Një në pesë vdekje, për shkak të ndotjes së ajrit
Ajri i ndotur u ka marrë jetën 8.7 milionë njerëzve gjatë vitit 2018. Praktikisht, një në pesë vdekje të ndodhura në 2018 ka qenë për shkak të ndotjes së ajrit nga djegia e lëndëve djegëse fosile si qymyri dhe nafta. Studimi i ri që ka dalë në këtë konkluzion përllogarit që më shumë se një në 10 vdekje në SHBA dhe Evropë janë për shkak të ndotjes. Në Azinë Lindore, ku hyn Kina, gati një e treta e vdekjeve janë për këtë shkak. Shkalla e vdekjeve në Amerikën e Jugut dhe Afrikë ishte dukshëm më e ulët.
Numri i madh i të vdekurve është më i lartë se vlerësimet e mëparshme dhe i ka befasuar edhe vetë autorët e studimit.
“Ky numër përfaqëson një kontribues kryesor në barrën globale të vdekshmërisë dhe sëmundjeve", thuhet në studim, i cili është rezultat i bashkëpunimit midis shkencëtarëve në Universitetin e Harvardit, Universitetin e Birminghamit, Universitetin e Leicester-it dhe University College London.
Numri i të vdekurve e tejkalon totalin e njerëzve që vdesin çdo vit në botë nga pirja e duhanit dhe nga malaria. Shkencëtarët kanë krijuar lidhje midis ndotjes së ajrit nga djegia e lëndëve djegëse fosile dhe rasteve të sëmundjeve të zemrës, sëmundjeve të frymëmarrjes dhe madje edhe humbjes së shikimit. Pa emetimet e karburanteve fosile, jetëgjatësia mesatare e popullsisë së botës do të rritet me më shumë se një vit, ndërsa ekonomia globale dhe kostot e shëndetit do të ulen me rreth 2.9 trilionë dollarë. Konkluzionet e studimit janë botuar në revistën “Environment Research”.
Add new comment