Po nëse kultura e anulimit arrin deri te latinishtja dhe Odiseja?
Fenomenet e fundit të mbledhura nën emrin e kultura e anulimit (diçka e ngjashme me "censurën kulturore") mund të gjykohen nga dy këndvështrime. Të këmbëngulësh në të qenit politikisht korrekt në aspektin e racës dhe gjinisë është një mënyrë për të shmangur diskriminimin që ekziston ende dhe për të ribalancuar pabarazitë e vjetra dhe të mëdha në fushat e studimit, deri para disa dekadash prerogativë pothuajse ekskluzive e meshkujve të bardhë.
Por, të gjykosh veprat e së kaluarës vetëm mbi përkatësinë etnike dhe gjininë e autorëve ose mbi një ndjeshmëri që ishte në mënyrë të pashmangshme ndryshe nga ajo aktuale, rrezikon të na privojë nga një trashëgimi vendimtare mbi të cilën është ndërtuar historia jonë. Dhe kjo ndodh për shkak të hakmarrjes aktive të një pakice luftarake dhe konformitetit miratues të shumë të tjerëve, ndoshta të gjetur midis një ndjenje faji të përgjithshme perëndimore dhe frikës për t'u margjinalizuar nga tendenca mbizotëruese.
Shembujt e kulturës së anulimit po shumohen në botën anglo-saksone, por as Evropa kontinentale nuk është e përjashtuar nga kjo tendencë. Kohët e fundit ka hapur debat një nismë e Universitetit Princeton, një nga më prestigjiozet në botë, për të hequr detyrimin për të studiuar greqishten dhe latinishten në kurrikulën e studimit për një diplomë në Letërsinë e Lashtë. Tekstet mund të lexohen të përkthyera. Kjo zgjedhje ka ardhur për shkak të racizmit sistematik që qëndron pas Departamentit të Studimeve Klasike, "jomikpritës për studentët e zinj dhe ata me ngjyrë". Një vendim më drastik u mor në Universitetin Howard në Uashington, i themeluar në 1867 dhe që atëherë i hapur pa kufizime për studentët afrikano-amerikanë, ku studiuan shkrimtari Toni Morrison dhe nënpresidentja Kamala Harris. Atje, letërsia antike thjesht është hequr, zyrtarisht për arsye buxhetore. Vështirë të besohet se për këtë janë marrë në konsideratë vetëm arsye ekonomike.
Një shkollë e mesme në Masaçusets e hoqi Odisenë nga programi për mungesë respekti ndaj grave, dhe mësuesja që promovoi fushatën u mburr në rrjetet sociale me atë që arriti. Megjithatë, nuk munguan reagimet. Revista “Atlantic” e kritikoi veprimin e Princeton, duke argumentuar se kjo do të përforcojë racizmin, në vend që ta zvogëlojë atë. Përfundimisht, të diplomuarit do të jenë më pak konkurrues sesa kolegët që kanë vijuar t’i studiojnë tekstet famëkeqe. Dhe do të humbasin rrënjët e një mendimi që ka prodhuar edhe përparimin më të mirë në frontin e të drejtave të njeriut, bij të një gjenealogjie komplekse që e ka një nga qendrat e saj kryesore në Krishtërim.
Një efekt paradoksal është se krijohet një thyerje e dyfishtë në shoqëri dhe akademi. Nëse një pjesë e vendit tashmë ka një qëndrim mosbesues, të ndërsjellë (mbani mend Hillary Clinton), ndaj elitave, tani një pjesë, më e moderuar (le të themi), akuzon censorët e rinj për qëndrime antiintelektualiste. Këta të fundit, në sytë e Amerikës (asaj që votoi për Trump), janë pikërisht "intelektualët" më larg nga realiteti, të akuzuar për përçmimin e historisë dhe traditave kombëtare, për të imponuar një mendim të ri të vetëm që bën një spastrim të së kaluarës. Sidoqoftë, nuk janë vetëm autorët dhe statujat e skllevërve ose eksponentëve të patriarkatit të pabarabartë (përfshirë Kristofor Kolumbin dhe, në Itali, Indro Montanelin) ata që rrëzohen.
Nën hijen e kulturës së anulimit përfundojnë edhe librat e rinj, për shkak të revoltës së vetë punonjësve të shtëpive botuese kundër dorëshkrimeve në procesin e botimit. Kohët e fundit i ndodhi regjisorit Woody Allen, i dyshuar për ngacmimin e vajzës së tij të birësuar, por akuzat ranë. Kur Hachette njoftoi botimin e autobiografisë së tij, djali i tij, Ronan Farrow, mobilizoi autorët dhe punonjësit e grupit në Shtetet e Bashkuara, i cili kulmoi me një grevë që bëri që gjiganti të anulojë kontratën. Vepra më pas u publikua nga Arcade dhe në Itali u përkthye nga “Nave di Teseo”.
