SHBA dhe Europa merren vesh për tarifat e çelikut
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë arritur një marrëveshje mbi tarifat e çelikut dhe aluminit, një çështje që i ka ndarë palët që nga koha kur ato u vendosën nga ish-presidenti Donald Trump. Zgjidhja e ngërçit disavjeçar u njoftua nga Shtëpia e Bardhë të shtunën, ndërsa Presidenti Joe Biden ndodhet në Romë për të marrë pjesë në samitin e Grupit 20.
Me pretendimin se produktet e prodhuara jashtë vendit kërcënonin sigurinë kombëtare të vendi, presidenti Trump vendosi në vitin 2018 taksë për çelikun dhe aluminin që importohej nga vendet e BE-së. Trump përdori për këtë nenin 232, por shumë vende të Unionit u kundërpërgjigjën me tarifa respective mbi produktet amerikane si motoçikletat e prodhuara në SHBA, uiskin, gjalpin e kikirikut dhe xhinset, ndër të tjera.
Në bazë të marrëveshjes së re, e cila u njoftua nga këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan, përfaqësuesja e Tregtisë e SHBA-së, Katherine Tai, dhe sekretarja e Tregtisë, Gina Raimondo, tarifat e nenit 232 nuk do të hiqen plotësisht, por një pjesë e çelikut dhe aluminit evropian do të lejohet të hyjë në SHBA pa tarifa sipas marrëveshjes.
“Ne arritëm një marrëveshje me anë të së cilës BE do të heqë tarifat e saj hakmarrëse (për mallrat amerikane),” tha Raimondo. Marrëveshja do të garantojë që "i gjithë çeliku që hyn në SHBA përmes Evropës prodhohet tërësisht në Evropë", shtoi Raimondo.
Lehtësimi i tarifave është një hap kyç në raportet SHBA-Europë, të cilat presidenti Biden synon t’i përmirësojë.
Tarifat amerikane dhe kundërtarifat europiane i dëmtuan prodhuesit evropianë dhe rritën kostot e çelikut për kompanitë amerikane. Për më tepër, ato penguan arritjen e objektivave që Trump pati deklaruar për krijimin e vendeve të punës në fabrikat e çelikut. Në maj të këtij viti, BE bëri tërheqjen e parë duke pezulluar përkohësisht rritjet e planifikuara. Kjo do të thoshte se uiski amerikan përballej me një taksë 25% në Evropë, në vend të një takse të planifikuar prej 50%. Afati I palëve për të shmangur norma më të larta taksash ishte dhjetori.
Add new comment