Putin ndryshoi pas vrasjes së Gedafit. Krimea dhe sulmi ndaj Kiev, me paralele nga Kosova

Postuar në 18 Mars, 2022 13:20

Politologu bullgar Ivan Krastev ka dhënë së fundmi një intervistë për gjermanen “Der Spiegel” përmes së cilës ka komentuar zhvillimet e fundit në Ukrainë dhe ripozicionimin gjeopolitik të Rusisë në skenën ndërkombëtare. Krastev kujton një takim të dikurshëm me presidentin rus në Soçi ku ai foli para të ftuarve nga Perëndimi për atë që e quante shovinizmi dhe hipokrizia perëndimore.

Por atë kohë Putin nuk e kishte mesianizmin që përshfaq sot

shprehet politologu.

Sipas tij Putin është aktualisht produkt i vetes, i një pushteti të pasfiduar prej 20 vjetësh që ka bërë pjesë të axhendës së vet një interpretim unik për rolin historik të vendit të vet. Meriton vëmendje këtu një lexim psikologjik që Krastev sjell për Putin nga takimi me të:

Shumë inteligjent dhe i shpejtë, i drejtpërdrejtë, konfrontues. Sarkastik kur fliste me dikë nga Perëndimi. Janë gjërat e vogla që zbulojnë kryesore për njerëzit. Ai ishte i drejtpërdrejtë për situatën në Donbas si një agjent i huaj që e di sesa njerëz jetojnë në secalin fshat dhe se cila është situata në secalin prej tyre…Hipokrizia e Perëndimit është bërë një fiksim për të  dhe reflektohet në çdo gjë që qeveria ruse bën. A e dini që në deklaratën e tij për aneksimin e Krimesë ai mori pasazhe thuajse verbatim nga deklarata e Pavarësisë së Kosovës që u mbështet nga Perëndimi? Ose se sulmi në Kiev nisi me shkatërrimin e kullës së televizionit, njësoj sikundër NATO veproi në Beograd më 1999?

shprehet Krastev.

Ky pasazh, apo ky lexim ka rëndësi jo vetëm simbolike pasi zbulon se qasja ruse ndaj ndërhyrjes në Kosovë është diçka që nuk ka të bëjë me koniunkturën, por është më e thellë.

Ai do të na thotë: kam mësuar prej jush. Në atë mbrëmje në Soçi ai shprehu mëri që ankesimi i Krimesë ishte krahasuar me aneksimin e Sudeteve nga Hitleri më 1938. Putin jeton në analogjitë dhe metaforat historike

vijon studiuesi.

Ky është kuadri mendor i Presidentit rus që paraqitet këtu si dikush që lexon në mënyrë analitike dhe me mekanizmin shkak-pasojë të çdo zhvillimi që qarkon Rusinë, tradhëtinë e së cilës e sheh sidomos në invadimin e vlerave të një Perëndimi dekadent. Nëse është kështu, atëherë kjo nuk ka sesi të jetë kritikë, pasi ky fill mendimi ka rrënjë të hershme në Rusi, në historinë e mendimit intelektual të saj, pasi që prej dy shekujsh Perëndimi është parë aty si përfaqëues i dekadencës dhe çdo gjëje të kundërt me shpirtin rus. E megjithatë në këto që po ndodhin vepron edhe logjika e dikujt që ka pushtetin e që do ta mbajë atë, madje duke menduar se ai ka për detyrë të ruajë shtetin.

Thuhet se Putin e pa fundin e Gedafit në television për disa orë. Dhe se vendimi I tij për të rimarrë pozicionin e Presidentit nga Medvedevi, që nuk kishte qenë fillimisht pjesë e planit, ishte një reagim ndaj asaj që ndodhi në Libi sepse ai nuk donte të njëjtin fund si Gedafi

thotë Krastev.

E njëjta aplikohet me rusët që nuk e duan Putinin, por që nuk janë trajtuar mirë as nga Perëndimi

vijon ai duke vënë në dukje se Rusia e sotme është përfundim I një presioni të madh nga Perëndimi.

Lidhur me shanset e një fitoreje të Ukrainës, Krastev ka sjellë si argument një studim të “Harvardit” sipas të cilit në shekullin e 20-të fuqitë më të mëdha ushtarake fituan 45% të luftërave. Çfarë do të ndodhë? Mbetet ende e paqartë sesi do të vijë paqja, pasi Krastev një gjë të vërtetë e thotë: e vetmja gjë që mësoi bota këto dy javë është se rusët dhe ukrainasit janë dy gjëra të ndryshme. Edhe pse historia e atij vendi përbëhet nga dështime kolosale, ekzistenciale, sikundër edhe ringritje të pabesueshme.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.