2012, Berisha duhej të darkonte në shtëpinë e Ilir Metës. 2019, mjafton një shkresë e Taulant Ballës

Postuar në 19 Korrik, 2019 17:59

Në datën 12 janar 2012 mediat raportonin se Sali Berisha, kryeministër i vendit, qëndroi dy orë e gjysmë në shtëpine Ilir Metës, ish-z. kryeministër dhe subjekt i një hetimi penal dhe gjykimi në Gjykatën e Lartë. Mediat e interpretuan këtë si mesazh shantazhues ndaj Gjykatës që një ditë më pas do merrte vendim për Metën dhe përfshirjen e tij në videon me Dritan Priftin. Sjellim këtu se çfarë thoshte asokohe moralisti i zhurmshëm i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, aktualisht zv.kryeministër i të ashtuquajturës Republika e Shqipërisë. 

Kjo është një bandë, nuk është qeveri. Kjo është familje mafioze, nuk është familje politike. Presioni kundër Gjykatës së Lartë është krim shtetëror. Prej këtej buron kultura e pandëshkueshmërisë. Eshtë e thjeshtë i bashkon i njëjti krim: Korrupsioni aktiv

Sot, në datë 19 korrik 2019, mediat raportojnë se Gjykata e Durrësit ka vërtetuar mandatin e kandidates për kryebashkiake, Valbona Sako, pas një kërkese të bërë nga Partia Socialiste. Dy ditë më parë e njëjta gjykatë, me një tjetër trupë gjykimi, ia refuzoi kërkesën znj. Sako duke konsideruar se zgjedhjet e 30 qershorit janë nul. 

Ka vend për krahasim? A mundet ne sot të përdorim fjalët e z. Braçe? Mendojmë që po, madje duke bërë ca shtesa. P.sh fakti që Sali Berishës iu desh të shkonte për darkë tek Ilir Meta në mënyrë demonstrative dëshmonte sa nevojën e tij për të siguruar publikisht aleatin në koalicion, aq edhe ushtrimin e shantazhit ndaj Gjykatës së Lartë. Që në vetvete do të thotë z. Berisha nuk e kishte nën kontroll Gjykatën sa kohë i duhej ky gjest. 

Po sot? Sot nuk ka dreka dhe darka. Mjafton një shkresë nga Taulant Balla dhe gjykata është pronto. Jep drejtësi. Drejtësinë që duhet. 

Secili mund të bëjë interpretime, fundja jetojmë në kohën e lirisë për të bërë nul çdo gjë, kuptohet nëse nga pas kemi mjetet e duhura për të bërë dhunë. Kjo është Shqipëria e Rilindur, këto janë zgjedhjet dhe kjo është qeveria. Le ta qajë një status tjetër z. Braçe se mos ndoshta na iluminon.

 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.