Afganistani adopton përkohësisht kushtetutën e monarkisë së 1964-s

Postuar në 28 Shtator, 2021 16:31

Talibanët kanë miratuar përkohësisht një kushtetutë të vitit 1964, e cila u jep grave të drejtën e votës, por eliminon çdo element me të cilin ata nuk pajtohen. Vendimin e njoftoi ministri në detyrë i Drejtësisë.

"Emirati Islamik do të miratojë kushtetutën e kohës së ish-mbretit Mohammad Zahir Shah për një periudhë të përkohshme", tha Mawlavi Abdul Hakim Sharaee.

Por ligji themelor i shtetit do të zbatohet pjesërisht. Kjo pasi çdo element i Kushtetutës së vjetër që bie ndesh me ligjin e Sheriatit dhe parimet e Emiratit Islamik do të hidhet poshtë.

Gati gjashtë dekada më parë, para ndërhyrjes së superfuqive botërore, Afganistani përjetoi një periudhë të shkurtër monarkie kushtetuese gjatë sundimit të mbretit Mohammad Zahir Shah.

Mbreti ratifikoi kushtetutën një vit pasi erdhi në pushtet në 1963. Pasoi gati një dekadë demokraci parlamentare, e cila do të rrëzohej në 1973.

Kushtetuta e vitit 1964, e cila u dha grave të drejtën e votës për herë të parë dhe hapi dyert për rritjen e pjesëmarrjes së tyre në politikë, duket përshtatje e vështirë me pikëpamjet e ashpra të talebanëve.

Grupi që mori drejtimin e Afganistanit pas largimit të trupave amerikane ka premtuar një qasje më të butë dhe më gjithëpërfshirëse sesa gjatë sundimit të tyre të mëparshëm (1996-2001), kur gratë u përjashtuan nga jeta publike, përfshirë punën dhe arsimin.

Megjithëse qeveria kujdestare e talebanëve premtoi një qasje më të butë ndaj femrave kur u prezantua në fillim të këtij muaji, asnjë e tillë nuk ishte pjesë e saj.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.