Spermagedon, kërcënimi i ri për njerëzimin
Ngrohja globale nuk është i vetmi problem me të cilin njerëzimi do të përballet në dekadat e ardhshme. Shanna Swan, një nga emrat më të njohur në fushën e shëndetit publik, thotë se deri në vitin 2045, shumica e burrave mund të mos jenë më në gjendje të riprodhohen për shkak të ndikimit të kimikateve te hormonet.
Dhe për këtë, sipas Swan, pjesa më e madhe e botës nuk ka ndërgjegjësimin e duhur.
"Ne jemi rreth 40 vjet prapa ngrohjes globale, për sa i përket ndërgjegjësimit", tha ajo për Politico.eu.
Katër vjet më parë, ajo llogariti që numri i spermatozoideve të një njeriu mesatar në vendet perëndimore kishte rënë me 59 për qind nga 1973, në 2011. Në atë kohë, alarmi që ajo ngriti u bë kryetitull në shumë media, të cilat i vunë këtij rreziku të ri emrin “spermagedon" (nga Armagedon – fundi i botës).
Swan është epidemiologe në Qendrën Mjekësore Mount Sinai në Nju-Jork dhe e ka pasqyruar gjerësisht punën e saj studimore në librin "Count Down" (Numërimi mbrapsht), i cili u botua në shkurt.
Sipas parashikimeve aktuale, numri i spermatozoideve te një mashkull mesatar do të arrijë në zero në 2045. Kjo do të thotë që gjysma e të gjithë meshkujve do të kenë zero spermë të shëndetshme dhe pjesa tjetër do ta ketë shumë afër zeros.
Arsyeja, sipas autores së librit, mund të jetë rritja e ekspozimit ndaj kimikateve që ndikojnë në gjendrat endokrine dhe që gjenden kudo, nga plastika, elektronika, ambalazhet e ushqimeve dhe pesticidet, te produktet e kujdesit personal dhe kozmetika - dhe si të tilla janë në trupat e pothuajse të gjithëve në planet.
Kimikatet si bisfenoli A dhe ftalatet ndërhyjnë në funksionin normal të hormoneve, përfshirë testosteronin dhe estrogjenin. Edhe në doza të vogla, ato paraqesin një rrezik të veçantë për foshnjat e palindura, trupat e të cilëve janë akoma në zhvillim.
Ndërsa faktorë të tjerë të tillë si kontracepsioni, ndryshimet kulturore, mbipesha dhe pirja e duhanit kanë gjithashtu rol në uljen e fertilitetit, Swan paralajmëron për indikatorë që sugjerojnë se ka edhe arsye biologjike - përfshirë studimet që zbuluan se djemtë e mitur po zhvillojnë më shumë anomali gjenitale dhe nivelet e testosteronit kanë rënë në 1 për qind në vit që nga viti 1982.
Edhe perspektiva për gratë nuk është e mirë. Shkalla e abortit është rritur me 1 për qind në vit gjatë dy dekadave të fundit dhe gjithnjë e më shumë vajza po hyjnë në pubertet më shpejt. Nëse këto trende vijojnë në rritje, fekondimi in vitro dhe teknologji të tjera riprodhuese artificiale mund të bëhen shumë të nevojshme për ngjizjen e një fëmije.
Swan ka studiuar ndikimin e kimikateve në pjellori për më shumë se dy dekada. Në vitin 2005, ajo ishte e para që provoi me ekipin e saj të ashtuquajturën sindromë ftalate te njerëzit - duke treguar se djemtë e vegjël të ekspozuar ndaj katër ftalateve të ndryshme, në fund të tremujorit të parë në mitër kishin një distancë më të shkurtër midis anusit dhe fillimit të organet gjenitale, ose gooch - një nga treguesit më të mirë të potencialit riprodhues më vonë gjatë jetës.
Add new comment