Filozofia e Sorosit dhe krisja e saj fatale
Në fund të majit, në të njëjtën ditë që u shkarkua nga rrjeti televiziv amerikan ABC për postimin e saj racist për këshilltaren e Obamës, Valerie Jarrett, Roseanne Barr akuzoi Chelsea Clinton se ishte martuar me nipin e George Soros. "Chelsea Soros Clinton", shkroi Barr në Tuiter, duke e ditur se ky kombinim emrash ishte i mjaftueshëm për të provokuar reagim. Në shkëmbimin e postimeve që pasoi, Chelsea Clinton iu përgjigj Roseanne-s duke lavdëruar punën filantropike të Sorosit me Fondacionin e Shoqërisë së Hapur. Për këtë të fundit, Barr u përgjigj në mënyrën më të dëshpëruar të mundshme, duke përsëritur pretendime të rreme të paraqitura më parë nga personalitetet e mediave të së djathtës: "Më vjen keq që postova info të pasakta për ty! Të lutem më fal! Meqë ra fjala, Xhorxh Soros është një nazist i cili i ktheu pas shokët e tij çifutë të vriteshin në kampet gjermane të përqendrimit dhe vodhi pasurinë e tyre – E dije këtë? Epo, ne të gjithë bëjmë gabime, apo jo Chelsea?”.
Postimi i Barr u shpërnda menjëherë nga konservatorët, duke përfshirë Donald Trump Jr. Kjo nuk duhej të habiste askënd. Në të djathtën radikale, Soros është aq i urryer sa Clinton-ët. Ai është një tik verbal, një çelës që i përshtatet çdo vrime. Emri i Soros-it ngjall "një protestë emocionale", i ka thënë një ish-kongresist republikan “Washington Post”-it. Ata e shohin atë si “njëfarë oguri i zi që vepron në hije". Kjo karikaturë antisemitike e Soros ka ndjekur filantropin për dekada të tëra. Por, vitet e fundit, kjo karikaturë ka evoluar në diçka që i ngjan më shumë një prej personazheve të këqija të serialit “James Bond”. Edhe për konservatorët që kundërshtojnë skajet më të errëta të së djathtës ekstreme, përshkrimi i “Breitbart” për Soros si një "miliarder globalist" i përkushtuar për ta bërë Amerikën një djerrinë liberale është një logjikë e pakontrolluar.
Pavarësisht nga obsesioni për Sorosin, ka pasur çuditërisht pak interes për atë që ai mendon në të vërtetë. Megjithatë, ndryshe nga shumica e anëtarëve të klasës së miliarderëve, të cilët flasin në mënyrë të rëndomtë dhe mbeten të tërhequr nga angazhimi serioz me jetën civile, Soros është intelektual. Dhe njeriu që del nga librat dhe artikujt e tij nuk është një plutokrat i çuditshëm, por një mendimtar provokues dhe konsistent, i angazhuar për ta shtyrë botën në një drejtim kozmopolit, në të cilin racizmi, pabarazia e të ardhurave, perandoria amerikane dhe tjetërsimet e kapitalizmit bashkëkohor do të ishin gjëra që i përkasin së kaluarës. Ai ka një perceptim të jashtëzakonshëm në lidhje me kufijtë e tregjeve dhe fuqinë amerikane në kontekstin vendas dhe ndërkombëtar. Ai, me pak fjalë, është ndër më të mirët që ka prodhuar meritokracia.
Për këtë arsye, dështimet e Sorosit janë kaq të qarta; ato janë jo vetëm dështimet e një njeriu, por të një klase të tërë - dhe një mënyre të tërë të të kuptuarit të botës. Që nga ditët e tij të hershme si një bankier në Londrën e pasluftës, Soros besonte në një lidhje të domosdoshme midis kapitalizmit dhe kozmopolitanizmit. Për të, si për shumicën e anëtarëve të grupit të tij dhe shumicën e udhëheqjes së Partisë Demokratike, një shoqëri e lirë varet nga tregjet e lira (megjithëse të rregulluara). Por kjo lidhje e supozuar është provuar e rreme. Dekadat që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë kanë treguar se, pa një armik ekzistencial të perceptuar, kapitalizmi tenton të minojë vetë kulturën e besimit, dhembshurisë dhe ndjeshmërisë mbi të cilën varet "shoqëria e hapur" e Sorosit, duke e përqendruar pasurinë në duart e pak njerëzve.
