Frika, doza e vetme efektive e pandemisë

Postuar në 27 Nëntor, 2021 17:49

Në datën 21 nëntor 2021, gazeta e majtë britanike “The Guardian” publikonte një shkrim me titullin: Është Delta, supervarianti i fundit i Covidit? Në shkrim vihej në dukje mënyra e përhapjes së këtij varianti, kapaciteti i lartë i transmetimit dhe dominimi në masën 99.5% i tij. Aq sa u fol për një pandemi të Deltas. Ja një pasazh nga shkrimi i njërës prej mediave më manipulative në botë:

Një mundësi është që pas kërcimit fillestar dramatik në sekuencën e vet genetike, që i dha mundësi shfaqjes së Alpha, e më pastaj Delta-s, Sars-Cov-2, tani do të ndryshojë ngadalë dhe rregullisht, duke lëvizur eventualisht përtej kapaciteteve trajtuese të vaksinave, por vetëm në kursin e disa viteve

Për ta mbështetur këtë hipotezë gazeta sillte komentet e disa shkencëtarëve mes të cilëve edhe ai i Francosi Balloux, i UCL Genetics Institute që thotë:

Për gripin dhe të tjerë koronaviruse ne dimë fare mirë se duhen rreth 10 vjet për virusin që të akumulojë mjaftueshëm ndryshime për të mos u njohur nga antitrupat në gjak

Çka do të thotë se kapërcimet genetike dhe i ashtuquajturi anashkalim i sistemit imunitar, nuk është një gjë e re për shkencën dhe as shfaqje unike për Sars-CoV-2. Nëse do të kontrollojmë njoftimet mediatike dhe ato zyrtare për variantin Delta, bërë pak muaj më parë, do të vëmë re të njëjtën klimë alarmizmi që kemi tani me variantin Omicron. Më 25 gusht 2021, Japonia p.sh njoftonte zgjatjen e gjendjes së emergjencës, ndërkohë që një ditë më pas, më 26 gusht, CDC-ja amerikane përcillte informacionet e veta për këtë variant. Transmetueshmëria dhe përhapja, dy problemet kryesore të variantit që e bënin atë alarmant. Fjalia magjike: Të pavaksinuarit mbeten shqetësimi më i madh.

Mirëpo pak muaj më pas, ose pak ditë më parë, legjendimit se mosvaksinimi përbën problem, i doli boja, teksa në shtetet e SHBA ku ka shkallë më të lartë vaksinimi, rastet e reja sa vijnë e shtohen. Vermonti në krye të listës së këtij paradoksi që nuk justifikon më asgjë nga propaganda e deritanishme për vaksinimin. Kjo teknikë bindjeje e opinionit publik që është shndërruar në nëj pacient që jeton prej dy vjetësh në pavionin global të pandemisë, vazhdon këto orë me variantin Omicron. Më i tmerrshmi nga të gjithë, me mutacione më shumë nga çdo variant dhe që madje e zhvlerëson vaksinën. Afrika  e Jugut, që tani është nën akuzën e faktit se është origjinë e variantit, po ankohet se është viktimë e kapaciteteve të veta për të detektuar mutacionet, meqenëse masat e marra thuajse automatikisht për ndalimin e fluturimeve, penalizojnë pikërisht këtë vend.

Ne mund të imagjinojmë sesi do të ecë tashmë procedura e informimit publik: masat e marra nga BE-ja për të kërkuar doza shtesë dhe kufizuar afatin e pasaportës së vaksinimit, do të justifikohen tashmë fare lehtë

Së dyti, do të kemi kompanitë e zhvillimit të vaksinave që në një javë do të dalin me konkluzionet e veta për efektivitetin e vaksinës kundër variantit Omicron, duke sugjeruar eventualisht kombinim dozash, ose dozën e katërt. Për ta kaluar menaxhimin e pandemisë në një rutinë vaksinimi dhe inkuadrimin e vaksinës në protokollin periodik të çdo fëmije që lind në këtë botë.

Pasiguria është bërë arma kryesore në këtë situatë që në të vërtetë e ka kthyer frikën e njerëzve në variabël të bursës. Sepse është krejtësisht e papranueshme, të paktën në planin komunikativ, që alarmi global për CoVid-19 të mbahet në mënyrë konstante si në vende që kanë shkallë të lartë vaksnimi, ashtu edhe në ato që kanë shkallë të ulët. Është e papranueshme kjo teksa dëgjon zyrtarë të sistemeve ndërkombëtare shëndetësore të flasin për shndërrimin e sëmundjes nga pandemi, në sëmundje endemike, kurse nga ana tjetër masat sa vijnë e shtrëngohen. 

Është e papranueshme të veprosh kështu me frikën kur sistemet shëndetësore kanë 2 vjet që përballen me pandeminë dhe dinë shumë herë më mirë të trajtojnë në çdo drejtim një të sëmurë dhe kur ne sot nuk kemi qoftë një rast të vetëm në botë të kolapsit të sistemit, pavarësisht gravitetit të sëmundjes. Është e papranueshme dhe madje fundi i çdo arsyeje, për të bashkëjetuar me këtë propagandë të kalimit në politikë represive me vaksinimin siç bëri Austria e tani me gjasë edhe vende të tjera, përderisa çdo variant i ri që i prezantohet njerëzimit vjen me përshkrimin se vaksina nuk është efektive. Këtu nuk po flasim për komplotin e bluzave të bardha, por për një klimë që nuk përligjet më nga asgjë, veç nga interesi.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.