Të paprekshmit mes Vegjëlisë dhe avlëmendit të elitës

Postuar në 24 Maj, 2020 14:37

Robert Ndrenika është një monument. Kadareja është tempull. Kadri Roshi është korife

Lista e të mëdhenjve në këtë vend të vogël mund të vazhdojë gjatë. Janë të mëdhenj për veprën e tyre dhe për kompleksin tonë si të vegjël, shpallen si të paprekshëm.Duhet t'i bashkohesh me ulërimën tënde këtyre parrullave, pasi përndryshe vvvvvzzzt, një vizë e kuqe.

Nuk ja vlen asnjë rresht të citosh dhe referosh panegjirikët e pafundëm që has në mediat shqip për këta “kolosë” që ndriçojnë kombin në errësisë. Sepse sa më të mëdha lavdet, aq më hipokrite pozicionet. Janë duar dhe mendje të ngatërruara me afera pushteti, ata që ulen e shkruajnë xhevahiere të avokatisë morale për njerëz të artit dhe letërsisë. Ndaj edhe duhen injoruar tërësisht këto gjinkalla të zhegut përvëlues të kotësisë intelektuale të Tiranës.

Është e vërtetë. Kadare, Ndrenika, apo ndonjë tjetër, janë pika referimi për artin skenik dhe letërsinë. Për brezat, pse jo. Por vepra e tyre, kontributi në tërësi nuk mundet dhe as ka për t’i shpëtuar shqyrtimit kritik, vlerësimit dhe rivlerësimit. Për të marrë mandej vendin që u takon. Nuk ka asnjë imunitet ndaj këtij procesi. As miti nuk e neutralizon dot këtë qasje rivlerësuese.

Në këtë kuptim çdo sulm dhe akuzë për kritikën, apo edhe skepticizmin mbi vlera të caktuara të veprës as që duhet konsideruar ndryshe veçse si lehje e palodhshme, si një kuisje kulishësh së ndërsyer për të zhurmuar atë që duhet të jetë një debat i mirëpritur nga vetë këta artistë.

Për ta zhvendosur këtë raport në një plan më konkret, mund të theksojmë se sulmet personale ndaj Kadaresë dhe Ndrenikës së fundmi, janë stilistikisht dhe publikisht të papranueshme. Mirëpo në parim, pakënaqësia ndaj tyre nuk lidhet me veprën, por me pozicione të caktuara publike. Dhe marrja ose jo e pozicionit publik për një temë publike është e natyrshme që të provokojë reagime pro dhe kundër. Kuptohet, akuzat dhe insinuatat janë të dënueshme dhe në përgjithësi vijnë nga një kategori që çon kohën kot në mediat sociale.

Qëndrimi i dy personave në fjalë për Teatrin është patjetër një qëndrim që hyn në hullinë e deklaratave të shumta për këtë temë dhe nuk ka asnjë arsye që ato të konsiderohen si Fjala e Fundit, si Bibla. Ne kemi të drejtë të mos jemi fare dakord me atë që thotë Ndrenika dhe Kadare për këtë çështje, edhe për heshtjen e tyre – një e drejtë absolutisht e pamohueshme – por ta shprehësh këtë mosdakordësi nuk ka pse të konsiderohet si një paudhësi e rracës shqiptare, siç bënë tufa e lehësve të përdëlluar me iluzionin se po leh në anën e duhur të historisë. Dhe se madje po bën moralin që I mungon këtij populli.

Kanë kaluar 30 vjet nga ajo që quhet Hapje, por mesa duket ata që e shijuan këtë hapje, sot po duan të mbyllin shtigjet e mendimit kritik, sepse mesa duket e bazojnë statusin e tyre të rremë mbi dukjen dhe shtirjen e një elite liberale, që ka nevojë për monumentet e veta që i përdor si kartë anëtarësie. Po predikojnë me stërmundim dogmatizimin e vlerave, që të zbusin sa të mundin kafshën  e ndërsyer që quhet Popull, Turmë, për t’i lidhur në qafë litarin e për ta udhëhequr drejt rrugës së duhur. Nuk është e qartë nëse besojnë realisht te ky “mision”, apo luajnë rolin e kopshtarit, ndonëse kjo ka pak rëndësi, sepse ajo që këta zëdhënës shpallin, tradhëtohet orë e çast nga çfarë kanë bërë e çfarë përfaqësojnë në këtë vend. Perëndimorë të thekur që sillen si levantinë të pështirë, që përgënjeshtrojnë me qenien e tyre, atë që shkruajnë për “të paprekshmit” e botës shqiptare.

Comments

Submitted by Prape selimi (not verified) on

Shume e drejte. Te presesh nga nje shkrimtar te shprehet per arkitekturen eshte e pavend. Qendrimi i tij duhet konsideruar si injorance. Per koherence edhe artistet. Teatri nuk eshte Qabeja e tyre por vendi i punes. Sipas te njejtes llogjike qe perdorin ata, edukatoret e kopshtit 12 duhej te kishin hy ne greve urie.

Submitted by hajde fakte (not verified) on

Po prandaj ti pranon qe per arkitetkturen te shprehet nje piktor i deshtuar, nje llafazan me diploma false apo nje i diplomuar per gazetari qe te jep madje edhe leksione mbi populitin duke e konsideruar tallash.
Pertej ironise ketu nuk behet fjale te shprehesh per arkitekturen por per vlerat historike e kulturore qe barti ajo ndertese si nje ikone identitatre e Tiranes. Ne fakt edukatoret e kopeshtit nuk keshillojne as te ankohesh se ndertimi perballe pengon pakjen e Malit te Dajtit pasi keshtu ma sugjeroi Ladi, sepse keshtu i bie qe te ankohet trecereku i Tiranes per ndertimet qe te marrin frymen.

Submitted by Anonymous (not verified) on

Perkundrazi. Jam dakord te shprehet dhe te vendose kush e ka tagrin per dicka te tille. Perndryshe do behej kaos. Gje qe ju nuk e deshironi,apo jo. Nuk kam asnje dyshim qe ju jeni per shtetin ligjor.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.