Në vend të utopisë kapitaliste globale të parashikuar në vitet 1990, nga ata që shpallën një fund të mundshëm të historisë, SHBA-ja aktualisht qeveriset nga një trashëgimtar i pagdhendur që e pasuron familjen e tij ndërsa shpërbën "rendin ndërkombëtar liberal" që duhet të qeverisë një vend paqësor, të begatë dhe të bashkuar. Ndërsa Soros pranoi më herët se shumica e kufijve të hiperkapitalizmit, pozicioni i tij klasor e bëri atë të paaftë për të avokuar reformat e nevojshme për të ndërtuar botën që ai dëshiron. Sistemi që lejon George Soros të rritë pasurinë që ai ka bërë, ka provuar të jetë ai në të cilin kozmopolitizmi nuk do të gjejë kurrë një strehë të qëndrueshme.
Momentet kryesore të biografisë së Sorosit janë të njohura mirë. I lindur nga prindër hebrenj të klasës së mesme në Budapest në vitin 1930, si György Schëartz, Soros (babai i tij e ndryshoi emrin e familjes në vitin 1936 për të shmangur diskriminimin antisemit) pati një fëmijëri të qetë deri në Luftën e Dytë Botërore, kur pas pushtimit nazist të Hungarisë, familja e tij u detyrua të merrte identitet të krishterë dhe të jetonin me emra të rremë. Mrekullisht, Soros dhe familja e tij i mbijetuan luftës, duke i shpëtuar fatit të keq që patën më shumë se dy të tretat e hebrenjve të Hungarisë. I ndier i shtypur në Hungarinë e Re Komuniste, në vitin 1947, Soros emigroi në Britaninë e Madhe, ku studioi në Shkollën Londineze të Ekonomisë dhe u njoh me filozofin austriak, Karl Popper, i cili u bë për të qendra e ndikimit intelektual.
Në vitin 1956, Soros u transferua në Nju-Jork për të ndjekur karrierën në financë. Pasi kaloi më shumë se një dekadë duke punuar në pozicione të ndryshme në Wall Street, në fund të viteve 1960 ai krijoi Fondin Kuant, i cili u bë një nga fondet më të suksesshme të të gjitha kohërave. Ndërsa fondi i tij grumbulloi fitime të jashtëzakonshme, Soros personalisht u përvijua si një tregtar legjendar; më i famshmi rasti i nëntorit të vitit 1992, kur fitoi më shumë se 1 miliard dollarë dhe e “mundi” Bankën e Anglisë në bastin se sterlina vlerësohej shumë më lart në raport me markën gjermane.
Sot, Sorosi është një nga njerëzit më të pasur në botë dhe, së bashku me Bill Gates dhe Mark Zuckerberg, një nga filantropët më me ndikim politik në SHBA. Por ndryshe nga Gates dhe Zuckerberg, Soros prej kohësh e ka vënë në dukje filozofinë akademike si burimin e tij të frymëzimit. Mendimi i Soros dhe karriera e tij filantropike janë organizuar rreth idesë së "shoqërisë së hapur", një term i zhvilluar dhe bërë i njohur nga Popper në veprën e tij klasike "Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj". Sipas Popper-it, shoqëritë e hapura garantojnë dhe mbrojnë shkëmbimin racional, ndërsa shoqëritë e mbyllura i detyrojnë njerëzit t’i nënshtrohen autoritetit, pavarësisht nëse ky i fundit është fetar, politik apo ekonomik.
Që nga viti 1987, Soros ka publikuar 14 libra dhe një sërë shkrimesh në “New York Review of Books”, “New York Times” dhe gjetkë. Këto shkrime tregojnë qartë se, ashtu si shumë të tjerë në qendrën e majtë, figura e të cilëve u rrit në vitet 1990, principi intelektual që përcakton Sorosin është internacionalizimi i tij. Për Sorosin, qëllimi i ekzistencës bashkëkohore njerëzore është të krijojë një botë të definuar jo nga shtetet sovrane, por nga një komunitet global, individët e të cilit e kuptojnë se secili ka interes për liri, barazi dhe prosperitet. Sipas mendimit të tij, krijimi i një shoqërie të tillë të hapur globale është e vetmja mënyrë për të bërë të mundur që njerëzimi të kapërcejë sfidat ekzistenciale të ndryshimit të klimës dhe rritjes së kapacitetit bërthamor.