Një kryengritje të brendshme shenjoi edhe njoftimin për kujtimet e ish-nënpresidentit Mike Pence, për "Simon & Schuster". Por menaxhmenti i lartë i kompanisë deri më tani u ka rezistuar protestave të brendshme dhe të jashtme që lidhen me pozicionim të supozuar dhe intolerancën e pretenduar, si të librit edhe të vetë numrit dy të Shtëpisë së Bardhë. Një fat tjetër pati gazetari kontrovers pro-Trump, Milo Yiannopoulos, të cilit në vitin 2017 iu anulua marrëveshja për një libër pikërisht nga "Simon & Schuster" pas deklaratave provokuese mbi pedofilinë, feminizmin dhe islamin. Në Francë, autorët të cilët në të kaluarën mbaheshin në pëllëmbë të dorës nga progresistët për aftësinë e tyre për të thyer tabu, duke filluar me seksualitetin jokonvencional, kanë përfunduar në shënjestër. Sidoqoftë, sot, nën presionin e lëvizjes #metoo (me të drejtë në denoncimin e ngacmimeve sistematike pavarësisht se e kanë kaluar disa herë masën), shkrimtarë të tillë si Gabriel Matzneff ose Tony Duvert dhe veprat e tyre janë bërë të paprezantueshme. Librat dalin nga shtypi gjithsesi (edhe ai i Yiannopoulos, me sukses), botuesit kanë bërë gjithmonë përzgjedhje dhe jo gjithmonë në mënyrën më të mirë, shkroi filozofi Neil Levy, duke iu përgjigjur, me moderim, frikës nga vala e nxjerrjes jashtë platformave ose nga largimi prej podiumi. Mendimi mbetet i lirë, por pa qasje në disa kanale të shpërndarjes.
Sidoqoftë, nuk ndodh gjithmonë kështu, nëse kultura e anulimit insinuohet butë në disa fusha. Tregu i lirë i ideve duket një antidot i shkëlqyer për të gjitha teprimet, të cilat në periudhën afatmesme shpërbëhen dhe lënë hapësirë për ndryshimin e ekuilibrit (jo gjithmonë për mirë, por jo domosdoshmërisht për keq). Rreziku mund të lindë kur shumë universitete, botues dhe media të zakonshme i përshtaten modës, oportunizmit ose frikës, duke lënë pak hapësirë për pluralizëm dhe kundërshtime. Gara jotolerante drejt drejtësisë dhe azhurnimit të vlerave bashkëkohore mund të rezultojë në një jakobinizëm që nuk gjen prehje dhe përfundon duke gërryer gjithçka.
Edhe autori ka pasur njëfarë përvoje të vogël, si parva licet cum magnis comparare (do të ishte më mirë ta shmangnim latinishten). I ftuar për të shkruar një kapitull në një koleksion mbi neuroteknologjinë dhe lirinë e shprehjes, mora një koment nga botuesi, një markë e rëndësishme akademike angleze tani pjesë e një grupi në pronësi gjermane: "Ne jemi të shqetësuar për një pasazh. Autori përshkruan një skenë nga "Comus" të Milton, e cila ka të bëjë me një sulm seksual të kryer ndaj një gruaje dhe kemi frikë se gjuha e përdorur është e vjetëruar dhe nuk e kornizon atë me ndjeshmëri të mjaftueshme. Ne e kuptojmë që poema në vetvete shpreh një perspektivë të vjetër mbi dhunën seksuale, por ne besojmë se autori mund të bëjë një punë më të mirë për ta paraqitur pjesën në një mënyrë që është e përshtatshme për ndjeshmërinë bashkëkohore mbi këtë çështje."
Redaktorët e vëllimit (një studiues gjerman dhe një amerikan) u hutuan: përveç ironisë së censurës në një libër mbi lirinë e shprehjes, shembulli synon të tregojë forcën e mendjes së protagonistit, i cili tregon se si jeta e brendshme ruhet edhe kur trupi sulmohet, ndërsa neuroteknologjitë duket se janë në gjendje të kapërcejnë edhe kufirin e fundit. Për më tepër, John Milton është për letërsinë angleze siç është Manzoni për letërsinë italiane. Por në fund, analogjia nuk ishte qendrore dhe hapja e një mosmarrëveshjeje do të vononte daljen e librit nga shtypi, duke dëmtuar autorët e tjerë. Kështu që unë hoqa disa rreshta, duke e zbehur atë detaj. A u bëra bashkëpunëtor i kulturës së anulimit? Për kaq pak, ndoshta jo. Ose ndoshta po.
Shkrimi është botuar në Avvenire.it
Përktheu: Gazmira Sokoli
Comments
Barbari, vandali .....
Barbari, vandali ..... Odiseja nuk ishte feminist e nuk dinte te merej me grate e shekulit 21!
po e pershtat kete batute filmi (e gjen redaksia nga eshte) per tu thene nje te vertete shume te madhe:
Injoranca dhe budallalleku i races njerezore nuk ka fund....
pse pak budalle ishin amerikanet (e shkollave elite) pa kulturat e lashta ... tashti jane futur ne gare per cmimin e madh DUMB & DUMBER.
Add new comment