Një analizë konstatuese mbi votat dhe mandatet e zgjedhjeve të Tuzit

Postuar në 22 Mars, 2019 19:00
Arsen Zlaticanin - Universiteti i Shkodrës

Analizën në lidhje me rezultatet e zgjedhjeve lokale të 3 marsit në Tuz do ta ndaj në dy pika. E para do të jetë në lidhje me efektin e formulës D'Hondt në procesin e konvertimit të votave në mandate dhe e dyta në lidhje me lëvizjen e votave nëpër vendbanimet e komunës së Tuzit në raport me zgjedhjet e parafundit lokale të 26 nëntorit (dhe 23 dhjetorit) të vitit 2017.

1. Zgjedhjet e 3 marsit për këshillin komunal të komunës së Tuzit prodhuan  rezultatin: 32 mandate në  total  u  ndanë në 16 mandate për Forumin shqiptar (ASH(Alternativa Shqiptare)-LDSH(Lidhja Demokratike Shqiptare)-UDSH(Unioni Demokratik i Shqiptarëve)), 10 mandate për Partinë e Demokratëve Socialistë (DPS), 4 mandate për Partinë Boshnjake (BS), 1 mandat për Socialdemokratët (SD) dhe 1 mandat për Demokratët e Malit të Zi (DCG). Ne ligjin zgjedhor të Malit të Zi (nenet 94 dhe 95) është e caktuar që ndarja e mandateve të bëhet me formulën D'Hondt për listat që konkurojnë në zgjedhje, të cilat nuk kanë me pak se 3% të votave të vlefshme.

Nga tabela shihet se Forumi Shqiptar kishte 15 mandate që i prodhojnë votat e saj, ndërsa një mandat më shumë i “dhurohet“ nga formula D'Hondt. Pra konfiguracioni i listave të tjera i ka mundësuar mandatin e 16 Forumit Shqiptar dhe jo vetëm 3682 votat e saj. Psh, sikur të kishte lëvizje 50 votash nga SD tek DPS (parti aleate në çdo nivel të qeverisjes së bashku me partinë boshnjake - BS), mandati i 16 i Forumit Shqiptar do kalonte tek DPS që kështu do shkonte në 11 mandate. Edhe kombinime të tjera votash mes listave të tjera (pa ndryshuar totalin e votave), do ti hiqnin mandatin e 16 Forumit shqiptar. Që Forumi Shqiptar të kishte të sigurt 16 mandate (në varësi direkte nga votat e saj) do të duhej të kishte 1.47% më tepër të votave të vlefshme, pra  48.58% te votave të vlefshme. Gjithashtu mandati i 15 është siguruar nga votat e Forumit Shqiptar dhe ështe 1.66% të votave të vlefshme sipër. Me 1.67% të votave të votave të vlefshme më pak, mandati i 15 i Forumit Shqiptar nuk do garantohej më direkt prej votave të tyre, por nga konfiguracioni dhe votat e subjekteve  të tjera.

Nga ana tjetër edhe subjekti DCG e ka mandatin e fituar si pasojë e ndikimit të formulës D'Hondt  së bashku me konfiguracionin e listave të tjera, por siç shihet nga tabela është shumë afër sigurisë së mandatit (vetëm me 0.03% të votave të vlefshme, konkretisht vetëm 2  vota më tepër sesa ka). Përsa i takon pragut elektoral vlen të theksohet  që Demokratët (DCG) janë fiks tek pragu elektoral. Një votë më pak, pra nga 235 vota të binin në 234 vota, DCG do binte ne 2,99% dhe do ta humbiste mandatin i cili do shkonte tek subjekti  DPS, që do kalonte në 11 mandate.

Pra konkluzioni në total është që subjektet DPS+SD+BS siguruan 10+4+1 me votat e tyre dhe konfiguracioni i tyre në zgjedhje ndikoi që të mos përfitonin asgjë nga formula D'Hondt. Përfitimi nga formula D'Hondt ishte vetëm i shumicës aktuale Forumi Shqiptar+DCG=16+1, të cilët siguruan mazhorancën në këshillin komunal të komunës së Tuzit.