Ndryshe nga Bill Gates, filantropia e të cilit përqendrohet kryesisht në projekte që kanë synim përmirësimin e jetës, siç është zhdukja e malaries, Soros në të vërtetë synon të transformojë politikën dhe shoqërinë kombëtare dhe ndërkombëtare. Pavarësisht nëse vizioni i tij i mbijeton apo jo valës së antisemitizmit, rritja e nacionalizmit të djathtë islamofob dhe ksenofob në SHBA dhe Evropë mbetet për t'u parë. I sigurt mbetet fakti se Soros do ta kalojë pjesën e mbetur të jetës duke u përpjekur të garantojë që kjo të bëhet.
Soros e nisi aktivitetin e tij filantropik në vitin 1979, kur ai "pas disa reflektimeve arriti në përfundimin se kishte para mjaftueshëm" dhe në të tilla kushte mund t’i përkushtohej misionit për ta bërë botën një vend më të mirë. Për ta bërë këtë, ai krijoi Fondin e Shoqërisë së Hapur, i cili shpejt u bë një rrjet transnacional fondacionesh. Megjithëse bëri disa përpjekje për të financuar bursa akademike për studentët me ngjyrë në aparteidin e Afrikës së Jugut, shqetësimi kryesor i Sorosit ishte blloku komunist në Evropën Lindore; në fund të viteve '80, ai kishte hapur zyra të fondacionit të tij në Hungari, Poloni, Çekosllovaki, Bullgari dhe në vetë Bashkimin Sovjetik. Ashtu si kishte bërë Popper para tij, Soros i konsideronte vendet komuniste të Evropës Lindore si modelet e fundit të shoqërive të mbyllura. Nëse ai ia dilte t'i hapte këto regjime, mund t'i tregonte botës që paratë munden - në disa raste, të paktën - të kapërcejnë paqësisht shtypjen pa pasur nevojën e ndërhyrjeve ushtarake ose përmbysjes politike, dy mjetet e preferuara të liderëve të Luftës së Ftohtë.
Soros e themeloi fondacionin e tij të parë të huaj në Hungari në vitin 1984 dhe përpjekjet e tij konsiderohen si model i aktiviteteve të tij gjatë asaj periudhe. Përgjatë një dekade, ai u dha bursa intelektualëve hungarezë për t'i çuar në SHBA; siguroi pajisje Xerox për bibliotekat dhe universitetet; dhe ofroi grante për teatro, biblioteka, intelektualë, artistë dhe shkolla eksperimentale. Në librin e tij të vitit 1990, "Hapja e Sistemit Sovjetik", Soros shkruante se besonte që fondacioni i tij kishte ndihmuar “në shkatërrimin e monopolit të dogmës [në Hungari] duke siguruar një burim alternativ financimi për aktivitetet kulturore dhe shoqërore", që sipas vlerësimit të tij luajti rol vendimtar në gjenerimin e kolapsit të komunizmit nga brenda.
Përdorimi i fjalës dogmë nga Soros nxjerr në pah dy elemente kritike të mendimit të tij: besimin e tij të palëkundur se idetë, më shumë se ekonomia, formësojnë jetën; dhe besimin e tij te kapaciteti që njerëzimi ka për të ecur përpara. Sipas Sorosit, mënyra dogmatike e të menduarit që karakterizonte shoqëritë e mbyllura, ua bënte të pamundur atyre t'u përshtateshin ndryshimeve të historisë. Në vend të kësaj, "ndërsa ndryshojnë kushtet aktuale", njerëzit në shoqëritë e mbyllura u detyruan të pajtoheshin me një ideologji ataviste që ishte gjithnjë e më pak bindëse. Kur kjo dogmë më në fund bëhet qartësisht e shkëputur nga realiteti, siç pretendon Soros, zakonisht ndodh një revolucion që përmbys shoqërinë e mbyllur. Në të kundërt, shoqëritë e hapura ishin dinamike dhe arrinin të korrigjonin kursin e tyre sa herë që dogmat e tyre i largoheshin realitetit.
