Pasojat e një marrëveshjeje kriminale!
Situata në Shqipëri ka mbërritur në një pikë ku besimi te politika thuajse ka rënë, ndonëse kryeministri thotë se politika është i vetmi mjet për të ndryshuar rendin e mirëqënies materiale dhe asaj demokratike. Paradoksalisht jemi në kushtet kur varka e qeverisjes së tij po fut ujë nga të gjitha anët dhe përpjekja për t'i “shpëtuar fytyrën” Rilindjes po e diskretiton dhe më shumë prestigjin e familjes socialiste, që në çdo rast i njeh vetes dy medalje; atë të antiberishizmit gjatë tranzicionit dhe ambicjen e kryetarit të mëvonshëm Edi Rama për të bërë shtet.
A është Edi Rama afër realizimit të kësaj ambicjeje? Me ish-ministrin e Brendshëm dhe ish-bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë në hetim si pjesëtar i një organizate të strukturuar kriminale dhe thuajse afër arrestimit, është vështirë të qëndrojë në këmbë çdo alibi për padijeni të situatës së kriminalitetit që përfshiu kupolën e Ministrisë së Brendshme deri tek policët e rangut më të thjeshtë. Në bilancin e këtij kryeministri tashmë janë edhe tre ish-drejtorë policie të arratisur pas akuzave për bashkëpunim në trafik droge.
Zor se kjo situatë kriminale mund të lexohet si progres për t’i dhënë vendit një shtysë në procesin e afrimit me BE-në. Për të mbërritur deri këtu, vendit i është dashur të kalojë në një trajektore politike të lidhur me intersat për pushtet të dy njerëzve, Edi Ramës dhe Ilir Metës. Aktualisht njëri kryeministër dhe tjetri president. Dhe aspak rastësisht! Por në bazë të një marrëveshje që në terma politikë dhe praktikë quhet ndarje pushteti ose tepsie.
Një marrëveshje e firmosur në vitin 2013 që i jepte garanci Edi Ramës për karrigen e kryeministrit dhe nga ana tjetër zgjaste vazhdimësinë e pushtetit të Ilir Metës dhe partisë së tij, LSI. Ajo çfarë shohim pas afro 5 vitesh është larg objektivave dhe ambicjeve të asaj që u quajt Kartëa e Parimeve të Bashkëqeverisjes me Lëvizjen Socialiste për Integrim, e njohur ndryshe edhe si marrëveshja e 1 Prillit.
Një dokument që premtonte në pikën 15 të tij një objektiv madhor “Anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda harkut të dy mandateve qeverisëse, ku të bashkuar në emër të shumicës së shqiptarëve dhe me dorën e bashkëpunimit të shtrirë ndaj përfaqësuesve të pakicës në emër të Shqipërisë Europiane, do t’i shërbejmë besnikërisht popullit shqiptar”
Çdo kush e kupton që për 3 vitet e mbetura Shqipëria nuk ka asnjë shans të anëtarësohet në Bashkimin Europian dhe se firmat që u hodhën nga Edi Rama dhe Ilir Meta në kartën e premtimeve nuk ishin vetëm një shfaqje teatrale, por një dokument që prodhoi pasoja kriminale për vendin, siç tashmë pranohet plotësisht nga njëra parti dhe pjesërisht nga partia tjetër.
Dhe firmëtarët Edi Rama dhe Ilir Meta janë sërish sot flamurtarët e integrimit të vendit duke kërkuar të na bindin se e vërteta nuk është ajo që duket, por ajo që ata thonë. Marrëveshja e firmosur prej tyre rezultoi një kontratë kriminale, e duartrokitur nga gjithë enturazhi i dy partive që dikur ishin nje.
