Gerhard Schröder, një hije e errët mbi politikën e jashtme të Berlinit
Në konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës, qasja e Gjermanisë po shihet me dyshim nga disa. Dhe ish-kancelari Gerhard Schröder është një nga arsyet kryesore për këtë. Ai po shkon në drejtim të kundërt me qasjen që ka partia e tij. Sipas Der Spiegel, e cila analizon këtë përplasje, shumica e gjermanëve kanë të njëjtin qëndrim si Schröder: paqja me Rusinë është e vetmja gjë që ka rëndësi.
Por në kampin politik të Shroderit ka filluar të thuhet se ai po minon politikën e jashtme të Gjermanisë dhe Evropës.
Historia e SPD-së është plot me thyerje dhe përçarje. Por marrëdhënia midis Gerhard Schröder, i cili ishte kancelar nga viti 1998 deri në 2005, dhe partisë së tij po kthehet në një dramë politike me përmasa të mëdha. Mënyra në të cilën marrëdhënia është përkeqësuar me kalimin e viteve është e paprecedentë.
Disa vite më parë, Schröder ishte thuajse në statusin e heroit brenda partisë. Ai fitoi zgjedhjet, çoi në pension Helmut Kohl dhe refuzoi pjesëmarrjen gjermane në pushtimin e Irakut. Por gjithçka ndryshoi që kur u largua nga Kancelaria. Së pari, partia e tij filloi të vinte në dyshim reformat e mirëqenies që Schröder kishte prezantuar kur ishte kancelar, dhe më pas Schröder nisi lidhjen e tij me Rusinë. Me kalimin e viteve, ai është kthyer nga një burim acarimi për SPD-në.
Aktualisht, në Gjermani, 77-vjeçari shihet si një rrezik për partinë e tij, për kancelarin aktual Olaf Scholz dhe, sipas disave, për të gjithë vendin. Në një kohë kur Perëndimi ka vënë në lëvizje të gjithë vagonët diplomatikë që disponon, në përpjekje të kombinuar për të penguar Putinin të marshojë drejt Ukrainës, ish-kancelari gjerman po kërkon t’i thellojë lidhjet e tij të biznesit me Rusinë. Së bashku me miqtë e tij në bregun e Detit Baltik, Schröder tani po përpiqet të shpëtojë gazsjellësin Nord Stream 2, pezullimi i të cilit shihet gjerësisht si një element kyç në paketën e sanksioneve që synojnë të kufizojnë agresionin e Putinit.
Në qershor, Schröder pritet të bëhet anëtar i bordit të drejtorëve të Gazprom. Ky do të ishte pozicioni i tij i katërt drejtues në sektorin energjetik të Rusisë të dominuar nga Putini. Ai tashmë mban poste në koncernin e naftës Rosneft, në kompaninë që operon Nord Stream 1 dhe në Nord Stream 2.
Në gjirin e socialdemokratëve, të qenit në listën e pagave të Putinit nuk shihet me sy të mirë, madje shumë thonë se cilësohet moskokëçarje për kostot që i shkaktohen partisë.
Gjatë 16 viteve të qeverisjes së Angela Merkelit, angazhimi i Schröder si lobist gazi nuk ishte kaq i rëndësishëm. Të gjithë e dinin se kontrollin e kishte Merkel. Por që kur Olaf Scholz mori postin e kancelarit, lidhjet e Schröder me Rusinë janë bërë fokusi i vëmendjes ndërkombëtare. Aleatët janë bërë më të rezervuar dhe shumë në kryeqytetet e botës kanë filluar të pyesin se çfarë qasjeje ka, saktësisht, SPD e Gjermanisë, veçanërisht kur bëhet fjalë për kryqëzimin midis interesave të biznesit, moralit dhe politikës së jashtme të bazuar në vlera. A ka ende Schröder ndikim mbi partinë? Mbi kancelarin?
Emri i tij gjendet gjithnjë e më shpesh në pyetjet që i drejtohen kancelarit të ri, Olaf Scholz. Në një udhëtim të fundit në Uashington, Scholz u përball me një pyetje të tillë, në një intervistë me Jake Tapper të CNN. "Ai nuk po flet në emër të qeverisë. Nuk po punon për qeverinë. Ai nuk është qeveria. Kancelari tani jam unë". Ky ishte sikleti i radhës për kancelarin e ri gjerman, i cili është detyruar disa herë të sqarojë se kush është lideri politik i Gjermanisë.
Add new comment