Propagandimi i qepur trashë i një konspiracioni kundër socialistëve shqiptarë
Nëse në Shqipëri qeverisin socialistët, atëherë pas çdo gjëje që ndodh për mungesë përgjegjshmërie apo aftësie, ka një shpjegim konspiracionist.
Nëse akuzohet qeveria apo edhe kritikohet, gazetarët janë të paguar, apo fundja gazetarë janë, aq dinë.
Nëse publikohen raporte dhe fakte, ato mbulohen me heshtje derisa për to të prononcohet PD-ja dhe sidomos Berisha, që mandej të fillojë dueli i njohur i akuzave ndaj tij për të shmangur vëmendjen.
Nëse bie zjarr në çerdhe, apo edhe në ndonjë pyll siç ndodhi sivjet, kjo ndodh patjetër se ka një dorë që do t’i vërë zjarrin vendit.
Nëse protestohet për gjithfarë gjërash, aty do gjendet një mënyrë për të blerë ca, si dhe për të angazhuar mediat që të qëmtojnë biografitë.
Nëse ka ndonjë deputet të huaj që flet me kritika, ai thjesht është mik i Lulzim Bashës apo fundja e kanë keqinformuar.
Së fundmi, nëse shkruhet në mediat e huaja për Shqipërinë, këtë oligarki të drogës, aty patjetër ka keqdashje dhe ligësi që nis nga Tirana.
Mirëpo edhe sikur këto alibi të jenë të vërteta, ato nuk mohojnë dot objektivitetin mbi të cilat ngrihen akuzat. Droga është sheshit, jemi asgjë më shumë se një vend i krimit dhe i trafikut. Nuk na duhet të na e thonë për ta kuptuar. Ambasadorët e huaj sillen dhe veprojnë si t’u dojë bytha në këtë vend dhe qeverisë aq i bën nëse kjo i konvenon. Ka që thonë se ambasadorët janë blerë. Pse vallë duhet të na duket kaq e çuditshme një gjë e tillë? Kush është ai që nuk i do paratë?
Rasti më i fundit, kur një gazetë në SHBA shkruan për audiencën e atjeshme politike se reforma në drejtësi në Shqipëri e drejtuar nga ambasadori Donald Lu e bëri çorbë situatën dhe në vend se të ndreqte krijoi kaos, ka shqetësuar qeverinë. E cila është përgjigjur ashtu siç di të bëjë: ka sajuar me ndihmën e mediave të veta konspiracionin rus. Pra gazetari që shkruan del i lidhur me rusët që nga koha e fushatës së Donald Trump. Por tani edhe Donald Trump, të cilit kryeministri po i vardiset kaq shumë saqë është kahil të shpikë edhe baza ushtarake të NATO-s dhe ndaj të cilit do të nisë lobimin për vendosur kontakte zyrtare në muajt e ardhshëm, po del i lidhur me lloj lloj gjërash.
Nga ana tjetër, logjikës se pas çdo akuze ka një dorë të ligë i mungon objektiviteti. Është e vështirë të mendohet se në SHBA investohen para ruse që të goditet Shqipëria për reformën në Drejtësi, sepse kështu godasim qeverinë patriotike të Edi Ramës. Këto nuk ecin. Është kjo qeveri që nuk ngrys një ditë pa skandale dhe e cila e ka ligjëruar korrupsionin. Që këtej do të duhet të nisë arsyetimi, pasi një qeveri që qeveris përmes korrupsionit nuk ka sesi ta pretendojë pafundësisht mirëkuptimin e të gjithëve.
Shkrimi është vërtet ndoshta një përpjekje lobimi e opozitës që çon zërin e vet në SHBA, por kjo nuk ka ndonjë gjë edhe aq të keqe. Fundja shkrimi nuk ka ndonjë mashtrim, mund të ketë pasaktësi, por në thelb ai qëndron. Reforma në drejtësi u shndërrua padyshim në projekt për kapjen e drejtësisë dhe asgjë më shumë, edhe pse kokat që po priten po priten me të drejtë.
Refuzimi për të pranuar qoftë edhe një kritikë, apo për të folur me tonin e duhur për gabimet, është problem serioz i kësaj qeverie e cila ka hyrë në fazën e degradimit me këmbënguljen e vet për të shitur moral teksa kapet përditë në zullume. Dhe është lajm i mirë që kjo qeveri e shumicës së pathyeshme ka kundërshtarë jashtë vendit, ndërkohë që është lajm edhe më i mirë që kjo qeveri e arrogancës me më të pambrojturit shqetësohet edhe nga një opozitë si kjo e Lulzim Bashës.
Add new comment