Ndërsa ishte dëshmitar i rënies së perandorisë sovjetike mes viteve 1989- 1991, Soros duhej t’i jepte përgjigje një pyetjeje strategjike vendimtare: tani që po hapeshin shoqëritë e mbyllura të Evropës Lindore, çfarë do të bënte fondacioni i tij? Në prag të shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Soros botoi një version të ripunuar të librit “Hapja e Sistemit Sovjetik”, me titullin “Të pranosh demokracinë”, në të cilin zbuloi strategjinë e tij të re: ai do të përkushtohej në ndërtimin e institucioneve të përhershme që do të mbështetnin idetë të cilat motivonin revolucionet antikomuniste, ndërsa modelonin praktikat e shoqërisë së hapur për popujt e çliruar të Evropës Lindore. Më i rëndësishmi nga këto ishte Universiteti i Evropës Qendrore (CEU), i cili u hap në Budapest, më 1991. I financuar nga Soros, CEU kishte për qëllim të shërbente si burim për një botë të re transnacionale dhe evropiane dhe të krijonte terrenin e trajnimit për një elitë të re evropiane dhe transnacionale.
Si mund të garantonte Sorosi që shoqëritë e reja të hapura do të mbeteshin të lira? Ai erdhi në epokën e Planit Marshall, dhe e njihte mirë bujarinë amerikane në Londrën e pasluftës. Për të, kjo përvojë tregoi se shoqëritë e dobëta dhe të lodhura nuk mund të rehabilitoheshin pa një investim thelbësor të ndihmës së huaj, gjë që do të lehtësonte kushtet ekstreme dhe do të siguronte bazën materiale minimale për të bërë të mundur lulëzimin e ideve për demokracinë dhe kapitalizmin.
Për këtë arsye, në fund të viteve '80 dhe fillim të viteve '90, Soros vazhdimisht argumentonte se "vetëm deus ex machina e ndihmës perëndimore" mund ta bënte bllokun lindor përgjithmonë demokratik. "Njerëzve që kanë jetuar në një sistem totalitar gjatë gjithë jetës së tyre u duhet një ndihmë e jashtme për t'i kthyer aspiratat e tyre në realitet", argumentonte ai. Soros këmbëngulte që SHBA dhe Evropa Perëndimore t’u jepnin vendeve të Evropës Lindore një sasi të konsiderueshme ndihme financiare, t'u siguronte atyre akses në tregun e përbashkët evropian dhe të promovonte lidhjet kulturore dhe arsimore midis Perëndimit dhe Lindjes "që i përshtaten një shoqërie pluraliste". Pasi kjo u realizua, Soros pranoi se Evropa perëndimore duhet të mirëpriste Evropën Lindore në komunitetin europian, çka do të parandalonte ndarjen e kontinentit në të ardhmen.
Thirrjet e para të Sorosit mbetën pa u dëgjuar. Prej viteve 1990, ai ia ka atribuuar shfaqjen e kleptokracisë dhe hipernacionalizmit në ish-bllokun e Lindjes mungesës së vizionit dhe vullnetit politik të Perëndimit gjatë këtij momenti vendimtar. "Demokracitë,- ankohej ai në vitin 1995, - duket se "vuajnë nga mungesa e vlerave ... [dhe] nuk janë të gatshme të marrin përsipër ndonjë sakrificë kur vetë interesat e tyre jetësore nuk kërcënohen drejtpërdrejt". Për Sorosin, Perëndimi kishte dështuar në një detyrë epokale, dhe në këtë mënyrë kishte zbuluar dritshkurtësinë dhe mungesën e tij të maturisë.
Por kishte më shumë se mungesa e vullnetit politik, që e kufizoi Perëndimin gjatë këtij momenti. Në epokën e "terapisë së shokut", kapitali perëndimor u grumbullua në Evropën Lindore - por ky kapital u investua kryesisht në industrinë private, në krahasim me institucionet demokratike ose organizatat bazë të komunitetit, i cili ndihmoi kleptokratët dhe antidemokratët të kapnin dhe të mbanin pushtetin. Soros kishte identifikuar një problem kyç, por nuk ishte në gjendje të kuptonte se si logjika e kapitalizmit, e cila vinte fitimin mbi të gjitha, do të minonte domosdoshmërisht projektin e tij demokratik. Ai mbeti i lidhur ngushtë me sistemin që kishte pushtuar.
