Arrihet pakti me Greqinë, çamët jashtë marrëveshjes

Postuar në 22 Qershor, 2018 13:46

Tirana dhe Athina po shkojnë drejt nënshkrimit të një marrëveshje brenda 24 orëve të ardhshme dhe para mbledhjes së Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve. Kështu shkruan gazeta e njohur greke Kathimerini, duke iu referuar bisedimeve të ministrave Kotzias e Bushati të nisura të enjten në Rodos. Dakordësinë për çështjet e mbetura, kufirin detar dhe shfuqizimin e ligjit të luftës  e konfirmoi edhe kryeministri Rama, i cili foli për një rezultat më të mirë se marrëveshja për Zonat Ekskluzive Ekonomike në vitin 2009. 

Nga Athina përgënjeshtrojnë kategorikisht se marrëveshja përmban ndonjë referencë ndaj kërkesave të Tiranës për çështjen Çame, pavarësisht nga fakti se në Shqipëri kjo temë krijon sensibilitete në skenën politike. 
 
Kathimerini duke iu referuar burimeve diplomatike thotë se marrëveshja përfshin ndarjen e  Zonave Ekskluzive Ekonomike (EEZ), heqjen e gjendjes së luftës midis Athinës dhe Tiranës, respektimin e të drejtave të minoritetit grek etnik në Shqipëri si dhe ndryshimet në tekstet shkollore.
"Jo vetëm që kemi bërë marrëveshjen e duhur, por kemi treguar edhe çfarë janë në gjendje të bëjnë këta të dëshpëruar që s’kanë as ide, as program, as skuadër dhe gjithë pafuqinë e tyre që të qenurit një alternative qeverisëse po e kthejnë në një fuqi destruktive, duke luftuar kundër çeljes së negociatave”- ka deklaruar Rama.

Mediat greke vënë në dyshim rolin e Ilir Metës duke thënë se ai mund të jetë pengesë për firmosjen. Kreu i Shtetit tha pak ditë më parë se i duhej informacion më serioz për të bisedimet me Greqinë, duke lënë të kuptohet se kishte refuzuar kërkesën e kryeministrit Rama për autorizimin. E pyetur nga ResPublica zyra për shtyp e Presidentit tha se nuk është parashikuar ndonjë takim mes kreut të shtetit dhe kryeministrit Rama për këtë çështje të paktën në orët në vijim. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.