Tani është Gjermania. Ose shpresohet se do të jetë

Postuar në 25 Gusht, 2020 13:12

Njëherë e një kohë ishte Amerika, tani është Gjermania.

Kështu titullohet një koment i publikuar në versionin anglisht të gazetës konservatore greke “Kathimerini”, që duket se shpreson që kriza në Mesdheun Lindor të katalizojë ndër të tjera një rol të ri për Gjermaninë.

Për dekada ne e dinim që Uashingtoni do të hynte në skenë për çtensionimin e situatës në eventualitetin kur këto do të bëheshin të rrezikshme. Tërheqja e fundit politike e SHBA nga shumë pjesë të botës po afekton edhe gjasat e një ndërhyrjeje amerikaen në çështjet greko-turke. Ky është rezultati i zgjedhjeve strategjike personale të bëra nga presidenti amerikan…Në kohë të tjera ndërhyrja amerikane për uljen e tensionevedo të fillonte me ndihmës sekretarin e Departamentit të Shtetit për Çështjet Europiane, për të vazhduar me sekretarin e Shtetit dhe në raste të veçanta – siç duket të ndodhë sot – deri te Presidenti…Nisur nga kjo situatë e e re vëmendja tani është përqendruar te kancelarja gjermane Angela Merkel që mban një qasje të ndryshme, më pak kritike sesa lidershipi francez. Disa e akuzojnë Merkelin se e mbulon autoritarizmin e presidentit turk me synim mbrojtjen e interesave gjermane ndonëse të tjerë e shohin qëndrimin më të moderuar të Berlinit si mënyrë për të fituar ndikim në Ankara. Ne do të gjykojmë vetëm nga rezultatet

shkruan autori Tom Ellis.

Sipas tij Gjermania mbetet aktualisht i vetmi aktor në skenë që dëshiron të shmangë një kthesë të rrezikshme ngjarjes në Mesdheun Lindor, ndërkohë që shpresa për ardhjen e Biden në SHBA ndonëse mbetet në fuqi, është e largët në kohë dhe hipotetike. Të vihet re sesi një vend si Greqia që gjatë krizës së vitit 2008 akuzoi gjerësiht Berlinin sot shpreson te mirëkuptimi gjerman, në emër të ruajtjes së paqes që në fakt është shmangie e konfrontimit ushtarak.

Kjo optikë të lexuari të ngarjeve dhe zhvillimeve na bën të kuptojmë se Greqia e ka shpresën të varur te miqtë tradicionalë të vetët, apo edhe te shpresa se Berlini do të detyrohet të marrë një rol të ri në funksion të ruajtjes së paqes, pra edhe interesave të veta. Ekuacionit i mungon BE-ja, por edhe një vend si Britania e Madhe, ndërkohë që nëse e shohim drejt shkrimin e autorit, Franca duket si palë që kërkon ta zgjidhë situatën me luftë dhe në planin diplomatik nuk duket se përfaqëson ndonjë gjë, sa kohë është në luftë të hapur verbale me Turqinë.

Kërkesa e tanishme për një rol të Gjermanisë duket se vendos një sfidë për Berlinin që provoi veten në krizën e Ukrainës, ku ka arritur një paqe torturuese për të gjithë, nuk po di të presojë seriozisht në Bjellorusi dhe së fundmi do të duhet të përballet me një fuqi që ka ambicie të mëdha në Mesdhe. Në përgjithësi Gjermania ka vepruar në kuadër të BE-së, për çka edhe është akuzuar nga partnerët europianë se po gjermanizon BE-në. Dilema e saj është në dukje morale, por që nga ardhja e Trump në pushtet në Gjermani janë shtuar zërat se vendi duhet të riaktivizojë potencialet e veta si i vetmi vend i botës liberale që me të vërtetë nuk është futur në kurs aventuresk.

Është një lajm i mirë që një nga sfidat gjermane është në Ballkan, pasi suksesi ose dështimi i saj do të rivendosë optikat realiste në një rajon ku iluzionet dhe vetëmashtrimet lindin të parat.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.