë është, thjesht një ndjesi e përgjithshme pasigurie të thellë”, tha për revistën "Esquire" në vitin 2014. “Vjen nga e pavetëdijshmja besoj. Frika e ekzistencës. Një ndjenjë e çuditshme paniku në muzg. Mendojmë që mund ta organizojmë jetën tonë sipas një rendi që mund ta kontrollojmë, por në realitet nuk është e realizueshme. Në jetët tona, vigjilon gjithmonë kaosi”. 

9. Për pak, desh refuzoi rolin e tij emblematik si Lordi Voldemort te “Harry Poter”. 

E vërteta është që nuk i njihja librat dhe filmat e Harry Poter”, pohoi gjatë një interviste në 2019. “Më kontaktuan nga produksioni. Mike Newell, mori përsipër regjinë ku donin të lozja Voldemortin herën e parë, që do shfaqej fizikisht. Nga mosdija, mendova që s’qe për mua. Isha hezitues”. Fiennes shpjegoi në vazhdim që fakti që qe ungj në jetën e vërtetë, e ndihmoi të marrë vendimin për rolin e të keqit në filmat e Harry Poter. “Ndikim vendimtar pati motra ime Marta, e cila ka tre fëmijë, që atëherë ishin përafërsisht 12, 10 e 8 vjeç. Më tha: “Çdo që të thuash? Duhet ta bësh!”. Ndaj më vonë e mendova seriozisht”. 

 

Burimi: bbcamerica.com

Përktheu: Eleana Zhako

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.