Mjafton që të bëjë punën, edhe pa punësuar Lulzim Bashën në qeveri

Postuar në 30 Nëntor, 2019 21:08
Skerdilajd Zaimi

 

Pas kryeministrit polifonia e pushtetit ka nisur këngën e vet për bashkim. Bashkim me opozitën në emër të dashurisë dhe solidaritetit me shqiptarët e dëmtuar nga tërmeti. Mentor Nazarko e ka nxjerrë nga xhepi këtë propozim duke arsyetuar se nuk ka asnjë mënyrë për të menaxhuar situatën e tanishme veçse duke u bashkuar: 

Së pari, mendoj që duhet një qeveri thuajse e përbashkët, e cila mbledh në thelbin e saj më të aftët e palëve pozitë-opozitë, nga konstruktorët specialistët e llogaritjeve të dëmeve etj, etj. Thjesht, njerëzit më me eksperiencë të brezit të vjetër, profesorët e vjetër të universiteteve. Duke krijuar gati një këshill kombëtar, ku fuqinë e plotë, mund ta ketë edhe vetëm një njeri, po ky vetëm si produkt i asaj qeverie të përbashkët

shkruan ky opinionist. 

Po çfarë do të bëjë ky këshill dhe kjo qeveri e përbashkët që nuk mund ta bëjë një qeveri e zgjedhur? 

Asgjë. Qeveria e tanishme shpalli gjendjen e emergjencës, kërkoi ndihma, urdhëroi vendime, angazhoi forca, po shpërndan asistencë etj. Ajo ka detyruar biznesin të ndihmojë, ka miratuar çfarë ka dashur për të bërë atë që ka dashur. Po shpërndan paratë publike për të mbyllur një plagë e cila u hap nga tërmeti, por në fakt u krijua nga njeriu. Nga cilësia e ndërtimeve. Kryeministri që sot po lutet për bashkim, shpërndan paratë si do, kurse përgjegjësitë I projekton në të ardhmen. Ai ka kërcënuar me burg ata që do të ndërtojnë pa kriter, çka mesa duket amniston ata që ndërtuan në këtë mënyrë. 

Bashkimi ose bashkëqeverisja do të kishte kuptim në rastin e një qeverie të dobët, që i duhet konsensus për të vënë në lëvizje instrumentet ligjore përkatëse. Ky nuk është rasti. Kjo qeveri bën çfarë do dhe kur do. Ajo madje rekruton edhe mediat për marrëzitë e veta si sot që kur kryeministrit që gënjen në vaki, ftojnë që t’i shtrohet rruga që të gjithë t’i bashkohen. 

Për të kapërcyer këtë situatë që nuk është aq alarmante sa ç’e bëjnë histerikët dhe analitikët do të mjaftonte që qeveria të bënte punën. Atë që nuk e ka bërë këto vite. Që kryeministri të sillet si i tillë me të vërtetë. 

Nuk ka fyerje më të madhe, përçmim më të zi sesa ky që shohim sot kur njerëz që shfaqen si gjoja të prekur për hallet e ndërmarrjes në fakt po ndihmojnë që hallet e një njeriu të mbyllen. Shqipëria ekziston përtej tërmetit, ajo nuk duhet të sakrifikojë asgjë që nuk e kërkon nevoja e të gjithëve, por vetëm halli i një njeriu apo klani. 

Sepse edhe sot, edhe më 26 nëntor, më 27 e në vazhdim Edi Rama është i njëjti që ka qenë, një kryeministër i një qeverie që e ka dërrmuar vendin, që e ka zhytur atë në një spirale depresioni dhe korrupsioni të cilin e mohon përditë. Me propagandën bajate si këto që lexojmë së fundmi. 
Asnjë kritikë, asnjë akuzë, asnjë opinion, asnjë kundërshtim verbal nuk e cenon mbarëvajtjen e punës së qeverisë në drejtim të menaxhimit të situatës, të cilën ia jep ligji dhe Kushtetuta. Nëse ajo me të vërtetë po do të bëjë punën. 

Të kërkosh sot konsensus edhe për të bërë detyrën minimale është t’i hedhës hi syve mbarë shqiptarëve kur u kërkon të harrojnë atë që dinë  dhe kanë përjetuar në këro gjashtë vjet. 

Opozita e Lulzim Bashës, nëse është e tillë, edhe mund ta harrojë sepse e ka zanat. Por nuk askush të drejtë të ngrejë akuza për subversion dhe nekrofili politike kur edhe në ditën e qametit dikush thotë se Edi Rama është ai që është dhe nuk duhet të jetë atje ku e vuri fatkeqësia e këtij vendi. 

Një fatkeqësi që rezonon çuditërisht te dilemat e vazhdueshme të Lulzim Bashës, një njeri që tkurri opozitën duke u punësuar në qeveri. Që vazhdon ta shohë punësimin në fjalë si opsion shpëtim për veten dhe partinë, duke harruar se nesër do të kërkoj vota si kundërshtar i pushtetit. Vallë nuk i mjaftoi leksioni i vitit 2017, apo do dalë sërish të thotë se e gënjeu Edi Rama? Ne e dimë se herën e dytë je budalla…

Ekuacioni politik nuk ka qenë kaq i qartë sa sot, të paktën që nga viti 2013: qeveria duhet të bëjë punën, opozita duhet të rifaktorizohet me propozime për vendin dhe me kritikë të rreptë për fasadën e rrëzuar të një pushteti që nuk ekziston përtej unazës së Tiranës dhe parave të buxhetit. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.