Presion i fortë edhe ndaj Zaevit në Maqedoni
Arrestime edhe në Maqedoni si kusht që qeveria e Zaevit të ketë rrugën e hapur për integrimet euro-atlantike. Ky duket të jetë mesazhi i SHBA për fqinjin tonë lindor. Zv.ndihmës Sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Brian Hoyt Yee ka deklaruar në një intervistë për emisionin “360 gradë” në Tv Alsat në Maqedoni, se të gjitha çështjet e rrjedhura nga përgjimet e paautorizuara që u publikuan nga Zoran Zaev kur ishte në opozitë, duhet të trajtohen ligjërisht. Ai ka deklaruar se kjo ka të bëjë me besueshmërinë e këtij vendi, çka do të thotë se të ashtuquajturat “bomba” që opozitari Zaev hodhi dikur për të helmuar opinionin maqeonas duan një përgjigje ligjore.
“Ne u bëjmë thirrje të gjitha partive politike, liderëve politikë, liderëve të qeverisë dhe anëtarëve të Parlamentit që të bëjnë gjithçka munden që drejtësia të bëhet…që Prokurorit të Përgjithshëm t’i jepet mbështetja e nevojshme që të bëjë punën e tij…”, tha Yee. Ky është një mesazh i qartë kushtëzues për qeverinë e Zaevit, për ardhjen e së cilës në pushtet luajtën një rol instrumentar edhe shqiptarët e pas tyre edhe Tirana zyrtare.
Yee ka folur edhe për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor. Sipas zyrtarit amerikan Rusia po përpiqet që të dekurajojë hyrjen e Ballkanit Perëndimor në NATO dhe BE. Ai ka apeluar për një media të fortë dhe të pavarur për t’i rezistuar çdo ndikimi malinj, cilidoqoftë burimi i tij.
Yee është caktuar ambasador i SHBA në Greqi dhe ka lënë detyrën në Departamentin e Shtetit. Ai është personi përgjegjës për arritjen e marrëveshjeve në Maqedoni dhe në Shqipëri. Mesazhet e tij vijnë në një kohë kur në Tiranë ambasadori amerikan, Donald Lu ka folur për rrëzimin e qeverisë së Edi Ramës dhe për krimin që duhet goditur.
Add new comment