Pas Luftës së Ftohtë, Soros iu përkushtua eksplorimit të problemeve ndërkombëtare që penguan realizimin e një shoqërie të hapur globale. Pas krizës financiare aziatike të vitit 1997, gjatë të cilës kolapsi i monedhës në Azinë juglindore shkaktoi një rënie ekonomike botërore, Soros shkroi libra për dy kërcënimet kryesore që ai besonte se rrethonin shoqërinë e hapur: hiperglobalizimi dhe fondamentalizmi i tregut, që të dyja ishin bërë hegjemonike pas rënies së komunizmit.
Soros argumentoi se historia e botës së pas Luftës së Ftohtë, si dhe përvojat e tij personale si një prej tregtarëve më të suksesshëm të financave ndërkombëtare, treguan se kapitalizmi i parregulluar global minoi shoqërinë e hapur në tri mënyra kryesore. Së pari, për shkak se kapitali mund të lëvizte kudo për të shmangur taksat, vendet perëndimore u privuan nga financat që u nevojiteshin për t’u siguruar qytetarëve të mirat publike. Së dyti, për shkak se huadhënësit ndërkombëtarë nuk i nënshtroheshin ndonjë rregulloreje, ata shpesh përfshiheshin në "praktika të dëmshme huazimi" që kërcënonin stabilitetin financiar. Së fundmi, për shkak se këto realitete rrisnin pabarazinë nëpër vende dhe atë ndërkombëtare, Soros druhej se kjo do t'i nxiste njerëzit që të kryenin "akte dëshpërimi" të papërcaktuara, që mund të dëmtonin qëndrueshmërinë e sistemit global.
Sorosi i nuhati shumë më herët se shumica e të majtëve të qendrës problemet që qëndronin në thelb të "ekonomisë së re” të financuar dhe të çrregulluar të viteve 1990 dhe 2000. Më shumë se cilido prej kolegëve të tij liberalë, ai kuptoi se përqafimi i formave më ekstreme të ideologjisë kapitaliste mund t’i nxiste SHBA-të të promovonin politika dhe praktika që dëmtuan demokracinë e saj dhe kërcënuan stabilitetin si brenda dhe jashtë vendit.
Sipas Sorosit, mënyra e vetme për të shpëtuar kapitalizmin nga vetvetja ishte krijimi i një "sistemi global të vendimmarrjes politike" që të rregullonte me dorë të rëndë financat ndërkombëtare. Megjithatë, që në vitin 1998, Soros pranoi se SHBA ishte kundërshtari kryesor i institucioneve globale; nga kjo pikë në kohë, amerikanët refuzuan t’i bashkoheshin Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë; nuk pranuan të nënshkruante traktatin e Otavës për ndalimin e minave tokësore; dhe vunë sanksione ekonomike të njëanshme kur dhe ku e shihnin të arsyeshme. Megjithatë, Soros shpresonte që, në një farë mënyre, politikëbërësit amerikanë do të pranonin që, për interesat e tyre, atyre u duhej të ishin në krye të një koalicioni demokracish të përkushtuar për "nxitjen e zhvillimit të shoqërive të hapura [dhe] forcimin e ligjit ndërkombëtar dhe institucioneve të nevojshme për një shoqëri të hapur mbarëbotërore".
Por Soros nuk kishte asnjë program për të ndryshuar armiqësinë në rritje të elitave amerikane ndaj formave të internacionalizmit që nuk i shërbenin fuqisë së tyre ushtarake, ose nuk u siguronin përfitime direkte ekonomike. Ky ishte një boshllëk domethënës në idetë e Sorosit, veçanërisht duke pasur parasysh këmbënguljen e tij mbi rëndësinë thelbësore të ideve në lindjen e ndryshimeve historike. Në vend që të mendonte për këtë problem, ai thjesht deklaroi se "ndryshimi duhet të fillojë me një ndryshim të qëndrimeve, që gradualisht do të përkthehej në një ndryshim politikash". Statusi i Sorosit si anëtar i elitës së lartë dhe besimi i tij se, pavarësisht “spazmave” përgjatë saj, historia kishte rrjedhur gjithnjë në drejtimin e duhur, e bëri atë të paaftë për të shqyrtuar plotësisht pengesat ideologjike që qëndronin në rrugën e internacionalizmit të tij.
