Kina i dorëzon Serbisë sistemin e raketave tokë-ajër HQ-22
Një sistem i sofistikuar kundërajror kinez i është dorëzuar Serbisë këtë fundjavë. Gjashtë avionë transporti Y-20 të Forcave Ajrore Kineze u ulën në aeroportin "Nikola Tesla" të Beogradit të shtunën, ndërsa në bord raportohet se mbanin sisteme raketore tokë-ajër HQ-22 për ushtrinë serbe.
Lajmin e bën të ditur AP, sipas të cilës Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nuk u përgjigj kur iu kërkua koment.
Dorëzimi i armëve mbi territorin e të paktën dy vendeve anëtare të NATO-s, Turqisë dhe Bullgarisë, po shihet nga ekspertët si një demonstrim i shtrirjes globale në rritje të Kinës.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, konfirmoi mbërritjen e sistemit me rreze të mesme për të cilin është rënë dakord me palën kineze në 2019, ndërsa shtoi se do ta paraqesë "krenarinë më të re" të ushtrisë serbe të martën ose të mërkurën.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur Perëndimi e ka shprehur hapur shqetësimin se grumbullimi i armëve në Ballkan në kohën e luftës në Ukrainë mund të kërcënojë paqen e brishtë në rajon.
Edhe pse Serbia ka votuar në favor të rezolutave të OKB-së që dënojnë sulmet ruse në Ukrainë, ajo ka refuzuar t'i bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër aleatëve të saj në Moskë ose të kritikojë drejtpërdrejt mizoritë e dukshme të kryera nga trupat ruse atje.
Në vitin 2020, zyrtarët amerikanë paralajmëruan Beogradin për blerjen e sistemeve kundërajrore HQ-22, versioni i eksportit i të cilit njihet si FK-3. Ata thanë se nëse Serbia vërtet dëshiron t'i bashkohet Bashkimit Evropian dhe aleancave të tjera perëndimore, ajo duhet të harmonizojë pajisjet e saj ushtarake me standardet perëndimore.
Sistemi i raketave kineze është krahasuar gjerësisht me sistemet e raketave amerikane Patriot dhe ruse S-300, megjithëse ka një rreze më të shkurtër se S-300 më të avancuara. Serbia do të jetë operatori i parë i raketave kineze në Evropë.
Një aspirante për pranimin në BE, Serbia i ka pajisur forcat e saj të armatosura me armë ruse dhe kineze, duke përfshirë avionë luftarakë, tanke luftarake dhe pajisje të tjera.
Në vitin 2020, iu dorëzua dronët Chengdu Pterodactyl-1, të njohur në Kinë si Wing Loong. Dronët luftarakë arrijnë të godasin objektivat me bomba dhe raketa dhe mund të përdoren për detyra zbulimi.
Add new comment