2.  Në total (në raport me zgjedhjet e vitit 2017), koalicioni shqiptar i tri partive pati një  rritje nga 2384 vota në 3682 vota, DPS zbritje nga 2881 në 2491 vota, BS  rritje nga 751 në 960, SD rritje nga 310 në 360 vota, DCG zbritje nga 388 në 235 vota dhe SNP zbritje nga 123 në 86 vota. Në përgjithësi vërehet një  rritje e fortë në vota për faktorin politik shqiptar, një rënie e konsiderueshme për DPS dhe stabilitet me rritje të lehta për subjektet  BS dhe SD.

Në një shikim më të thellë, duke marrë parasysh edhe përberjen etnike dhe atë fetare në komunën e Tuzit, nëpër zona të ndryshme trendi i lëvizjeve nuk ishte kudo afër  trendit të përgjithshëm. Për të pëshkruar këtë, vlen të bëhet një ndarje e të gjithë  vendbanimeve  të  komunës  së  Tuzit, në dy zona tipike, ku zona e parë përfshin vendbanimet: {Tuzi, Shipshanik, Dheu i zi, Dinoshë, Omerbozhaj, Planinicë, Haxhaj, Lekaj, Vrane, Vllanë, Mileshi i sipërm, Rakiq, Mileshi i poshtëm, Rogath}  që kanë përzierje etnike (58% shqiptarë, 21% boshnjakë-muslimanë, 15% malazezë dhe 3% serbë), kurse zona e dytë vendbanimet  {Llovkë, Pikalë, Priftën, Selishtë, Gurrec, Krshevë, Passhkallë, Dushiq, Koderbudan, Sukruq, Helmicë, Nabom, Traboin, Arzë, Bardhaj, Skorraq, Spi, Drume,  Vuksanlekaj, Dreshaj, Narhelm, Benkaj, Poprat, Budzë, Delaj, Stijepov, Triesh, Muzheçk, Nikmarash, Rudinë, Cem, Kojë}  që kanë etnicitet të pastër shqiptar (97% shqiptarë dhe afro 90% janë të besimit katolik). Zona e parë ka afro 75% të zgjedhësve, kurse zona e dytë 25% të zgjedhësve të komunës së Tuzit.

Siç mund të vërehet nga grafiku i mësipërm  subjektet DPS-SD-BS në zonën.1 nuk kanë lëvizje të theksuara votash nga viti 2017, madje në total këta subjekte kanë një rritje të lehtë. Kjo do të thotë që rritja e Forumit Shqiptar me mbi 650 vota në zonën.1  i dedikohet pothuaj krejtësisht rritjes së pjesëmarrjes në votime të zgjedhësve, të cilët në vitin 2017 nuk kishin votuar. Ky fenomen përsëritet edhe në zonën.2  kryesisht, por me një ndryshim esencial. Këtu partia DPS e Gjukanoviqit, ka rënie të theksuar votash (votash të shqiptarëve, meqënëse kjo zonë është etnikisht, pothuaj krejtësisht shqiptare). Në këtë zonë kësaj radhe zgjedhësit kanë rritur pjesëmarrjen në votime dhe kanë mbështetur masivisht Forumin Shqiptar ku një pjesë e zgjedhësve (diku 250 zgjedhës) kanë kaluar nga partitë joshqiptare tek Forumi Shqiptar. Pikërisht ky element , i cili nuk paraqitet tek zona.1 i ka dhënë Forumit Shqiptar edhe një mandat më tepër, në dëm të partisë DPS të Gjukanoviqit.

Përfundimisht në raport me zgjedhjet e vitit  2017, rritja me 4 mandate për partitë e koalicionit fitues – Forumit Shqiptar i dedikohet :  Dy mandate u përfituan si pasojë e rritjes të pjesëmarrjes të zgjedhësve të Forumit Shqiptar, një  mandat si pasojë e tërheqjes së votave nga subjekti DPS tek Forumi Shqiptar në zonën. 2, dhe një mandat si pasojë e formulës D'Hondt dhe e konfiguracionit(shpërndarjes së votave)  të partive joshqiptare nga koalicioni qeverisës.

Shënim: Të dhënat mbi rezultatet e zgjedhjeve janë marrë  nga  faqja zyrtare  e komisionit zgjedhor lokal  për komunën e Tuzit (në  nivel  qëndrash votimi), kurse të dhënat mbi etnicitetin  janë të  dhënat  zyrtare  te censusit të Malit te zi, (viti 2011), në nivel  vendbanimesh.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.