Teza e Tetorit/Gjyqtarët më të korruptuar se Unë, Meta, Berisha dhe Basha!!!
Gjatë një fjale të mbajtur sot në konferencën kundër krimit të organizuar, kryeministri Edi Rama ka deklaruar ndër të tjera se:
Koka e korrupsionit në Shqipëri nuk janë politikanët, por koorporatat e gjyqtarëve. Nëse nuk vendoset në themel të sistemit të drejtësisë kurbani i korrupsionit 30 vjeçar, ngrehina nuk do të qëndrojë
Për të vijuar pak më tej se:
Nuk janë të gjithë njësoj në institucione dhe as në politikë. Ndarja e shapit nga sheqeri duhet ta bëjë sistemi i drejtësisë.
Kemi brenda një fjale të vetme dy qëndrime: nga njëra anë jepet pretenca për një klasë institucionale, nga ana tjetër kjo pretencë i lihet drejtësisë. Pohimi i z. Rama për kokën e korrupsionit është kundërlogjik në raport me mënyrën sesi vepron sistemi në Shqipëri. Me lehtësinë më të madhe ne shohim se politika e shkërmoqi korporatizmin në gjyqësor, të cilin e kishte krijuar po vetë.
Ajo ka inskenuar një proces vettingu të kapur në flagrancë se është me standarde të dyfishta duke bërë një seleksionim të orientuar. Ne pamë sesi edhe Gjykata Kushtetuese që sot nuk ekziston fare pranoi përmes mashtrimeve banale të klasifikonte si kushtetues ligjin e vettingut që me sy të lirë kuptohej se jo do të fshinte sistemit, por do të instrumentalizonte vetë drejtësinë.
Nga ana tjetër kur flitet për gjëra të tilla, një kryeministri – sidomos kaq serioz sa ky yni – i kërkohet të flasë me shifra dhe jo me perceptime.
Sa është barra e korrupsionit të prodhuar në gjykata, sa prodhohet ajo nga një prokurori që luan me dosjet dhe të drejtat sipas pagesës dhe sa është barra e korrupsionit të ekzekutivit? Zoti Rama ka me gjasë dijeni për raportet e përvitshme të Departamentit Amerikan të Shtetit që flet për “korrupsion në të gjitha degët e qeverisjes”.
Raporte të tjera thonë se 22% e ekonomisë shqiptare zotërohet nga krimi, apo gjenerohet në rrugë kriminale. Ku është faji i gjykatave? E meqë jemi këtu, zoti Rama u investua personalisht për një “prokuror në Durrës” dhe për KÇK-në. Ku jemi sot për këtë çështje? Apo qeverisë i duhet lajmi, jo vendimi që duhet mbajtur në heshtje? Nëse kjo që thotë z. Rama do të ishte e vërtetë, politikës vetë nuk do t’i interesonte reforma në drejtësi, as të hapej si kapitull.
Add new comment