BQE teston euron dixhitale
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2021/07/lagarde_2021_07_14_21.jpg?itok=ZFnlk0KH)
Banka Qendrore Evropiane do të krijojë një version dixhital të monedhës euro dhe do të ndjekë zbatimin e saj për 24 muaj. Vendimi ishte i pritshëm që kur Presidentja e BQE-së, Christine Lagarde, njoftoi para pak ditësh se po punohet për euron dixhitale.
Masa shënon fillimin e eksperimentimeve në botën reale me versionin dixhital të monedhës së vetme zyrtare të BE-së. Sipas një njoftimi për shtyp, të cilit i referohet politico.eu, BQE dhe bankat qendrore kombëtare kanë testuar më parë versionet prototip të euros dixhitale.
"Kjo nuk do të paragjykojë ndonjë vendim të ardhshëm mbi lançimin e mundshëm të një euroje dixhitale, e cila do të vijë më vonë," tha Fabio Panetta, anëtar i Bordit Ekzekutiv të BQE, duke shtuar se “në çdo rast, një euro dixhitale do të plotësonte paratë kesh dhe jo t’i zëvendësonte".
Monitorimi ka për qëllim të ndihmojë në modelimin e monedhës dixhitale për të minimizuar krimin financiar, si dhe për të vlerësuar efektin e saj të mundshëm mbi bankat, stabilitetin financiar dhe politikën monetare. Hulumtimi "do të hedhë dritë mbi ndryshimet në kornizën legjislative të BE që mund të jenë të nevojshme për futjen e një euroje dixhitale", tha Panetta.
BQE dhe Parlamenti Evropian do të diskutojnë mbi funksionet dhe objektivat e politikës së euros dixhitale deri në fund të 2021, sidomos mbi çështje të diskutueshme të tilla si privatësia e përdoruesit.
Add new comment