Reagimi ushtarak i administratës së Xhorxh W Bushit ndaj sulmeve të 11 shtatorit e detyroi Sorosin ta zhvendosë vëmendjen e tij nga ekonomia në politikë. Gjithçka në lidhje me ideologjinë e administratës së Bushit ishte anatemë për Sorosin. Siç do të deklaronte Soros në "Flluskat e supremacisë amerikane" në vitin 2004, Bush dhe grupi i tij përqafuan "një formë të papërpunuar të darvinizmit social" që supozonte se "jeta është një luftë për mbijetesë dhe ne, për të mbijetuar, duhet të mbështetemi kryesisht te përdorimi i forcës". Ndërsa përpara 11 shtatorit, "tejkalimet e kësaj ideologjie të rreme u mbajtën brenda kufijve të funksionimit normal të demokracisë sonë", pasi kësaj Bushi "nxiti qëllimisht frikën që ka kapluar vendin" për të mbytur zërin e opozitës dhe për të fituar mbështetje për një politikë kundërproduktive të unilateralizmit ushtarak. Për Sorosin, thëniet si "ose jeni me ne, ose jeni me terroristët" i bënë jehonë në mënyrë të përsëritur retorikës së nazistëve dhe sovjetikëve, të cilat ai shpresonte se i kishte lënë pas në Europë. Soros u shqetësua, me mençuri, se Bush do ta udhëhiqte kombin në një "gjendje të përhershme lufte", të karakterizuar nga ndërhyrja e huaj dhe shtypja e brendshme. Kështu, presidenti nuk ishte vetëm një kërcënim për paqen botërore, por edhe për vetë idenë e shoqërisë së hapur.
Megjithatë, Sorosi ishte i bindur se "ideologjia ekstremiste" e Bushit nuk korrespondonte "me besimin dhe vlerat e shumicës së amerikanëve" dhe priste që John Kerry t’i fitonte zgjedhjet presidenciale të vitit 2004. Fitorja e Kerry-t, sipas Sorosit, do të nxiste "një rishqyrtim të thellë të rolit të Amerikës në botë", që do t’i çonte amerikanët drejt refuzimit të unilateralizmit dhe do t’i bënte të përqafonin bashkëpunimin ndërkombëtar.
Por Kerry nuk fitoi, çka e detyroi filantropistin të vinte në diskutim, për herë të parë, mendjemprehtësinë politike të amerikanëve. Pas zgjedhjeve të vitit 2004, Soros kaloi njëfarë krize besimi. Në librin e tij të vitit 2006, “Epoka e pasaktësisë”, Soros ia atribuonte rizgjedhjen e Bushit faktit se SHBA ishte "një shoqëri e dëshirës për t’u ndier mirë, e cila nuk donte të përballonte realitetin e pakëndshëm". Amerikanët, pranonte Sorosi, do të preferonin më shumë "të drejtoheshin keq nga administrata e Bushit" sesa të përballeshin me dështimet e Afganistanit, Irakut dhe luftës kundër terrorit. Për shkak se ata u influencuan nga fondamentalizmi i tregut dhe obsesioni i këtij të fundit për "sukses", vijonte Soros, amerikanët ishin të etur të pranonin pretendimet e politikanëve se kombi mund të fitonte diçka absurde si lufta kundër terrorit.
Fitorja e Bushit e bindi Sorosin se SHBA-të do të mbijetonin si një shoqëri e hapur vetëm nëse amerikanët fillonin të pranonin "se e vërteta ka rëndësi"; përndryshe, ata do të vazhdonin të mbështesin luftën kundër terrorizmit dhe tmerret që e shoqëronin atë. Por, megjithatë, ajo se si mund t’ua ndryshonte Sorosi mendjen amerikanëve, mbeti e paqartë.
Kriza financiare e viteve 2007-2008 e nxiti Sorosin të fokusohej sërish tek ekonomia. Kolapsi nuk e zuri të papërgatitur; ai e kishte marrë në konsideratë si pasojë të parashikueshme të fundamentalizmit të tregjeve. Përkundrazi, kriza e bindi Sorosin se bota ishte gati të dëshmonte, siç deklaronte ai në librin e tij të vitit 2008 “Paradigma e Re për Tregjet Financiare”, "fundin e një periudhe të gjatë stabiliteti relativ të bazuar te SHBA-të si fuqia dominuese dhe dollari si monedha kryesore e rezervës ndërkombëtare".
