Do të rikthehemi në nivelet e parakrizës për 2 vjet?

Postuar në 04 Korrik, 2020 14:12

Revista Monitor i ka lënë një vend të zgjeruar temës së rikuperimit ekonomik në kontekstin e krizës së provokuar nga epidemia.

Për ta sqaruar këtë situatë, revista ka intervistuar drejtoreshën ekzekutive të grupit “Balfin”, Edlira Muka sipas së cilës rikthimi në nivelet e parakrizës do të kërkojë deri në 18 muaj.

Në analizat që kemi bërë së brendshmi, rikthimi i gjithë Grupit në ritmet e biznesit që ishim mund të kërkojë tetë deri në 18 muaj. Për momentin, gjithçka varet nga përhapja e pandemisë dhe aktivizimi i qeverive për të mbështetur bizneset

shprehet ajo.

Revista ka tërhequr edhe një mendim të Bankës së Shqipërisë që vendos pak a shumë këtë afat ringritjeje.

Sikundër e kemi thënë në komunikimet tona publike, Banka e Shqipërisë pret një rënie relativisht të ndjeshme në vitin 2020 dhe një kthim në territor pozitiv të rritjes ekonomike në vitin 2021

vlerëson Banka.

Ndërkohë ajo nuk është në gjendje të japë një vlerësim për goditjen në sektorë të ndryshëm, duke u mjaftuar me parashikimin se në fund të kësaj periudhe borxhi publik dhe privat do të jetë më i madh.

Nisur nga kjo analizë ne shohim përciptazi se biznesi dhe institucionet nuk parashikojnë në planet e tyre asnjë mbyllje masive si atë që u aplikua gjatë marsit, duke konsideruar se efekti i pandemisë është tanimë ezauruar në formën e një shoku dhe se biznesi do të përshtatet. Mirëpo ajo që nuk duket në këto analiza është relatimi i planeve të punës dhe investimeve me opsionet e kohëzgjatjes së epidemisë dhe në finale me eventualitetin e ndryshimit të mënyrës së jetesës prej saj. Sektorë të tërë si turizmi dhe shërbimet do të goditen rëndë nëse elementë si distancimi social dhe maskat do të bëhen të detyrueshme. Përpara kemi një vjeshtë dhe dimër të panjohur nga perspektiva e shëndetit, ndaj kurba e konsumit mbetet e paprashikueshme. Në muajt e karantinës, kreu i grupti Balfin deklaroi se me mbylljen mbijetesa e biznesit të madh zgjat 5 muaj. Ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me biznesin në kushtet kur kërkesa konsumatore mund të ndryshojë në varësi të një faktori të jashtëm si pandemia.

Nga ana tjetër banka që paralajmëron rritje borxhi nuk ka bërë asnjë lloj qasjeje për projekte publike që kërkojnë para shtesë si p.sh Teatri etj. Është e paqartë se ku do të merret ky borxh edhe për vepra si Skavica për të cilin kryeministri deklaroi se do të bëhet me para buxheti, kur nuk përjashtohet që të ardhurat të bien për shkak të krizës dhe më tej, vetë qeveria të detyrohet të rishikojë planin buxhetor për një vit që ka mbjellë frikë psikologjike te biznesi dhe konsumatori. Dhe në të gjithë këtë analizë bankat nuk figurojnë gjëkundi teksa i vetmi sektor që nuk ndalet është ndërtimi, ndonëse në kohë të tilla psikologjia e kursimit bëhet sunduese.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.