Itali/ Një polemikë që pleks bashkë vaksinën dhe një prokuror të antimafias
“Masakra e shtetit”, një libër i shkruar nga dy skeptikë të vaksinimit ka vënë në qendër të debatit në Itali prokurorin e Katanzaros. Megjithëse duken dy gjëra që vështirë të lidhen bashkë, prokurori i njohur për luftën kundër Ndrangheta-s, është në qendër të polemikës që ditët e fundit ka gjetur hapësirë në mediat e vendit fqinj.
Nicola Gratteri mori përsipër parathënien e librit të shkruar nga mjeku Pasquale Bacco dhe gjykatësi i Apelit të Mesinës, Angelo Giorgiani, të dy të njohur për qëndrimet e tyre kundër vaksinës. Në mediat italiane u raportua se në libër vaksina etiketohej si “ujë kanali”, frazë kjo që ndezi menjëherë debatin. Madje edhe Mario Draghi u përfshi në të. “Nëse do ta kishte thënë një shkencëtar apo një virolog me emër”, ishte ironia e kryeministrit.
Por si u gjend prokurori i Katanzaros në qendër të kësaj “stuhie”?
Vetë ai thotë se e gjithë gjëja është fryrë, madje ai vetë është vaksinuar. “Nëse do ta konsideroja vaksinën ujë kanali, nuk do të isha vaksinuar vetë. As do të kisha bindur stafin tim të vaksinohej. Parathënia që kam shkruar janë thjesht dy faqe, në të cilat flas për atë sesi mafia mund të përfitojë nga pandemia”, sqaron ai.
Ndërsa bashkautori i librit, gjykatësi Angelo Giorgianni, thotë se nuk ka asnjë moment në libër, ku vaksinës t’i referohen si “ujë kanali”. Sipas tij, objektivi i vërtetë i gjithë kësaj “stuhie” është prokurori Gratteri.
“Sfidoj këdo që e gjen. Madje i jap 1 milion euro. Nuk jam kundër vaksinave, por do të doja që të kishte më shumë informacion për to. Duhet të presim disa ditë për të parë cili është objektivi i vërtetë i kësaj polemike. Mendoj se është Nicola Gratteri”.
Nëse e sheh në këtë aspekt, gjërat lidhen. “La Stampa” shkruante dje se Gratteri pritet të kandidojë për kryeprokuror të Milanos. Ai kërkon të zërë vendin e Francesco Greco-s, që largohet në fund të vitit. Madje ambicia e Gratterit shkon më tej. Ai synon kreun e prokurorisë antimafia. Dhe me hyrjen në këtë rrugë, duket se debate të tilla janë vetëm fillimi.
Add new comment