Qeveria sot ka një mik të domosdoshëm: Lulzim Bashën
Para disa kohësh në një portal afër qeverisë doli një lajm- koment, që e lidhte Lulzim Bashën me lobin grek. Madje duke bërë disa raportime si të ndonjë rezidenti në qytetet kufitare në kohën e luftës së ftohtë, ku edhe kalimi i televizorit në kanale të huaja, shikohej si prirje subversive.
Lajmi i Bashës si njeri i grekëve u hodh në qarkullim ditën kur Basha nxori në media një foto me Donald Trump dhe ndodhej në ShBA. Faktet për Bashën njeri i grekëve? Firmosja e Marrëveshjes së Detit… Mund të supozojmë se kjo politikë e ndjekur nga një media pranë kabinetit të kryeministrit është e posaçme për të kultivuar esadizmin e kundërshtarit politik, dhe është identike me politikat editoriale të agjencisë ruse Sputnik, që kaq shumë mbahet në fokus për propagandën e saj destabilizuese.
Pak javë më vonë ishte radha e Ilir Metës që të dilte në media si njeri me lidhje me Gruevskin dhe një farë Ziakin, personazh me lidhje të shumëfishta, por me kontroll nga Kremlini. Nuk është rastësi që goditja e Ilir Metës si tradhëtari i radhës, duke përpunuar një shkrim të Politico me skenarë të rinj në një portal që akuzohet si filoturk, erdhi pas zgjedhjeve dhe duke mbajtur parasysh statusin e tij si president i zgjedhur. Akuza që nuk argumentohen, por thjesht hidhen.
Sot i ka ardhur radha Astrit Patozit, i cili duket se i prish punë Lulzim Bashës, mikut në Pazar të Edi Ramës. Dhe me këtë rast Patozit i publikohet një lajm që ka takuar Ilir Metën në Gjirin e Lalzit. Lajmi vjen me burime, por burimet këtu adoptojnë atë teknikë lajmi që nga kryeministri akuzohet si media kazani. Me të njëjtën mënyrë, pra me referim burime mund të shtojmë se ka të dhëna se Edi Rama dhe Lulzim Basha kanë zhvilluar disa herë para 18 majit takime në Belgjikë, për të konkluduar atë Pazar që vazhdon ende sot dhe që është përqendruar në mbajtjen e Bashës në krye të PD-së. Por si ta kthesh këtë pëshpërimë që duket se ka burim ndonjë truprojë në lajm për publikun? Ja vlera e profesionistëve të kazanit.
Politika është marrëveshje dhe Pazar, por të inkudrosh personazhe me të cilët ke ndarë pushtetin dhe ke bërë partneritet strategjik për Shqipërinë Europiane, në sfondin e teorive konspirative, apo të interesave të errëta, dëshmon më së miri se sa e pamoralshme është e gjithë kjo politikë që sot ka nisur udhën e Bashkëqeverisjes me popullin. Dhe në rastin konkret provon se sa e pasqaruar është për opinionin ajo biseda intime 3 orëshe mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës më 18 maj.
Add new comment