Marrveshja 1 Prill 2013
Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim,
Me shqetësimin e përbashkët për situatën kritike të demokracisë, ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare sot; Me bindjen e përbashkët se sot institucionet e pavarura të vendit, kanë dalë jashtë kontrollit kushtetues të popullit sovran dhe janë kthyer në zgjatime të rrezikshme të partisë në pushtet;Me vlerësimin e përbashkët, për rëndësinë e jashtëzakonshme që ka sot në të gjitha planet për Shqipërinë, rotacioni politik dhe vendosja e ekuilibrit kushtetues mes pushteteve, institucioneve të pavarura dhe qytetarëve;
Me vetëdijen e përbashkët, për domosdoshmërinë e intensifikimit të procesit të integrimit të Shqipërisë në Familjen Europiane, përmes zgjerimit të konsensusit politik mbi bazën e vullnetit popullor të shprehur me zgjedhje të lira e të ndershme;
Me synimin e përbashkët, për t’u dhënë shqiptarëve një qeveri të shumicës reale duke garantuar, përmes bashkimit të të gjitha forcave që Shqipërinë Europiane e kanë vizion atdhetar dhe jo slogan propagandistik, paprekshmërinë e votës së lirë si themelin e bashkëjetesës sonë në një shtet e shoqëri europiane;
Me vullnetin e përbashkët, për të realizuar reforma të thella që do të sjellin transformime rrënjësore në funksion të demokratizimit e të modernizimit të vendit si edhe të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik me punësim real dhe shërbime publike sipas nevojës;
Me qëllimin e përbashkët, për t’i dhënë Shqipërisë një rol të ri aktiv në bashkëpunimin rajonal përmes nxitjes e promovimit të projekteve të zhvillimit demokratik dhe ekonomik, ku marrëdhëniet me Kosovën të ngrihen në nivelin e një partneriteti të ri strategjik, ku mbrojtja e pakicave të garantohet me një vetëdije të re si një pasuri e përbashkët e rajonit tonë dhe ku vetë Shqipëria si i vetmi vend anëtar i NATO-s mes vendeve ende të pa anëtarësuara në BE të Ballkanit pas anëtarësimit të afërt të Kroacisë, të bëhet modeli frymëzues i respektit për vlerat e parimet e botës demokratike;
Me përgjegjësinë e përbashkët historike, për t’i dhënë Shqipërisë sot një forcë të re të progresit si garanci për mirëqeverisjen e vendit, përmes bashkimit të të gjithë socialistëve e të progresistëve, duke nxjerrë mësimet e duhura nga eksperiencat pozitive po edhe nga gabimet e të shkuarës, si edhe duke marrë përsipër barrën e promovimit të idealeve e të ideve të së majtës së re të shekullit XXI;
Vendosin:
Të bashkohen në kuadrin e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”
Partia Socialiste e Shqipërisë dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, bien dakord që ky bashkim të jetësojë sa më poshtë vijon:
1. Një bashkëpunim strategjik, programor dhe politik, bazuar qoftë në domosdoshmërinë e realizimit të objektivave afatgjatë dhe qoftë në nevojën e bashkëveprimit konstant mes PS e LSI, për të ndërtuar Shqipërinë Europiane si realitet i ri i në të ardhmen e afërt i Bashkimit Europian, përmes mirëqeverisjes së punëve të vendit çdo ditë;
2. Një zhvillim konstruktiv të bashkëpunimit mes PS e LSI, mbi parimet e kushtetutshmërisë e të ligjshmërisë, respektit të të gjithë faktorëve institucionalë, politikë e shoqërorë, garantimit të lirive e të drejtave të opozitës dhe kërkimit të konsensusit sa më të gjerë në procesin vendimmarrës, përmes gjithëpërfshirjes e vendosjes së prioriteteve të procesit të ndërtimit të Shqipërisë Europiane mbi çdo prioritet partiak.
3. Një vullnet të palëkundur për të garantuar kohezion të brendshëm të koalicionit dhe konsensus për mirëqeverisjen, në funksion të reformave të dakordësuara bashkërisht, të emërimeve që janë përgjegjësi kushtetuese e Kuvendit për garantuar pavarësinë e institucioneve, të depolitizimit dhe modernizimit të administratës publike përmes konkurrencës e meritës.
4. Një qasje të re publike të shumicës qoftë në parlament e qoftë në qeveri, për të garantuar mbi bazën e një Kodi Etik që do të hartojmë e miratojmë bashkërisht, shprehjen e respektit më të madh për opinionin publik dhe rritjen e transparencës ne qeverisje në një shkallë të panjohur deri më sot.
5. Një ndarje të re të punëve mes legjislativit dhe ekzekutivit, duke i dhënë një vlerë të re mandatit të popullit Sovran qoftë në pushtetin legjislativ qoftë në pushtetin ekzekutiv, me qëllim që kontrolli parlamentar të marrë vlerën e munguar në këto dy dekada dhe përgjegjësia qeverisëse të fitojë një cilësi të re.
6. Një pozicionim të qartë në mbrojtjen e shtresave të nevojë dhe në mbështetjen e shtresës së mesme, përmes uljes së barrës së detyrimeve apo taksave të drejtpërdrejta si edhe nxitjes së integrimit social përmes punës dhe rritjes së fuqisë blerëse.
7. Një politikë vijimësisht mbështetëse për biznesin e vogël, për të rritur vetëpunësimin dhe fuqinë ekonomike të familjeve që merren me biznes të vogël si edhe për të filluar uljen e borxheve të familjeve të varfra ndaj biznesit të vogël.
