Basti me alarmin pandemik Delta
Varianti Delta i Sars-CoV-2 është skalioni i ri i goditjes pandemike. Duke nisur që nga fillimi i korrikut të këtij viti, Delta nisi të invadonte me tituj mediat kryesore, duke u shndërruar kështu në armikun e ri.
Politika u soll siç di: kërcënimi i Delta-s përkon me mënyrën si po administrohen vaksinat. OBSh ka bërë thirrje që vaksina të shpërndahet më mirë dhe vendet e pasura të mos krijojnë stok apo të përgatisin dozën e tretë ndërkohë që vendet e varfra kanë mangësi serioze. Alarmi ka vepruar duke nxitur politika parandaluese.
Mirëpo është vërtet vaksina parandaluese? Nuk ka një konsensus për këtë në komunitetin mjekësor. Kushdo mund të lexojë se pasiguria e vitit 2020 po përsëritet sërish dhe se kushdo po nxiton të japë konkluzionet e veta.
Ka vetëm një konsensus: Delta është shumë ngjitës. Dhe logjikisht ai ka potencialin e krijimit të një krize të re spitalore.
Mandej: të vaksinuarit janë më të mbrojtur, por edhe ata duhet të mbajnë maskë sepse janë bartës. Mandej cilat vaksina mbrojnë më shumë: Pfizer në krye, pastaj të tjerat.
Problemi është se si u bënë këto verifikime? Pyetja nuk është për të krijuar dyshim për hir të dyshimit, por fakt është se vendet kanë krijuar stok vaksinash, kanë bërë blerje, kanë marketuar suksesin dhe tani do të duhet të konsumojnë si zgjidhje immediate vaksnimin. Që duhet ta themi menjëherë: është i dobishëm. Duhet bërë. Por ai nuk është garanci. Dhe duke mos qenë i tillë nuk justifikon politikat që po ndiqen.
Qeveritë dhe mjekësia sidomos po heqin një bast të madh me alarmin për variantin e ri, pasi askush nuk e di sesi do të sillet ai në vjeshtë. Rasti i Suedisë dhe vetë varianti fillestar kapi në befasi shumëkënd dhe e skualifikoi karantinimin që në shoqëritë e sotme është shumë i vështirë. Ai model menaxhimi shpalli vaksinën si sukses dhe fitore. Sot po e mbron këtë fitore si investim që nesër të mos vihet nën akuzën e zakonshme irracionale të njerëzve që vihen në presionin e një krize. Dhe kështu, mënyra e menaxhimit e kthen vaksinën nga mjet të dobishëm në simbol politik që po ndan shoqëritë dhe ilustron një paqartësi të madhe për vendimmarrjen.
Viruset evoluojnë, shumë prej tyre i ikin sistemit tonë imunitar. Sars-Cov-2 ka status të veçantë sepse fitoi kampionatin e shpalljes me tituj së pandemisë. Në 2009 e kishte një tjetër virus meritën, por që nuk u bë kaq i famshëm. Nuk është e qartë tashmë nëse fama është ajo që prodhon terapitë, apo graviteti i sëmundjes që padyshim nuk është për t’u injoruar. Kush e ka kaluar si sëmundje e di këtë dhe ndoshta diskutime të tilla i duken pa vlerë. Por një sëmundje ka patjetër regjimin e vet. Problemi është se nuk po e dimë me siguri cili është ky regjim dhe ta pranojmë. Thjesht po improvizojnë sipas shfaqjeve për të dëmtuar qoftë shëndetin, qoftë besimin. Dhe kjo ka pasoja.
s.zaimi
Add new comment