Duke parashikuar rënien e Amerikës, Sorosi filloi të ushqente shpresat për një shoqëri të hapur në Bashkimin Europian, pavarësisht nga zemërimi i tij i mëparshëm me anëtarët e BE-së për mospranimin e plotë të Evropës Lindore në vitet '90. Megjithëse ai pranoi se BE kishte probleme serioze, ajo megjithatë ishte një organizatë në të cilën kombet vullnetarisht "ishin dakorduar për një delegim të kufizuar sovraniteti" për të mirën e përbashkët evropiane. Kjo siguroi një model rajonal për një rend botëror të bazuar në parimet e shoqërisë së hapur.
Shpresat e Sorosit në BE, megjithatë, u trazuan shumë shpejt nga tre kriza që goditën stabilitetin e Unionit: recesioni ndërkombëtar gjithnjë në thellim, kriza e refugjatëve dhe sulmi revanshist i Vladimir Putinit mbi normat dhe ligjet ndërkombëtare. Ndërsa Sorosi besonte se vendet perëndimore mund t’i lehtësonin këto kriza teorikisht, ai arriti në përfundimin se, në rast përsëritjeje të dështimeve të periudhës post-sovjetike, ata nuk kishin gjasa të bashkoheshin për ta bërë këtë. Gjatë 10 viteve të fundit, Soros është zhgënjyer nga fakti se Perëndimi nuk pranoi t’i falte borxhin Greqisë; dështoi në hartimin e një politike të përbashkët për refugjatët; dhe nuk do të merrte në konsideratë shtimin e sanksioneve ndaj Rusisë me mbështetjen materiale dhe financiare që i duhej Ukrainës për të mbrojtur veten pas aneksimit të Krimesë nga Putini në vitin 2014. Ai u shqetësua akoma më tej për faktin se shumë vende në BE, nga Britania e Madhe në Poloni, dëshmuan për rilindjen e etnonacionalizmit të djathtë që mendohej se ishte zhdukur përgjatë rrugës së historisë. Sapo Britania votoi për t'u larguar nga Bashkimi Europian në 2016-n, ai u bind se "shpërbërja e BE-së ishte praktikisht e pakthyeshme". BE-ja nuk shërbeu si modeli që Sorosi shpresonte se do të ishte.
Sorosi përjetoi në mënyrë të drejtpërdrejtë autoritarizmin racist që në dekadën e fundit ka kërcënuar jo vetëm BE-në, por në përgjithësi demokracinë në Evropë. Që nga viti 2010, filantropisti është përballur në mënyrë të përsëritur me Viktor Orbanin, kryeministrin autoritar dhe anti-emigrant të Hungarisë. Kohët e fundit, Soros e akuzoi Orbanin për "përpjekjen për të rivendosur demokracinë e shtirur që mbizotëronte [në Hungari] në periudhën midis Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore". Në fushatën e tij të suksesshme të rizgjedhjes këtë vit, Orbán e kaloi pjesën më të madhe të kohës së fushatës duke e demonizuar Sorosin, duke luajtur figurativisht me komente antisemitike dhe duke pretenduar se Sorosi po komplotonte në mënyrë të fshehtë për të dërguar miliona emigrantë në Hungari. Orbán ka kërcënuar gjithashtu Universitetin e Evropës Qendrore - që qeveria e tij i referohet si "universiteti Soros" - me mbyllje, dhe muajin e kaluar, parlamenti miratoi ligjin e ri anti-emigracion, të njohur si paketa "Stop Soros".
Por ndërsa Orbán është kthyer në kërcënim për shoqërinë e hapur të Hungarisë, Donald Trump po e kërcënon shoqërinë e hapur në një kuptim më të zgjeruar. Sorosi ia ka atribuuar fitoren e Trumpit efekteve të dëmshme që fundamentalizmi i tregut dhe Recesioni i Madh patën në shoqërinë amerikane. Në një opinion të dhjetorit të 2016-s, Sorosi argumentoi se amerikanët votuan për Trumpin, "një artist mashtrues dhe një diktator potencial", sepse "liderët e zgjedhur nuk arritën të përmbushnin pritshmëritë legjitime të votuesve dhe ky dështim e bëri elektoratin të mbetej i zhgënjyer nga versionet mbizotëruese të demokracisë dhe kapitalizmit".
