Pastrim parash sipas mënyrës kineze/3.8 trilionë dollarë që nga viti 2006
Në tetor të këtij viti, Propublica publikonte një shkrim mbi një hetim të DEA-s amerikane rreth pastrimit të parave të karteleve të drogës në Amerikën Latine. Njeriu kyç i hetimi: Xizhi Li, që cilësohet një “gangster kino-amerikan”, që sugjerohet se përfaqëson një “sistem revolucionar të pastrimit të parave” në rrafsh ndërkombëtar me implikimin edhe të një shteti si Kina. Ngjarjet nisin të rrëfehen që nga viti 2017 kur DEA identifikoi “një figurë misterioze në Meksikë, të cilit bosët e drogës i kishin besuar milionat e tyre”.
Duke vepruar me mprehtësinë e një financieri dhe me zanatin e një spiuni, ai ndihmoi në zhvillimin e një sistemi inovativ që revolucionarizoi botën e nëndheshme të drogës dhe fortifikoi kartelet
shkruan media në fjalë.
Li duket se zgjidhi një problem të vjetër të karteleve të drogës: si të shndërrosh paranë kesh të fitur me trafik në pasuri të patundshme legjitime. Kartelet meksikane kanë përdorur për një kohë të gjatë metodën e kalimit illegal të parasë nga SHBA që është tregu kryesor i drogës për të përdorur mandej shtëpi këmbimi për të future paranë në sistemin financiar. Për të përmbushur qëllimin final punësoheshin ndërmjetës libanezë apo kolumbianë që tarifonin 18 cent/dollar.
Metoda në fjalë ishte e kushtueshme dhe zgjaste: kërkonte javë, muaj dhe në fakt sasia e parave të mbledhura në një godinë i ekspozohej çdo lloj rreziku deri edhe grabitjes. Li duket se ofron një zgjidhje të favorshme. Gjashtë vjet më parë, operativët e DEA-s në Çikago vëzhguan njerëz të karteleve që çonin para drejt Chinatown, një enklavë imigrantësh rreth 2 milje larg qendrës së qytetit të njohur. Paratë dorëzoheshin në valixhe te korrierët kinezë që drejtoheshin nga Li. Shkëmbimi ndodhte në motele dhe parkingje. Korrierët nuk mbanin armë më vete, as ishin persona të skeduar, ata ishin studentë, kamarierë, shoferë. Si folës jo të mirë të anglishtes ata përdornin si sinjal kontakti foton e numrit serial të një kartëmonedhe dollari.
Pas dorëzimit korrierët njoftonin bosët kinezë në Meksikë, që menjëherë dërgonin pesos në llogaritë bankare apo në kasafortat e bosëve meksikanë të drogës. Në atë moment Li ekzekutonte një zinxhir transaksionesh përmes kInës, SHBA dhe Amerikës Latine për të pastruar dollarët. Lidhjet e tij të fuqishme ndërkombëtare e bënin këtë shërbim të lirë, të shpejtë dhe efiçent: ai garantonte edhe zëvendësimin e parave të humbura në transit. Li dhe patruesit kinezë të parave bashkuan forcat e tregut: bosët e drogës që donin të hiqnin qafësh dollarët dhe një elitë kineze të dëshpëruar për të patur dollar. Modeli i ri hodhi në erë konkurencën
shkruan Propublica.
Pa asnjë përplasje, asnjë incident, gangster kinez ofroni një zgjidhje madhore për një rrjet global trafikimi. Propublica shkruan se skema përfshin elitë e Partisë Komuniste Kineze dhe zyrtarë të qeverisë kineze, për një xhiro totale e cila që nga viti 2006 arrin në 3.8 trilionë dollarë, të cilat kanë dalë nga Kina, që rezulton të jetë kështu “eksportuesi kryesor i parasë së nxehtë”.
Admirati Craig Faller, një nga drejtuesit e ushtrisë amerikane shprehet se e gjitha kjo lehtësohet nga fakti se Kina ka aparatin më të sofistikuar të sigurisë në botë dhe më të madhin, çka shpjegon se të paktën Pekini po mbështet me heshtje këtë që po ndodh. Për fitim ose jo, kjo është çështje e debatueshme. Por përmasa e operacionit të drejtuar nga Li, që implikon banka të tëra dhe një sistem thuajse të pacenueshëm me garanci të paprecedenta në botën e krimit, dëshmon se në këtë rast ka premisa për të dyshuar se bëhet fjalë për një strategji.
Ne dyshojmë se ka motivime ideologjike dhe strategjike të Kinës pas aktivitetit të drogës dhe parave. Ata duan t’I fryjnë zjarrit së urrejtjes dhe përçarjes. Kinezët i kanë parë avantazhet e tregtisë së drogës. Nëse fentanili i ndihmon ata të dëmtojnë SHBA, pse jo?
shprehet ish-zyrtari i lartë i FBI-së, Frank Montoya Jr.
Problemi kinez, nëse mund ta quajmë kështu gjeneralizohet për mbarë Perëndimin edhe në një drejtim të papritur: shndërrimin e krimit në strategji konfrontimi duke luajtur me vrimat e sistemit demokratik dhe atij financiar. Australia njoftoi pak më parë shpërbërjen e një sindikate kriminale kineze që kishte pastruar qindra milionë dollarë me lëvizje në mbarë botën, ndërkohë që edhe Europol ka deklaruar se grupet kineze të pastrimit të parave “përfaqësojnë një kërcënim në rritje për Europën”. Departamenti Amerikan i Shtetit raporton se përmes Kinës në një vit kalojnë 154 miliardë dollarë fonde ilegale, diçka shumë shqetësuese.
Propublica citon DEA-n sipas të cilës hetimi i Li hapi dritare për të kuptuar apo dyshuar se ky ishte një operacion i shtetit kinez për të penetruar politikën amerikane. Kështu një bashkëpunëtor i Li është verifikuar të jetë biznesmeni kinez, që jeton jashtë Kinës, Tao Liu, i cili në New-York ndërmori një fushatë të shtrenjtë lobimi që përfshiu të paktën dy takime me Presidentin e kohës, Donald Trump.
Media në fjalë bën një rezume të gangsterit kinez, që u kap në vitin 2019 dhe u dënua, por vë në dukje se aspekti politik i çështjes mbetet ende sekret. Ajo që bie në sy është jo vetëm metoda e re që duket se do të aplikohet në forma të tjera, por fakti se krimi dhe ilegaliteti gjeneron përherë e më shumë të ardhura, mobilizon përherë e më shumë njerëz, aq sa agjencitë shtetërore sa vjen e bëhen më të pafuqishme të luftojnë me atë që dikur ishte Dukuri, por tashmë po bëhet ekonomi.
s.zaimi
Add new comment