Krimi i radhës në Hoshtevë të Zagorisë
Mirela Kumbaron ta kishte kërkuar Shqipëria nuk do ta kishte gjetur dot si ministre Kulture. Kudo ku vë këmbën zonja shkakton probleme. Nuk mjafton firma në projektin kriminal për prishjen e Teatrit Kombëtar, nuk mjafton salçiçeria klienteliste në mes të Butrintit. Zonja në fjalë dëshiron të marrë në mbrojtje krime të tjera siç quhet i ashtuquajturi restaurim i Kishës së Apostujve në Hoshtevë të Zagorisë nga kryeplaku Paskal Nasi. I cili duhet thënë se edhe shqipen, por edhe logjikën e ka shumë më të shëndetshme dhe të shëndoshë sesa ministrja Kumbaro e cila kur pyetet për prishjen e mureve dhe zëvendësimin e tyre me të rinj, përgjigjet se “këto janë të papritura që reflektohen në projekt”.
Ajo që është teknika e ndjekur nga kompania “Manes sh.p.k”, nga ministrja cilësohet si e papritur, duke dëshmuar kështu se mendjelehtësia e paraqitjes publike të zonjës që po bën shumë dëme, është kthyer në formë dhe përmbajtje të politikave të ashtuquajtura kulturore. Në kronikën e Top-Channel flet edhe një restaurator, flet edhe një vizitore e huaj, që shprehin kundërshtimin dhe habinë për nallbanët e restaurimit shoqëruar e gjitha me një fakt që duhet të ishte tronditës në dritën e shkatërrimit që po bën zonja ministre:
Kisha e Apostujve apo e njohur si Kisha e Shën Pjetrit dhe Pavllos është e vetmja që i ka rezistuar kohës mes 24 kishave të zonës më të thellë të Zagories në Gjirokastër
Pak muaj më parë një lajm i ngjashëm nga Turqia u përcoll nga ResPublica si analogji me ato që bën ministrja shqiptare, sepse ky cinizëm që ka të bëjë vetëm e vetëm me fondet e bashkon në një sërën në fjalë në akte që lënë pa fjalë ata që kanë një fije ndjeshmërie për trashëgiminë.
Add new comment