Në vend të shpërndarjes së drejtë të pasurisë së krijuar nga globalizimi, argumenton Sorosi, "fituesit" e kapitalizmit nuk arritën të "kompensonin humbësit", gjë që çoi në një rritje drastike të pabarazisë brenda vendit - dhe kjo solli zemërim. Megjithëse Sorosi besonte se "Kushtetuta dhe institucionet e SHBA-ve ... janë mjaft të forta për t'u rezistuar ekseseve të ekzekutivit", ai shqetësohej se Trump do të formonte aleanca me Putinin, Orbanin dhe autoritarët e tjerë, gjë që do ta bënte gati të pamundur ndërtimin e një shoqërie e hapur globale. Në Hungari, SHBA dhe shumë pjesë të botës që kanë tërhequr vëmendjen dhe investimet e Soros, është e qartë se projekti i tij ka ngecur.
Rruga që Soros ka përpara është e paqartë. Nga njëra anë, disa nga veprimet e fundit të tij sugjerojnë se ai ka lëvizur në drejtim të së majtës, veçanërisht në fushat e reformës në drejtësi dhe atë të ndihmës ndaj refugjatëve. Kohët e fundit, ai krijoi një fond për të mbështetur fushatën e Larry Krasner, avokatit radikal të Filadelfias, dhe mbështeti tre kandidatë të qarkut të Kalifornisë të përkushtuar ngjashëm ndaj reformës prokuroriale. Ai gjithashtu ka investuar 500 milionë dollarë për lehtësimin e krizës globale të refugjatëve.
Nga ana tjetër, disa nga sjelljet e tij tregojnë se Sorosi mbetet i angazhuar për një parti tradicionale demokratike të pajisur keq për të trajtuar problemet që përcaktojnë momentin tonë të krizës. Gjatë garës preliminare të demokratëve në vitin 2016, ai ishte një mbështetës i hapur i Hillary Clinton-it. Dhe kohët e fundit, ai kritikoi kandidaten e mundshme demokrate për presidente, Kirsten Gillibrand, për nxitjen e Al Franken drejt dorëheqjes për shkak të ngacmimeve të tij seksuale ndaj një drejtueseje emisionesh në radio, Leeann Tweeden. Nëse Soros vazhdon të financojë projekte vërtet progresive, ai do të japë një kontribut të konsiderueshëm për shoqërinë e hapur; por nëse vendos të mbrojë demokratët banalë, ai do të kontribuojë në degradimin e vazhdueshëm të jetës publike amerikane.
Përgjatë karrierës së tij, Sorosi ka bërë shumë ndërhyrje të mençura dhe emocionuese. Nga këndvështrimi demokratik, megjithatë, aftësia e një personi të vetëm të pasur, për të formësuar çështjet publike është katastrofike. Vetë Sorosi ka pranuar se "lidhja midis kapitalizmit dhe demokracisë është e dobët në rastin më të mirë". Problemi për miliarderët si ai është ajo që ata bëjnë me këtë informacion. Shoqëria e hapur parasheh një botë në të cilën të gjithë njohin humanitetin e njëri-tjetrit dhe angazhohen si të barabartë. Nëse shumica e njerëzve po përpiqen për copat e fundit të një torte që sa vjen e bëhet më e vogël, megjithatë, është e vështirë të imagjinohet se si mund të ndërtojmë botën në të cilën Soros – dhe në të vërtetë, shumë nga ne - do të dëshironin të jetonin. Aktualisht, ëndrrat kozmopolitane të Sorosit mbeten pikërisht këto. Pyetja është pse, dhe përgjigja mund të jetë fare mirë sepse shoqëria e hapur është e mundur vetëm në një botë ku askujt - qoftë Soros, ose Gates, DeVos, Zuckerberg, Buffett, Musk ose Bezos – nuk i lejohet të bëhet aq i pasur sa është bërë ai.
The Guardian/TvT
Përktheu: Gazmira Sokoli
Add new comment