8. Një garanci të plotë për lirinë e biznesit të madh për të stimuluar një ekonomi prodhuese duke mbrojtur lirinë e konkurrencës, duke rritur përgjegjshmërinë e shtetit në raport me çdo potencial zhvillim dhe investitor vendas apo të huaj, si edhe duke rritur transparencën e cilësinë e marrëdhënieve mes qeverisë e sipërmarrjes në funksion të interesit madhor të zhvillimit ekonomik e social të vendit – çka për ne do të thotë përfshirje e sipërmarrjes në çdo vendimmarrje të rëndësishme për të dhe luftë pa kompromis arbitraritetit të organeve tatimore ndaj sipërmarrjes.
9. Një angazhim të fuqishëm për zgjidhjen e çështjes së pronës, duke siguruar transparencën e domosdoshme të procesit të kthim-kompensimit të pronave në funksion të së drejtës së mohuar të pronarëve që pas dy dekadash liri janë ende shumë që nuk gëzojnë asnjë të drejtë mbi pronën e tyre. Duke siguruar përmes një procesi të mirëorganizuar e transparent dhënien e certifikatës së tokës për të gjithë fermerët që prej dy dekadash punojnë një tokë që e kanë de facto po nuk e gëzojnë de jure. Duke realizuar me transparencë procesin e zvarritur të legalizimeve që në dy dekada ka sjellë vetëm rritjen e numrit të ndërtimeve pa leje dhe shkatërrime të mëdha të territorit.
10. Një trajtim me prioritet të sigurisë publike dhe të garantimit të paprekshmërisë së individit e të pronës, duke i shpallur një luftë të pashoqe krimit të çdo natyre dhe korrupsionit. Në këtë kontekst e shohim të pandashme edhe sigurinë juridike për çdo qytetar, në mënyrë të barabartë, eficiente dhe të përgjegjshme duke organizuar drejtësinë si një shërbim publik të sigurt e të aksesueshëm nga te gjithë sipas nevojës. Për ne një Shqipëri e drejtë me të gjithë fillon nga mirëqeverisja për të gjithë.
11. Një politikë të re për rininë shqiptare si kontributore e pazëvendësueshme për projektin e Shqipërisë Europiane dhe integrimin e vendit ne Bashkimin Europian. Kjo vetëkupton arsimimin e nje brezi me mentalitet dhe profesionalizëm europian për të përballuar sfidën e lirisë në mjedisin e një ekonomie gjithnjë e më globale.
12. Një vëmendje të posaçme ndaj barazisë gjinore duke synuar rritjen e vazhdueshme të pjesëmarrjes së gruas në përfaqësimin e popullit Sovran në nivel qendror e vendor, në mirëqeverisjen e punëve të vendit apo komunitetit në administratën publike, në biznes apo shoqërinë civile. Aleanca për Shqipërinë Europiane do të ketë objektiv të palëvizshëm të përpjekjes së saj zhdukjen e dhunës kundër gruas si edhe luftën kundër papunësisë femërore.
13. Një vendosmëri të palëkundur për të mbrojtur pasuritë natyrore të vendit, burimet nëntokësore, trashëgiminë kulturore, përmes politikash zhvillimi me një përmasë të gjelbër në kuadrin e një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm.
14. Një vizion europianizues që të lerë pas përgjithmonë fantazmën e nacionalizmit primitiv e të promovojë atdhedashurinë si shprehje të krenarisë kombëtare dhe të respektit për historinë si burim frymëzimi për të ardhmen, jo si gjenerator dasish e konfliktesh të së shkuarës.
15. Një objektiv madhor: Anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda harkut të dy mandateve qeverisëse, ku të bashkuar në emër të shumicës së shqiptarëve dhe me dorën e bashkëpunimit të shtrirë ndaj përfaqësuesve të pakicës në emër të Shqipërisë Europiane, do t’i shërbejmë besnikërisht popullit shqiptar.
Karta e Parimeve të bashkimit PS – LSI në kuadrin e koalicionit Aleanca për Shqipërinë Europiane do të shtjellohet me detaje në programin qeverisës të koalicionit. Këto parime do të kihen parasysh edhe në hartimin e marrëveshjes së veçantë që PS dhe LSI do të bëjnë për zgjedhjet vendore të vitit 2015. Çdo ndryshim në Kartën e Parimeve mund të bëhet vetëm me konsensus përmes një amendamenti me shkrim të firmosur nga kryetarët e PS dhe LSI.
Add new comment