Sanksionet e SHBA, prekin kompanitë europiane. Probleme serioze edhe me Turqinë
Sanksionet e miratuara së fundmi nga kongresi amerikan ndaj Rusisë, pritet të provokojnë ndarje edhe më të thella me BE-në dhe brenda vetë BE-së. Mediat bëjnë me dije se paketa e re e sanksioneve prek përmes gjobitjes edhe ato firma apo kompani europiane që marrin pjesë në projekte energjetike të importit të gazit nga Rusia. Agjencia “Reuters” shkruan se në këtë paketë preken disa kompani që janë pjesë e Rrymës Veriore, gazsjellësi i madh që do të sjellë gazin nga Rusia në Europën Qendrore dhe Veriore. Mes kompanive që preken nga këto akte të SHBA janë grupi gjerman Wintershall, firma gjermane Uniper, Dutch Shell, austriakja OMV dhe francezja Engie – të gjitha kompani që janë pjesë e North Stream, projekti 11.1 miliardë dollarësh. Kreu i Business Europe, Markus Beyrer, lobi kryesor i biznesit në BE ka bërë thirrje që SHBA të mos ndërmarrë veprime të njëanshme që prekin kompanitë dhe qytetarët e BE-së. Agjencia bën të ditur se Komisioni Europian do të diskutojë sot për reagimin ndaj sanksioneve të miratuara në Kongresin amerikan dhe një nga opsionet e mundshme është që të kërkohet përjashtimi i kompanive që operojnë në tregun energjetik. Një akt që e vendos BE-në në pozitat e të dobëtit në këtë betejë të madhe.
Ndarje edhe në çështje të sigurisë
Interesat nuk divergojnë vetëm në planin ekonomik. Edhe në atë të sigurisë duket se Perëndimi nuk po gjen gjuhën e përbashkët, edhe për faktin se bota e tanishme nuk është më ajo e viteve ’90. Rasti më domethënës është Turqia, një vend mes Europës dhe Azisë, anëtare e NATO-s, e cila ka rritje të lartë ekonomike dhe po fuqizohet me shpejtësi. Nëse BE-ja ka një problem të vetin specifik me Turqinë, për shkaqe historike dhe njerëzore ajo është e dënuar të bashkëpunojë me të. Por përplasja përherë e në rritje e Turqisë së Erdoganit me SHBA-në mund të shtrojë në tryezë probleme të reja.
Së fundmi ka tërhequr vëmendjn lajmi se Ankaraja zyrtare po finalizon marrëveshjen e blerjes së sistemit raketor S 400 nga Rusia, për të cilin drejtuesit e ushtrisë amerikane kanë shprehur shqetësim. Vetë presidenti Erdogan ka deklaruar se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar përderisa me amerikanët është biseduar disa herë dhe nuk është arritur marrëveshje. Sipas tij, çdo vend ka të drejtë të marrë masa për mborjtjen dhe sigurinë e vet.
Agjencia ruse “Sputnik” i jep një tjetër shpjegim kësaj që po ndodh. Duke cituar një ekspert turk, Abdullah Ağar, agjencia shkruan se tërheqja e Turqisë nga partneriteti me Perëndimin buron nga strategjia e këtij të fundit për të rivizatuar hartën e Lindjes së Mesme dhe kjo është bërë e qartë që nga lufta e Irakut në vitin 2003. Sot SHBA mban lidhje me kurdët e PKK-së dhe mbështet organizatën FETO, dy kërcnëime serioze: I pari për integritetin territorial, i dyti për pushtetin aktual. Ankaraja ka kundërshtuar edhe mbajtjen e referendumit të kurdëve të Irakut, ndërkohë që qeveria e këtij të fundit ka kërkuar prezencë ruse në vend. Paralel me këto zhvillime, pak ditë më parë bëri bujë lajmi se Turqia po identifikonte publikisht bazat amerikane në Siri. Më tej akoma, Turqia parashikon që zhvillimin e sektorit bërthamor civil ta çojë përpara me bashkëpunimin e Rusisë. Projekti i Akkuyu është i pari në Turqi dhe ai do të ndërtohet nga rusët.
Zhvillimet në fjalë e vendosin Europën në mesin e një përballjeje nga e cila nuk shpëton dot. Siç shihet ekonomia sot po orientohet drejt raporteve me Lindjen, ku Turqia dhe Rusia janë dy portat kryesore për BE-në. Sanksionet amerikane që udhëhiqen nga synime të pastra ekonomike dhe projektet në Lindjen e Mesme, po vënë në diskutim kohezionin perëndimor, për shkak të interesave të ndryshme ekonomike që nuk mund të neglizhohen dhe që kërkojnë riformulimin e politikave.
Add new comment