Europa franko-gjermane provon ndërmjetësimin në Mesdhe dhe mes Serbisë dhe Kosovës
Bashkimi Europian ka shprehur gatishmërinë që të marrë rolin e negociatorit mes Turqisë, Greqisë dhe Qipros për çështjet delikate në Mesdhe. Gjatë një takimi në Ankara mes shefit të politikës së jashtme të BE-së, Borrell dhe homolgut të tij turk, Mevlut Cavusoglu, përfaqësuesi europian kndër të tjera ka deklaruar se:
Jam këtu për gjetjen e një zgjidhjeje të konfliktit mes Turqisë dhe Greqisë në Mesdheun Lindor. Ne po planifikojmë të organizojmë negociata mes të dyja palëve
Deklarimi në fjalë vjen ndërkohë që kryeministri grek, Mitsotakis, ka mohuar të ketë komunikuar në telefon me presidentin turk, Erdogan, pas një ndërmjetësimi nga kancelarja gjermane Merkel. Po kështu oferta europiane pason ose paralelizon një hapje dypalëshe të Italisë drejt Ankarasë për çështje të Mesdheut, ku Italia ka interesa, por edhe has probleme të mëdha. Konkretisht ka gati dy dekada që Roma nuk ja ka dalë të marrë mbështetje të Brukselit për politikat dhe problemet e veta ndaj dhe me emigracionin, çka ia ka arritur shumë mirë Turqia që ka në dorë të lëshojë drejt Europës mbi 1.5 milionë sirianë, afganë dhe irakenë. Përkundrejt frenimit të tyre, Erdogan ka kërkuar ndihma dhe dorë të lirë për politikat e veta në Mesdhe.
Në këtë kuadër, por edhe të ndërhyrjes së tij në Libi, marrëveshjes për detin me qeverinë e Tripolit, tërheqjes amerikane nga një rajon ku mendohej se kishte interesa të mëdha, duket se Europa po kërkon një rol. Është e paqartë nëse Borrell përfaqëson BE-në si të tërë, apo ka një mision të lobuar nga vende si Franca dhe Gjermania, ku e para është thuajse në gjendje lufte me Turqinë në Libi.
Pikëpyetja shtrohet për disa arsye që rrjedhin nga përvoja e këtyre viteve, Për hapjen e negociatave apo zgjerimin, BE-ja ka manifestuar se nuk ka unitet, se një shtet jep miratim, kurse tjetri shton kushtet, çka jep të kuptojë se standardet janë një letërnjoftim për të hyrë në estradë.
Ana tjetër më me rëndësi është misioni ndërmjetësues i Europës në dialogun Kosovë-Serbi. Është e vërtetë që vende të Europës i dhanë goditje të fortë nismave të SHBA për të mbyllur një marrëveshje me kërkesën e Gjykatës së Hagës për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, por samiti i propozuar në këmbim të ndërmjetësisë amerikane, është quajtur si samit franko-gjerman.
Këto janë edhe dy vendet më të ndjeshme në raport me fluksin migrator dhe me problemet në Lindje të Europës, për menaxhimin e të cilave duhen patjetër marrëveshje me vendet e origjinës. Mbetet për t’u parë nëse misioni diplomatik i BE-së do të konfirmohet në Turqi apo në Kosovë, dy vende që kanë arsye objektive të mos i besojnë për asnjë çast dhe për asgjë ofertave që vijnë nga Europa.
Add new comment